Megjithëse miratoi ligjin e ri të Arsimit të Lartë, qeveria nuk ka miratuar një vendim kyç që përcakton tarifat tavan për universitetet publike, vendim që duhej të ishte miratuar që në gushtin e vitit të kaluar, duke krijuar paqartësi te universitetet dhe pasiguri ekonomike te studentët.
Qeveria shqiptare duket se ka harruar të hartojë dhe miratojë një vendim kyç, në bazë të së cilit, universitetet publike në vend duhet të përcaktojnë tarifat e studimit që paguajnë studentët, duke shkaktuar pasiguri dhe paqartësi në sistemin e arsimit të lartë në vend, ndërkohë që një pjesë e universiteteve kanë vendosur të aplikojnë pjesërisht tarifat e vitit të kaluar, duke shkelur ligjin, për shkak se mungesa e të ardhurave i shkaktonte pamundësi për pagimin e rrogave dhe shpenzimeve të tjera.
Tarifat e shkollimit për studentët e viteve të para të të gjitha cikleve të studimit në universitetet publike duhej të përcaktoheshin nga universitetet pasi qeveria të kishte miratuar me vendim të vetin të ashtuquajturat “tarifa tavan”, çmimet referencë për tarifat që më pas duhet të përcaktohen nga universitetet.
Kjo duket se nuk është as një nisje e mirë për të ashtuquajturën “reformë të arsimit të lartë” të ndërmarrë nga qeveria në vitin 2015 dhe e kontestuar nga një pjesë jo e vogël e profesoratit dhe e aktivistëve si komercializim dhe kontroll i arsimit të lartë nga ana e qeverisë.
Pyetur nga BIRN, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës njoftoi se projektvendimin e ka gati dhe se çmimet tavan të studimeve “do të miratohen shumë shpejt” nga ana e qeverisë, por nuk dha shpjegime se për çfarë arsyeje vendimi është vonuar kaq shumë. “Draft VKM-ja është hartuar dhe pritet të miratohet shumë shpejt nga Këshilli iMinistrave,” deklaroi zëdhënësja e MAS, Denisa Ruzi.
Këshilli i Ministrave nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për këtë çështje.
Studentët ndërkohë janë nën ethet e frikës së rritjes së mëtejshme të tarifave të studimit ndërsa një pjesë e universiteteve kanë vendosur në kundërshtim me ligjin të zbatojnë tarifat e vitit të kaluar nga frika se mungesa e të ardhurave mund t’i shkaktojë vështirësi financiare.
Dhori Kule, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, deklaroi javën e kaluar për BIRN se ai vetë e sheh të pamundur që të përcaktojë tarifa për sa kohë nuk ka vendim qeverie, por theksoi se dëshira është që tarifat e këtij viti të mos jenë më të larta se sa viti i kaluar.
“Në fakultetin e Ekonomisë, por kam bindjen dhe në fakultetet dhe universitetet e tjera nuk ka studentë të viteve të para që të kenë paguar tarifën e shkollimit, pasi qeveria nuk ka miratuar VKM me tarifën tavan të shkollimit për universitetet publike, i cili është detyrim ligjor i ligjit të ri të arsimit. Më tej, në bazë të vendimi të qeverisë institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë nëse do t’i kenë tarifat sa vlera maksimale e miratuar nga qeveria apo më të ulëta,” tha Kule.
Tarifat e studimit do të duhej të miratoheshin që para se nxënësit të aplikonin për regjistrim vitin e kaluar, në mënyrë që studentët dhe familjet e tyre të dinin se sa para u nevojiteshin për të paguar shkollimin.
“Çdo 2-3 ditë kam shkuar e jam interesuar për tarifën e shkollimit, por në sekretari na thonë që nuk është miratuar tarifa. Na kanë thënë mos u shqetësoni pasi do t`ju njoftojmë kur të miratohet, por kemi frikë se mos rritet,” tregon Merin Maçi student i Arkeologjisë.
“Jam paraqitur disa herë në muajin janar dhe në shkurt në sekretari për të tërhequr faturën me të cilën drejtohesh në bankë për të bërë pagesën e tarifës së shkollës, por çdoherë më kanë thënë nuk ka tarifë të përcaktuar. Edhe tani që ka nisur pagesa e këstit të dytë, aty ka një shënim për studentët e vitit të parë të të gjithë cikleve se duhet të qëndrojnë në pritje deri në një njoftim të dytë.”-tregon Anila, studente e ekonomikut.
Shqipëria ka shumëfishuar tarifat e studimeve nëpër universitetet publike përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, ndërsa një ligj i shumëdebatuar i miratuar në vitin 2015 bën thirrje për rritje të mëtejshme të tarifave, duke vendosur një pjesë jo të vogël të familjeve shqiptare në pamundësi financiare për t’i dhënë arsim të lartë fëmijëve të tyre.
Tarifat vjetore që studentët paguajnë aktualisht variojnë nga 20 mijë deri në 45 mijë lekë për studimet e nivelit të parë deri në 150 mijë lekë për studimet master dhe ndryshojnë në varësi të fakultetit dhe degës. Viti akademik për studentët e Shkencave të Natyrës kushton 25 mijë lekë ndërsa për ata të Drejtësisë kushton 40 mijë lekë.
Qeveria aktuale është vënë nën akuza të vazhdueshme se synon favorizimin e universiteteve private duke komercializuar universitetet publike, akuza që qeveria i hedh poshtë.
Shqipëria ka gjithashtu një program të kufizuar që favorizon me tarifa më të ulëta ose me përjashtim nga tarifa një numër të vockël studentësh, por mungesa e VKM-së ia ka vështirësuar jetën edhe disave nga këto përfitues të paktë. Një studenti në Elbasan, i cili pati përfituar vitin e kaluar përjashtim nga tarifa si anëtar i komunitetit Rom, iu refuzua përjashtimi në vitin e dytë me argumentin se qeveria nuk e ka miratuar VKM-në, e cila, përveç tavaneve të tarifave, përcaton edhe përfituesit e tarifave të ulëta.
Tarifa pa VKM
Ndërsa presin vendimin e qeverisë, një pjesë e universiteteve kanë vendosur të zbatojnë pjesërisht tarifat e vitit të kaluar për studentët e viteve të dyta e të treta si dhe për programet master duke lënë pa tarifa studentët e vitit të parë, me supozimin që studentët aktualë të mos pësojnë rritje tarifash, ndërsa ligji i ri i arsimit të lartë duhet të rëndojë më shumë në gjeneratat e ardhshme të studentëve.
“Ne jemi në pritje të vendimit të qeverisë i cili përcakton tavanet e tarifave të shkollimit për studentët e universiteteve publike. Ndërkohë që jemi në pritje, ne nga ana jonë kemi ndërmarrë një akt administrativ për studentët që janë në vite të ndërmjetme, pra në vit të dytë dhe të tretë bachelor dhe vitet e dyta në master shkencor, të vijohet me pagesat e dikurshme pasi nuk mund tu ndryshojmë tarifën në mes të shkollës,” tha për BIRN kancelari i Universitetit të Tiranës Robert Skënderi.
Andrea Maliqari, rektori i Universiteti Politeknik të Tiranës ka sqarur se UPT edhe pse në mungesë të një VKM-je për tarifat tavan të studimit, por duke u bazuar në vendimin e Bordit Administrativ, i cili ka ruajtur tarifat e mëparshme, u kanë mbledhur tarifën e shkollimit edhe studentëve të viteve të para.
“Qeveria faktikisht nuk ka miratuar vendimin me tarifat tavan të shkollimit për studentët. Por ne si Politeknik e kishim bërë publike që tarifat nuk do ti ndryshonim,duke u bazuar dhe në vendimin e Bordit Administrative u vendos që studentët e viteve të para të paguajnë tarifën e shkollimit sipas afateve të përcaktuara në rregullore. Qeveria po vonon shumë aktet nënligjore, nëse nuk do mblidheshin tarifat universiteti do ish në vështirësi të mëdha ekonomike,”thekson rektori i UPT, Maliqari.
Edhe Universiteti i Mjekësisë deklaroi se tarifat për vitin 2016-2017 ka vendosur t’i arkëtojë me referencë ato të vitit të kaluar, ndonëse baza ligjore ka ndryshuar.
“Për studentët e vitit të parë e kemi mbledhur, pasi kemi përcaktuar se tarifa nuk do rritet por është në nivelin e 45 mijë lekëve si një vit më parë,” u shpreh rektori Arben Gjata.