“Qeveria ka marrë peng Parlamentin e Shqipërisë”, Vasili: Miratohen nismat për të vjedhur miliona euro, por jo pr/ligjet me rëndësi jetike për qytetarët

114
Sigal

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili akuzon qeverinë se ka marrë peng Parlamentin e Shqipërisë, pasi siç tha ai nuk shqyrton asnjë projekt që është depozituar nga kjo forcë politike.

Sipas Vasilit, Parlamenti miraton nismat e qeverisë për të vjedhur miliona euro, por jo ato që kanë rëndësi jetike për qytetarët.

Deputeti Vasili u shpreh se “është e paimagjinueshme që për javë të tëra Parlamenti shqiptar vetëm në tre seancat e fundit ka shqyrtuar gjithsej dy projekt marrëveshje ndërkombëtarë, ndërsa në rendin e ditës së nesërme nuk ka asnjë projektligj të depozituar.”

“Parlamenti po përjeton ditët më të errëta në këto 30 vjet pluralizëm dhe pa e tepruar mund të thuhet me gojën plot që qeveria po zbaton një puç institucional për bllokimin e Parlamentit.

Është e paimagjinueshme që për javë të tëra Parlamenti shqiptar vetëm në tre seancat e fundit ka shqyrtuar gjithsej dy projekt marrëveshje ndërkombëtarë, ndërsa në rendin e ditës së nesërme nuk ka asnjë projektligj të depozituar.

Ndërkohë që nismat e qeverisë për të vjedhur qindra miliona euro kalojnë dhe miratohet, pr/ligj jetike për qytetarët bllokohen.

Ndërkohë që janë depozituar projektligje nga Partia e Lirisë prej muajsh të tërë ku ai për çmimin e naftës dhe për ndryshimet në Kodin Penal për tubimet kanë më shumë se 7 muaj të depozituar dhe që as nuk preken me dorë. Ndërkohë që Parlamenti shqyrton në mënyrë të rrufeshme çdo lloj projektligji të qeverisë që i duhet asaj për hajdutëritë që bën apo për t’i bërë shërbim propagandës së ditës, pra projektligje që kanë zero vlerë për qytetarin, iu hapet rruga katër kanatë në Parlament.

Praktikisht mund të thuhet me gojën plot që qeveria ka rrëmbyer e ka marrë peng institucionin themelor të shtetit shqiptar nga ku burojnë të gjitha pushtetet duke mbajtur një qëndrim vërtetë mafioz ndaj Parlamentit të Shqipërisë”, u shpreh Vasili.

Për këtë situatë të Parlamentit, Vasili ngarkon me përgjegjësi, kryetaren, Lindita Nikolla, që i tha se po përdoret për të marrë peng Parlamentin.

“Kjo situatë ngarkon me përgjegjësi të madhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla që duke e konsideruar veten thjesht dhe vetëm si instrument të qeverisë nuk bën asgjë por është nënshtruar e po përdoret në funksion të pengmarrjes së Parlamentit nga qeveria.

Kjo situatë duhet të marrë fund dhe gjithashtu legjitimon çdo lloj reagimi të qytetarëve të cilët kanë votuar për një Parlament që funksionon që shqyrtojnë projektligjet që kanë lidhje me jetën e tyre dhe që iu mundëson të zgjedhurve nga populli të ushtrojnë veprimtarinë e tyre”.