Qëndrimi për reformën, LSI përjashton deputetin Përparim Spahiu

342
Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur paraditen e sotme grupin parlamentar, ku ka vendosur përjashtimin e deputetit Përparim Spahiu, lidhur me qëndrimin e tij sa i përket reformës në drejtësi.
Në një deklaratë pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili bëri me dije se përjashtimi i Spahiut erdhi për shkak të qëndrimeve personale të përsëritura që nuk kanë asgjë të përbashkët me qëndrimet e kryesisë.
“Kryesia vendosi përjashtimin e LSI për shkak të qëndrimeve personale të përsëritura që nuk kanë asgjë të përbashkët me qëndrimet e kryesisë. Qëndrimi më i fundit që lidhet me reformën në drejtësi u vlerësua si i gabuar dhe i nxituar dhe në kundërshtim të plotë me qëndrimet koherente të LSI për reformën. LSI vlerëson rëndësinë e madhe të reformës, jo vetëm për forcimin e shtetit ligjor, por dhe me sigurinë kombëtare dhe qëndrueshmërinë e vendit në rajon. Ndaj LSI do të vazhdojë të punojë për reformën, sipas Venecia, larg emocioneve afatshkurtra partiake dhe personale”, tha Vasili.
Spahiu u përjashtua nga grupi parlamentar i LSI-së, pas një reagimi që ai bëri dy ditë më parë në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”, ku u shpreh se ishte kundër procesit veting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ndërkombëtarët.
LSI-ja, përmes kreut të grupit parlamentar, Petrit Vasili është firmëtare e draftit të ndryshimeve kushtetuese për të kaluar në procedurat e rregullta parlamentare. Dy ditë më parë, në një postim në faqen e tij në “Twitter”, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, foli për rëndësinë e sovranitetit në përgjithësi, duke u fokusuar më pas tek çështja konkrete që lidhet me veting-un, për të cilën ai lë të kuptojë se e udhëhequr nga ndërkombëtarët do të çojë në një shkelje të sovranitetit të vendit.
“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE! Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit! Çfarë përfaqësojnë këta?!!” – u shpreh Spahiu.
Sigal