PS nis në shtator procesin e zgjedhjeve. Rinovim strukturave në bazë e qendër, ndryshimet statutore

400
Një ristrukturim i plotë i të gjitha strukturave partiake. Ky është objektivi i procesit zgjedhor që Partia Socialiste do të zhvillojë në periudhën shtator – dhjetor 2015. Ndërkohë që në selinë rozë kanë mbërritur analizat nga kryetarët e disa degëve të partisë. Përshtatja e strukturave vendore sipas hartës së re territoriale, zgjedhja e drejtuesve të organizatave, në njësitë administrative dhe në nivel bashkiak do të jenë dhe hapat e parë në këtë proces. Zgjedhjet do të zhvillohen sipas fazave të përcaktuara në draftin që u është dorëzuar ccdo anëtari të asamblesë, ku në fillim do të jetë regjistrimi i anëtarëve të partisë sipas organizatave deri më 10 shtator të 2015-s. Pas këtij procesi, do të jetë ai i zgjedhjeve në organizatat socialiste nga periudha 10 shtator deri më 10 nëntor.

 Zgjedhja e delegatëve të kongresit, sipas parimit një anëtar, një votë, do të bëhet më 21 nëntor, ndërkohë që për strukturat e partisë brenda vendit do të bëhet një delegat për 100 anëtarë partie, ndërsa për strukturat e partisë në emigracion është një delegat për 200 anëtarë. Ndërsa zgjedhja për kryetar të PS-së në bashki dhe konstituimi i asambleve në bashki zhvillohet më 15 dhjetor. Pjesë përbërëse e këtij aksioni të madh janë edhe strukturat e forumit të gruas socialiste, si dhe ai rinor, FRESSH, të cilët detyrë të tyre parësore kanë ngritjen dhe riorganizimin e strukturave të tyre vendore, evidentimin dhe shtimin e anëtarësisë së tyre, si dhe ngritjen e grupeve të grave e të rinjve socialistë pranë organizatave socialiste. Për çdo organizatë socialiste do të evidentohen anëtarët e partisë që qëndrojnë dhe ata që janë larguar, si dhe ata që janë ende aktivë të mbështetur në dy fushatat e fundit elektorale.
Sigal