Meta në Finlandë diskuton me homologen Lohela mbi situatën në Ballkan

419
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i cili shoqërohej prej Kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme, u prit ditën e djeshme në Helsinki nga Kryetarja e Parlamentit të Finlandës, Maria Lohela, me të cilën vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Finlandës. Meta dhe znj. Lohela shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e shkëmbimeve ndërparlamentare përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve reciproke parlamentare dhe theksuan se dy parlamentet duhet të punojnë më ngushtë për ta ngritur më lart nivelin e bashkëpunimit veçanërisht në fushat e arsimit, turizmit dhe shkëmbimeve ekonomike. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e angazhimit të parlamentareve të rinj në të dy vendet duke marrë në konsideratë perspektivën e forcimit të lidhjeve njerëzore mes dy vendeve tona dhe potencialet e bashkëpunimit dypalësh. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda dhe Parlamenti i saj i kanë dhënë Shqipërisë në integrimin e saj evropian dhe vuri në dukje rëndësinë e avancimit me zbatimin e reformës kyçe të sistemit të drejtësisë dhe prioriteteve të tjera të nevojshme për qytetarët shqiptarë. Meta dhe Lohela diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe nënvizuan rëndësinë e avancimit të të gjitha vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian duke forcuar parametrat e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë qëndrimit në Parlamentin e Finlandës, Meta dhe Dade u pritën edhe nga një përfaqësi deputetësh nga fraksionet e ndryshme parlamentare politike dhe nga Grupi Parlamentar i Miqësisë Finlandë-Shqipëri me të cilët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes deputetëve dhe komisioneve parlamentare në nivel dypalësh dhe për mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare.
Sigal