Qeveria jep me qira mbi 7500 parcela bujqësore

1687
Sigal

Ministria e ujqësisë do të japë me qira tokë bujqësore që nuk u është përcaktuar pronësia dhe nuk janë në pronësi të saj. Ligji 7501, kritikat e DASH dhe kriteri i BE-së për pronat, si kusht i integrimit. Flasin për “Telegraf”, Prof. Boçari dhe Av Cakrani: Pas koncesioneve, “maliqët” e shtetit nisin zhvatjen me ligj të tokave të pronarëve

Forumi në “Telegraf”/Flasin Av. Kujtim Cakrani dhe Gëzim Boçari: Qeveria u vjedh tokën pronarëve të ligjshëm

Qeveria lëshon mbi 7500 parcela bujqësore me qira, por shumë jo në pronësi të saj

Ministria e Bujqësisë ka publikuar një listë prej më shumë se 7500 parcelash tokë në të gjithë vendin që do të jepen me qira. Parcelat shtrihen në të gjithë vendin dhe kryesisht përfaqësojnë tokë arë ose pemëtore me sipërfaqe totale mbi 16 mijë hektarë tokë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministrisë së Bujqësisë shumë nga këto parcela nuk kanë të përcaktuar pronësinë, ndërsa për një pjesë thuhet se janë në pronësi të shtetit. Sipas vendimit të qeverisë së vitit të kaluar tokat bujqësore në pronësi të shtetit jepen me qira deri në 10 vjet, kur destinohen për kultivimin e bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative dhe deri në 30 vjet, kur destinohen për krijimin dhe kultivimin e vreshtave, pemëtoresh me specie drufrutorësh, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje kultivimi dhe me rentabilitet ekonomik dhe deri në 99 vjet ku destinohen për krijim ullishtash arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje. Në çdo rast, madhësia e sipërfaqes së tokës bujqësore që jepet me qira nuk mund të jetë më e vogël se madhësia e sipërfaqes së parcelës sipas së cilës ajo rezulton e regjistruar në dokumentacionin kadastral të DAMT-it ose sa madhësia e sipërfaqes së parcelës sipas së cilës ajo reflektohet në hartën treguese të tokës “HTR”, pranë ZVRPP-së. Qiradhënësi në këtë rast Ministria e Bujqësisë është përgjegjës për ndjekjen e përmbushjes së detyrimeve kontraktore dhe monitorimin e kontratave të lidhura në përputhje me këtë vendim, si dhe kontratat në proces. Rivlerësimi i vlerës së qirasë do të bëhet çdo 5 vjet, bazuar në normën mesatare të inflacionit në 5 vitet e fundit, sipas Bankës së Shqipërisë. Më herët, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi gjeti se disa gara të zhvilluara për dhënien me qira të tokave bujqësore në administrim të MBZHRAU, kishin aspekte të pa mbuluara mirë nga korniza ligjore që rregullon këtë proces. Sipas KLSH-se nuk janë të përcaktuara prioritetet e autoritetit qiradhënës për zhvillimin e aktiviteteve në këto toka, për këtë arsye, shumë kërkues potencialë për marrje toke me qira, nuk e kanë të mundur që të dine vendndodhjen e tokave objekt qiradhënie e aq më shumë për cilësitë dhe përshtatshmërinë e tyre në lidhje me një ose disa aktivitete bujqësore të caktuara. Në garat konkurruese të dhënies së këtyre tokave, konstatohen plan biznese të cilat janë paraqitur në garë nga fituesi por që nuk shoqërohen me dokumentim të aftësive financiare të fituesit për të garantuar projektet mbi të cilat konkurrohen (mungojnë dokumente ligjore vërtetues, nga bankat në rastet e kredive apo burimi i financimit mbi të cilin do të operohet).

DASH kritikon Shqipërinë për “pronat”

Në raportin vjetor për liritë fetare në 2018 Departamenti amerikan i Shtetit ka kritikuar Shqipërinë, për progres të mangët në procesin e kthimit të pronave të komuniteteve fetare dhe për bllokim të programeve të parandalimit të radikalizimit. Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për liritë fetare ka pasur mes të tjerash, dy pika kritike për Shqipërinë. Edhe pse vlerëson tolerancën dhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë, dokumenti kritikon shtetin shqiptar se nuk ka bërë sa duhet për kthimin dhe kompensimin e pronave të komuniteteve fetare. Raporti nënvizon se Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin ka ecur me ritme të ngadalta në këtë proces, edhe pse pretendon se së fundmi ka zgjidhur 423 raste të tilla.

Raporti i Euralius: Legjislacioni shqiptar i pronës shkel të drejtat e njeriut

Një raport i pabotuar i Euralius në 2018 mbi të drejtën e pronës në Shqipëri evidenton problemet e shumta ligjore dhe faktike me kthimin dhe kompensimin, legalizimet dhe shpronësimet për llogari të investimeve strategjike, që sipas saj mund të përbëjnë shkelje të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Misioni i BE-së për konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri, Euralius ndërmori gjatë vitit 2018 një studim të hollësishëm të kornizës ligjore mbi kthimin dhe kompensimin e pronës, legalizimet, regjistrimin dhe shpronësimet për interes publik, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar mbi të drejtën e pronës me atë evropian dhe përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Një kopje e këtij raporti ‘konfidencial’ të përfunduar me 8 korrik 2018, nënvizon se megjithë progresin dhe përpjekjet e bëra gjatë dy dekadave të fundit, mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave të pronës në Shqipëri lë për të dëshiruar dhe iniciativat ligjore të qeverisë Rama, të tilla si ligji i investimeve strategjike, e kanë komplikuar situatën juridike në të cilën ndodhet vendi. “Situata e pazgjidhur ligjore dhe faktike për kthimin dhe kompensimin e pronave të sekuestruara gjatë regjimit komunist si dhe legalizimi, shpronësimi dhe regjistrimi i pasurive të paluajtshme në Shqipëri, mund të përbëjë shkelje serioze të një prej të drejtave bazike të cilës i referohet neni 1 i protokollit 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e drejta për ta gëzuar paqësisht pronën,” shkruan Euralius në përmbledhjen e gjetjeve të raportit, i cili e analizon dhe e krahason legjislacionin shqiptar me atë të pesë vendeve të tjera, të cilat u përballën me probleme të ngjashme pas rënies së regjimit komunist.

 

Flasin për gazetën “Telegraf”

Av. Kujtim CAKRANI: Në Shqipëri nuk ka toka pa pronësi dhe shteti nuk mund të japë me qira këto toka

Ministria e Bujqësisë sot jep me qira 7500 parcela toke, shumica jo ne pronësi të shtetit. A mundet shteti të japi me qira, toka qe nuk i ka në pronësi?

Prej disa vjetësh Ministria e Bujqësisë në mënyra klienteliste ka dhënë sipërfaqe tokash bujqësore por jo vetëm me qira, por edhe me enfiteozë etj. Qeveria në vitin 2015 i propozoi Kuvendit të një projekt ligj, që më pas u quajt ligji nr. 133/2015 “Për Trajtimin e pronave të Pronarëve. Ky ligj kishte ndryshuar tërësisht ligjin e mëparshëm për kthimin dhe kompensimin e pronës pronarëve legjitimë, për faktin se: Ju njihte pronësinë pronarëve legjitimë, por nuk lejonte kthimin fizik të saj në masën 100%, në këtë mënyrë shoi shpresat e pronarëve për të rimarrë plotësisht pronat e tyre të sekuestruara nga shteti mëparshëm komunist. Por ky veprim i qeverisë që më pas u bë ligj vërtetoi se kishte një qëllim të caktuar nga qeveria Rama 1. Në këtë mënyrë ai i hoqi mundësinë pronarëve të ligjshëm për të rimarrë tokën e tyre tashmë me ligj dhe në këtë mënyrë në gjithë Shqipërinë ngelën mijëra hektarë sipërfaqe tokash bujqësore dhe jo, vetëm me pronar shtetin. kështu që kryeministri me një plan mafioz, siç di ai ta bëjë, bëri pronar shtetin dhe në këtë mënyrë ai mund t’i japë klientëve të tij parcela toke bujqësore pa fund nën justifikimin e investimeve strategjike, apo edhe personave fizikë miq të ministrave dhe deputetëve të zonave të ndryshme. Sipërfaqet me të mëdha të tokave bujqësore, dihet që gjenden në Myzeqe, pasi siç dihet aty kanë qenë edhe pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipëri. Natyrisht ka pasur edhe toka shtet si rrjedhojë edhe krijimit të tyre nga regjimi komunist nga tharja e kënetave etj, por këto janë të papërfillshme, pasi shumica i kanë marrë fshatarët me ligjin e famshëm 7051 “Për tokën” më 1991. pra për t’u kthyer tek pyetja Juaj, shteti nuk ka një inventar të saktë të tokave të tij. Në rastin konkret shteti po bën pazare shumë të rrezikshme me tokat e pronarëve të ligjshëm. Fakti që pronarët i kanë dosjet e tyre nëpër sirtarët e ATP Tiranë dhe qëllimisht janë bllokuar nga qeveria për të mos dalë me vendime, nuk do të thotë që sipërfaqet e tokave që shteti jep me qira janë pronë e tij. Jo, kjo që qeveria po bën, duke i dhënë ato grupeve mafioze me qira është akti më i pa paprecedent dhe i padëgjuar në gjithë botën demokratike. Shteti nuk është pronar tokash dhe nuk ka asnjë të drejtë të japë toka me qira, pasi kështu do fusë në një konflikt pronarin e ligjshëm dhe atë që shteti ia ka dhënë me qira. Ministria e Bujqësisë mund të japë me qira ç’të dojë, pasi për të marrë vendime antiligjore nuk mund ta ndalojmë, por është duke vepruar në mënyrë antikushtetuese.

A ka sot në Shqipëri toka që nuk u dihet pronari? Këto toka pa pronësi, a mundet shteti t’i jap me qira për 30 vjet apo 99 vjet?

Shteti shqiptar nuk ka asnjë inventar lidhur me tokat e tij, shteti quan veten pronar në tokat e sekuestruara nga shteti komunist pronarëve të ligjshëm, dhe kjo është çudia më e madhe që ndodh në këtë vend me këtë qeveri. Pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, janë sot afro 15 mijë dosje të pashqyrtuara të pronarëve të ligjshëm, duke qenë se, afati ligjor për shqyrtimin e tyre ka përfunduar në muajin korrik të këtij viti, dhe mundësia e pronarëve për të rimarrë tokat e sekuestruara është shumë e zbehtë, atëherë të gjitha tokat e pretenduara në këto 15 mijë dosje përbëjnë sipërfaqe të konsiderueshme mijëra e mijëra hektarë shteti i quan se janë prona të tij, arsye kjo që shteti çdo ditë në faqet e shtypit reklamon se po shpërndan pronarëve kompensim fizik të tokës shtetërore, por ato janë toka me pronarë të ligjshëm por, që shteti u ka mohuar kthimin fizik të tyre. Shteti me anë të Ministrisë së Bujqësisë, si ministria më e korruptuar, por që në duke nuk bie në sy, lidh kontrata në mënyra të fshehta mafioze me persona, të cilët janë klientë të qeverisë, të cilët fshihen nën hijen e investitorit strategjik apo fermerit etj. Të gjitha kontratat që shteti shqiptar ka bërë me persona apo shoqëri me afat 20 apo 99 vjet janë të gjitha antiligjore dhe ato do të shkojnë të gjitha në gjykatë, pasi shteti nuk ka bazë ligjore të japë me qira apo mënyra të tjera tokën e pronarit legjitim. Përveç se shteti po kryen një abuzim të madh me ligjin me këto veprime, por po fut në një konflikt social grupet e interesi,t pronarët e ligjshëm me të ashtuquajturit investitorë apo fermerë.

Prof. Dr. Gëzim Boçari, Përfaqësues i Shoqatës “Pronësi dhe drejtësi”: “Qeveria vepron me ligje mafioze për të zhvatur tokat e pronarëve”

Shteti është gangster dhe vepron me ligjet e mafies që t’u marrë tokat pronarëve të ligjshëm. Pronat e patundshme duhet t’u kthehen pronarëve të ligjshëm. Nuk ka në Shqipëri toka pa pronar, por qeveria ka bllokuar të gjitha kërkesat e pronarëve, që të marrin pronat e tyre. Ministria e Bujqësisë nuk është pronare e tokave, që të japë me qira tokat që qeveria nuk ua jep pronarëve të ligjshëm. Cilido pronar që i privohet nga qeveria e drejta e rikthimit të pronave duhet të ankohet në Gjykatën e Strasburgut, ku deri tani dhjetëra pronarë kanë fituar gjyqet ndaj qeverisë shqiptare për padrejtësitë e mosmarrjes së tokave.