Qeveritarët të nxirë nga plazhet, qytetarët të sterrosur nga zjarret

140
Sigal

Në kulmin e krizës nga rritja e çmimeve, si dhe zjarreve që po shkrumbojnë shtëpitë, magazinat, pyjet, prodhimet dhe frutikulturën për shkak të mungesës së zjarrfikseve, qeveria harxhon për vilat e qeveritarëve mbi 100 mln lekë për bide, sifona, peshqirë me pambuk egjiptian, robdëshanë, piceta këmbësh, çarçafë, rrjeta mos i pickojnë mushkonjat dhe aksesorë të tjerë për sezonin e plazhit, që të pushojnë rehat në vilat bregdetare, ministrat dhe zyrtarët hajdut të administratës. Reagon Presidenti Meta:Ndërprisni pagesat fiktive për inceneratorët, shtoni fondet për zjarret

Shtëpitë janë ndërtuar dhe mirëmbahen po nga taksat e shqiptarëve të varfër, të cilët me kursimet e 1 viti mezi ia dalin që të shkojnë 1 javë me pushime.

 

Shtëpitë e pushimit të qeveritarëve janë kthyer në resorte, ku çdo javë, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, u rinovon mobiliet, tekstilet, enët e guzhinës dhe gjithçka tjetër. Vilat e pushimit janë në gjithë vendin, por aktualisht ato më të preferuarat janë në plazhet në Jug të Shqipërisë. Janë hulumtuar edhe më parë shpenzimet e këtyre vilave, ndërsa drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, Dhurata Frashëri, u ka bërë herë pashere “dhurata” eprorëve të saj. E vendosur në atë pozicion prej vitesh, Dhurata ka qenë “dorë lëshuar”, teksa u ka plotësuar çdo tekë këtyre shtetarëve, nga çarçafët, te perdet, enët apo edhe çfarëdolloj pajisje apo sendi, ku ata të mos ndihen si në “shtëpi të huaj”. Natyrisht, ato janë shtëpitë e shqiptarëve, janë ndërtuar dhe mirëmbahen po nga taksat e shqiptarëve të varfër, të cilët me kursimet e 1 viti mezi ia dalin që të shkojnë 1 javë me pushime. Por, drejtuesit e shtetit, krahas privilegjeve të tjera, gëzojnë edhe të drejtën që të pushojnë në këto shtëpi, në privatësi të plotë apo edhe me kushtet e resorteve më të shtrenjta të paktën në Europë. Në këto radhë do të ndalemi te tenderi i tekstileve, i kryer nga Dhurata Frashëri. Sipas dokumenteve, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, me adresë te Pallati i Kongreseve, ka hapur tenderin me objekt “blerje materiale tekstile për vitin 2022”. Fondi limit i kësaj procedure është 2.974.183, pa TVSH. Ose me TVSH rreth 30 mijë euro. Mësohet se kohëzgjatja e marrëveshjes është vetëm 7 ditë. Pra, këto materiale kërkohen me shpejtësi nga kjo drejtori. Sipas boldneës hulumtoi dokumentet shoqëruese, ku kjo drejtori kërkon një sërë artikujs, duke filluar nga çarçafët markë, jorganët, perdet e errëta apo edhe piceta këmbësh. Madje, peshqirë markë EU, që shtetarët të mos grricen. Madje edhe rrobdishamë, apo edhe shalle që mos të ftohen. Nëse 95 % e shqiptarëve nuk i ka të gjitha dhe cilësore këto artikuj, këta shtetarë po i gëzojnë edhe në shtëpitë e pushimit! Në dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, kjo drejtori kërkon 31 sete peshqirësh “100% pambuk”. Gjithashtu, 36 copë robdishanë pa kapuç, me ngjyrë të bardhë me materiale 100% pambuk.

Në kulmin e krizës së shkaktuar nga rritja e çmimeve Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka zhvilluar një tender për pajisjen e godinave, në të cilat do të pushojnë zyrtarët e administratës dhe qeverisë. Produktet që do të blihen me këtë fond nga buxheti i shtetit janë peshqirë, robdëshanë dhe aksesorë të tjerë për sezonin e plazhit

Kërkojnë peshqir të vogël, peshqir për këmbët që të jetë 100% pambuk. Kërkojnë 28 sete çarçafësh për krevat doppio, jorganë të trashë, jastëkë të fortë. Kërkojnë edhe shall dopio, me material kundër zjarrit, përbërja e të cilit duhet të jetë 61% poliestër dhe 39% poliestër e thjeshtë. Më pas kjo drejtori kërkon një mori perdesh, me ngjyra të ndryshme apo edhe “perde e errët për bllokimin e dritës”. Madje, perdja duhet të jetë me material 100 % pambuk. Gjithashtu, në specifikime kërkojnë perde me motive aziatike, me material 63% pambuk dhe 32% mëndafsh. Lista vijon me piceta këmbësh për hoteleri, me ngjyrë gri të hapur, të cilat duhet të jenë “metrazh pambuk 100%” me ngjyrë qumështi. Natyrisht, kanë udhëtuar shumë në botë, në hotele me 5 yje, ku këto sende i kanë parë në ato dhoma dhe përse mos t’i marrin edhe në këto shtëpi pushimesh?! Gjatë 7 muajve të këtij viti Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, ka zhvilluar 9 procedura tenderuese, me një vlerë prej 216 milion lekë të vjetra. Përmes kësaj shifre janë blerë dhjetëra materiale për mobilimin dhe mirëmbajtjen e vilave qeveritare, duke i bërë gati ato për sezonin e pushimeve të drejtuesve të Lartë të shtetit. Tenderi ku është shpenzuar më tepër para, bën fjalë për blerjen e paisjeve hidrosanitare, ku vlera shkon mbi 57 milion lekë të vjetra.

Thirrja e Presidentit Meta: Të ndërpriten urgjentisht pagesat fiktive për inceneratorët dhe të shtohet fondi për mbrojtjen nga zjarret

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dalë me një thirrje të fortë, duke kërkuar që të ndërpriten në mënyrë urgjente pagesat fiktive për inceneratorët dhe të shtohet fondi për mbrojtjen nga zjarret. Teksa i referohet rastit të fundit të zjarrit që ka përfshirë malin e Çikës në Vlorë, Kreu i Shtetit akuzon qeverinë se nuk shpenzon asnjë cent për fondin e mbrojtjes nga zjarret, ndërsa për inceneratorë çdo ditë paguan mijëra euro. Postimi:TË NDËRPRITEN URGJENTISHT PAGESAT FIKTIVE PËR INCENERATORËT DHE TË SHTOHET FONDI PËR MBROJTJEN NGA ZJARRET! Për tre ditë me rradhë vatrat e zjarrit në Malin e Çikës në Vlorë po shkatërrojnë hektarë pyje, pasuri publike. Siç dëshmon dhe kjo foto e fundit, flakët po përparojnë me shpejtësi drejt fshatit turistik të Dhërmiut, të tejmbushur me turistë, duke kërcënuar gjithashtu Kondraqin dhe Borshin. Për fat të keq, Qeveria që paguan çdo ditë mijëra euro për mafien e inceneratorëve, vijon të mos shpenzojë as 1 cent për të shtuar fondin për mbrojtjen nga zjarret. Lënia në mëshirë të fatit të pasurisë natyrore dhe moskokëçarja përballë kërcënimit serioz të shëndetit, jetës dhe pronës së qytetarëve është tronditëse! I bëj thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse qendrore dhe vendore, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile të ngrihen në këmbë, të marrin në dorë situatën dhe të reagojnë me urgjencë! E konsideroj kriminale mosnxjerrjen e mësimeve nga e kaluara dhe mosveprimin në kohë në lidhje me zjarret!