Qeveria shpall vitin e Skëndërbeut dhe përcaktohen përgjegjësitë e ministrave

566
Qeveria e sapodekretuar nga presidenti Ilir Meta mori pasditen e djeshme vendimet e saj të para. Miratohen rregullat për dokumentet elektronike
Qeveria “Rama 2” e mbledhur menjëherë pas marrjes së “bekimit” nga Presidenti Ilir Meta, miratoi edhe vendimet e saj të para. Në mbledhjen e kësaj të mërkure, vendimi i parë që u mor ishte shpallja e periudhës 28 nëntor 2017 -28 nëntor 2018 “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”. Në lidhje me këtë vendim është parashikuar edhe një kalendar aktivitetesh që do të mbahen. Kjo nismë ka marrë pëlqimin edhe të Presidentit Ilir Meta, i cili pas betimit të qeverisë, tha se Skënderbeu simbolizon unitetin e shqitparëve. Një tjetër vendim që doli nga mbledhja e kësaj pasditeje, ka të bëjë me dhënien e dy godinave për administratën që do të merret me procesin e vetting-ut. Më konkretisht, qeveria ka vënë në dispozicion ambientet e ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe një pjesë të godinës ku ndodhet Kontrolli i Lartë i Shtetit. Qeveria miratoi edhe një ndihmë financiare për të prekurit nga uraganët “Irma” dhe “Harvey”, në Shtetet e Bashkuara. Për vitin Mbarëkombëtar të Skëndërbeut u miratua edhe krijimi i Komisionit Shtetëror për organizimin e veprimtarive. Ky komision kryesohet nga Kryeministri dhe në përbërje do të ketë 14 anëtarë. Në listën e anëtarëve janë Ministri i Jashtëm, ministri i Mbrojtjes, ai i ekonomisë, Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Kulturës, Turizmit dhe Mjedisit, Ministri i Shtetit për Diasporën, Sekretari i Përgjithshëm të këshillit të Ministrave, Drejtori i policisë së Shtetit, Drejtori i Arkivave. Drejtori i Muzeut, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Përfaqësuesin e kabinetit të Kryeministrit. Në mbledhjen e djeshme u morën vendime edhe për disa shtesa në vendimin nr.332, datë 17.3.2010, të këshillit të ministrave, “për përcaktimin e formës, elementëve përbërës, mënyrës së mbajtjes e afatit të përdorimit të dokumenteve bazë, që mbahen dhe lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile”, të ndryshuar. “Certifikatat personale dhe familjare, të ofruara përmes shërbimit publik elektronik, në përputhje me legjislacionin që rregullon identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, lëshohen me nënshkrimin dhe/ose vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, sipas modeleve nr.1 (elektronik) dhe nr.2 (elektronik), bashkëlidhur këtij vendimi si pjesë përbërëse e tij”, thuhej në vendimin e qeverisë. Po kështu u përcaktuan edhe rregullat për përfitimin e shërbimeve publike elektronike. Qëllimi i këtij vendimi është lehtësimi i procedurave për ofrimin dhe përfitimin e shërbimeve publike elektronike nëpërmjet shërbimit të transmetimit elektronik të sigurt për qytetarët dhe institucionet publike. Por ky vendim nuk është i detyrueshëm për komunikimet elektronike në lidhje me informacionin e klasifikuar. Po në mbledhjen e djeshme të qeverisë së re u mor vendim për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të çdo ministrie. 
Sigal