Nga Ardit Gjinali
Gjatë fillimit të rrugëtimit së vendosjes të rendit mavi, retorika politike e mazhorancës artikulonte shpesh që “ Po bëjmë shtet”.
Në emër te devizës “Po bëjmë shtet “ , arroganca dhe paligjshmëria justifikoheshin sepse “ revolucioni” kishte një parim te madh; pushtetin e pakufizuar i kamufluar në propagandën për shtetin. Prangat e paligjshme tundeshin dhe mosrespektimi apo shkelja arbitrare e vendimeve të gjykatave ishte një trend; të gjitha bëheshin në emër të një kinse ideali të madh” Do të bëjmë shtet”, pavarësisht që për të ndërtuar të tillin, po përdhoseshin institucionet e të njëjtit.
Vitet kaluan, rendi mavi forcoi pozitat e tij përmes aplikimit të praktikave negative së mbajtjes së pushtetit, por nga ana tjetër “shteti humbi” në cdo nocion dhe kuptim. Këto 6 vite dhe në vijim janë dëshmia më e qartë e shtetit që mungon; i materializuar nga denoncimet në vite të opozitës politike, segmenteve të pavaruara mediatikë apo faktorë të ndryshëm shoqërorë.
Gjatë periudhës së 6 ( gjashtë) muajve të fundit, ngjarjet e ndodhura që lidhen me natyrën dhe shkencën nxorrën në pah shtetin që mungonte. Periudha post- tërmet u karakterizua me një sjellje tërësisht dilentante ku propaganda amplifikonte batutën dhe pseudo-premtimet e artikuluara nga KryeKreu; kulmi u arrit me trajtimin e gënjeshtërt të fondeve të përftuara nga Konferenca e donatorëve, ku kreditë në terma të butë për qëllime humanitare u paraqitën si donacione.
Ndërkohë që efektet e tërmetit vijojnë të jenë të pranishme, virusi COVID-19 u shfaq në Shqipëri. Pavarësisht dëshirës së secilit për mos-shfaqjen e tij, ishte e pashmangshme duke konsideruar të gjithë faktorët, përfshirë afërsinë gjeografike dhe lëvizjen e njerëzve me pjesën tjetër të territoreve të prekur më parë.
Nuk mund të ishim “shkëmb graniti në buzë të Adriatikut” sepse pandemia e “gërreu shkëmbin dhe kaloi në pjesën tjetër të Adriatikut”. Në të njëjtën kohë, ishin jo vetëm bajate por edhe banale, legjendat urbane të sponsorizuara nga propaganda që vaksina “cudibërëse” e kryer në moshë të herëshme do të na shpëtonte nga COVID 19. Vaj vatani……
Qeveria me KryeKreun në krye aplikoi parimin e shurdhërisë së qëllimtë ndaj shqetësimit në rritje të opinionit publik dhe thirrjeve të opozitës mbi përhapjen potenciale të virusit në vend. Askush Nuk kerkon Nga KryeKreu dhe mëkëmbësja e tij ne krye te punëve te shendetësisë që të gjejë kurën për kurimin e COVID 19 apo të parandalonte hyrjen e tij në vendin tonë, por është i pafalshëm indiferentizmi, ironia, tallja vetëm pak ditë përpara shfaqjes së të ashtuquajturit “rast i parë” në vendin tonë.
Qeveria u gjend tërërësisht e papërgatitur dhe me një strategji të munguar në terma afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për përballimin e situatës; shpalli masat shtrënguese pasi e keqja mbërriti dhe mbylli gjithcka vetëm 3 ( tre) ditë pas shfaqjes së virusit në vend.
Secili është në favor të cdo mase që i shërben mbrojtjes së jetës së qytetarit, por në periudhën përpara shfaqjes së virusit nuk ka pasur asnje sensibilizim paraprak mbi efektet e virusit; sjelljen e qytetarëve në të përditshmen e tyre; mos-kufizimin e udhëtimeve në rrugët tokësore, detare apo ajrore me shtetet e ekspozuara më parë apo dhe mungesat e theksuara logjistike si rezultat i mungesës së strategjisë.
Nuk është aspak i qortueshëm fakti që qeveria pranoi disa nga propozimet e opozitës , por në një shoqëri demokratike qeveria duhet të sillet në lartësinë e përgjegjësisë politike dhe shoqërore, gjithashtu.
Përtej këshillave të fundjavës për Yoga-n, asnjë përfaqësues apo institucion përgjegjës nuk po shpall asnjë qëndrim mbi mënyrën si do të jetë sjellja e qeverisë ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm karshi detyrimeve fiskale ndaj saj; propozimi i qeverisë mbi fatin e mijëra të punësuarëve në bizneset private që do të kenë mungesa të pagës nëse situata do të vijojë e tillë për muaj me rradhë; propozimi i qeverisë mbi mbrojtjen që ajo do të ofronte mbi marrëdhënien e paqartë në perspektivë mes qiramarrës-qiradhënës në ambientet ku biznesi privat ushtron aktivitetin e tij.
Padyshim që ka shumë cështje të tjera që shkaktojnë implikime të gjera në dimensionin social, por efekti në ekonomi mbetet cështja më e rëndësishme pas shpëtimit të jetës së njerëzve dhe kufizimit maksimal të tij. Këto mbeten kohë të vështira si në kontekstin kombëtar, rajonal, kontinental apo global; vendi ynë nuk mbetet dot jashtë zhvillimeve globale pavarësisht natyrës së tyre.
Por, cdo vend ka qeverinë e tij dhe ajo është përgjegjëse për implementimin e një strategjie të qëndrueshme.
Këto 6 ( gjashtë) muaj kanë treguar një qeveri pa strategji, pa plan, pa vizion dhe pa lidership për vendime të efektshme në kohë të vështira.
KryeKreu është vetëdeklaruar si një lojtar i mirë shahu, por këto vite kanë treguar që ka humbur ndeshjen më të rëndësishme të këtij sporti të shkëlqyer; atë të ndërtimit të shtetit.