Sigal

Studimi/Në faqen zyrtare të qeverisë shqiptare nuk gjendet asnjë informacion në lidhje me buxhetin e qeverisë

Qeveria e Rilindjes me transparencën më të ulët në Rajon, me integritet në rënie

Gjatë qeverisjes së Rilindjes Socialiste, një nga fenomenet më të spikatura ekonomike është dhënia e koncesioneve dhe e tenderëve, zakonisht një numri të kufizuar të kompanive, ndërkohë që shumë kompani dhe truste të huaja janë larguar nga Shqipëria, për arsye se në Shqipëri nuk ka konkurrencë të ndershme dhe e dyta, se në Shqipëri sundon një drejtësi e korruptuar.

Përkeqësohet transparenca e qeverisë me 3 pikë

Edhe pse qeveria e Rilindjes Socialiste dhe kryeministri Rama pretendojnë se zbatojnë reformën ën drejtësi, e cila do të luftojë korrupsionin, në drejtimin e kundërt janë treguesit e transparencës, të cilat përkeqësohen nga viti në vit. Lëvizja “Mjaft” edhe pse është një organizatë afër qeverisë, detyrohet të publikojë një studim, sipas të cilit, qeveria shqiptare u përkeqësua me 3 pikë sa i takon transparencës, krahasuar me vitet e mëparshme. Studimi thotë se hapja institucionale e qeverisë shqiptare është afërsisht sa mesatarja e vendeve të tjera të rajonit, por kjo nuk është në nivel të kënaqshëm në raport me standardet e kërkuara ndërkombëtare.

Në faqet zyrtare të qeverisë mungojnë tabelat fillestare të buxhetit

Kryeministri Rama shpenzon 40 milionë euro në vit për të gjitha platformat qeveritare, ku ka punësuar mbi 318 nëpunës. Madje, më kryesori është platforma shqiperiaqeduam ku çdo shqiptar, duke shkruar aty ankesën, shqetësimin, problemet, sipas kryeministrit Rama, brenda 10 ditëve, do të ketë me shkrim përgjigjen nga shteti, derisa institucionet e shtetit nuk funksionojnë ndryshme. Mirëpo, në kontrast me këtë realitet, çuditërisht, në faqet zyrtare, në platformat e qeverisë, mungojnë të gjithë treguesit e buxhetit të shtetit. Askush nuk ka informacion, sa është borxhi ynë, sa janë shpenzimet shtetërore. Studimi thekson: “Në faqen zyrtare të qeverisë shqiptare nuk gjendet asnjë informacion në lidhje me transparencën buxhetore të qeverisë apo edhe të shtetit. Mungojnë tabelat fillestare të buxhetit, raportet e ndërmjetme të shpenzimeve buxhetore, gjendja e borxhit publik, si dhe tabelat e shpenzimeve faktike vjetore në krahasim me planifikimet e bëra. Madje, u vu re se nuk ka asnjë dokument që vërteton depozitimin në kohë nga kryeministria të draftit të buxhetit vjetor pranë administratës së parlamentit, kohë kjo e përcaktuar tre muaj përpara fillimit të diskutimeve në komisione parlamentare.

Shqipëria në renditjet e fundit në Rajon për transparencën

Shqipëria renditet e 4 mes 7 vendeve të Ballkanit pas Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, duke lënë pas vetëm Bosnjën dhe Kosovën. Qeveria shqiptare ka plotësuar vetëm në 40 për qind treguesit e transparencës, thotë studimi, ndërsa çështjet e konfliktit të interesit, kodit të etikës, lobingut, transparencës buxhetore dhe prokurimeve publike paraqiten në një vlerësim të ulët.

Në platformat e kryeministrisë mungojnë informacionet mbi prokurimet

Në faqen e kryeministrisë mungojnë informacionet mbi prokurimet, procedurat, kontratat, prokurimet me vlera të mëdha, prokurimet faktike të krahasuara me regjistrin e parashikimeve të prokurimeve publike. Raporti thotë se qeveria shënon shifrën 0 të hapjes institucionale sa i takon veprimtarive, që lidhen me paratë e shtetit. Krahas transparencës, edhe integriteti ka pasur rënie, sepse qeveria nuk rregullon me ligj veprimtaritë lobuese dhe nuk ka të publikuar ndonjë strategji antikorrupsion, thuhet në studim. Niveli i transparencës dhe hapjes së institucioneve janë po ashtu të ulëta edhe në pushtetin vendor.

Pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në vendimmarrjen e bashkive, mundësi për korrupsion

Sipas vëzhgimeve nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), “pjesëmarrja e publikut në vendim-marrjen e bashkive është e ulët dhe ato nuk janë transparente, gjë që lë vend për korrupsion të zhvilluar nga qeverisja qendrore deri në pushtetin vendor” – tha Sotiraq Hroni, drejtues i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Studimet vërejtën se organizatat e shoqërisë civile e kanë shtuar presionin ndaj administratës për transparencë ndaj qytetarëve dhe mirëqeverisje, por mbetet shumë për të luftuar korrupsionin, që fshihet prapa mbylljes së dokumenteve.