Mbi 30 parti politike, shoqata të shoqërisë civile dhe individë u mblodhën dje në Tiranë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të barabarta. Tryezës iu bashkua edhe ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Bashkëkryetari i tryezës, kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ritheksoi domosdoshmërinë e reformës zgjedhore, të vërtetë dhe jo si farsë e PS dhe PD. Tryeza miratoi dy rezoluta, një për zgjedhjet e lira dhe te barabarta dhe një për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Tryeza e partive politike, shoqatave dhe individëve për zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Rezolutë për reformën zgjedhore

Partitë politike dhe shoqatat e shoqërisë civile që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të barabarta, të mbledhura sot më 2 nëntor 2018, në tryezën për reformën zgjedhore, konstatuan se dy partitë PS-PD e kanë bllokuar reformën zgjedhore dhe në vend të saj duan të bëjnë një farsë për të mashtruar partnerët perëndimorë dhe vendet mike të Shqipërisë.

Tryeza konstatoi:

1-Reforma elektorale është bllokuar në mënyrë të vetëdijshme me marrëveshjen PS-PD për të mos lejuar çlirimin e zgjedhjeve nga diktati i tyre.

2-PS dhe PD nuk duan të bëjnë një reformë zgjedhore me standarde, por një farsë zgjedhore që nuk i çliron zgjedhjet nga kontrolli i tyre. Qëllimi i tyre është i qartë. Partitë e vjetra duan që të mashtrojnë institucionet e Bashkimit Evropian, që e kanë vënë si kusht reformën zgjedhore për hapjen e negociatave me BE-në, në qershor 2019.

3-PS dhe PD kërkojnë që të ruajnë kontrollin partiak mbi zgjedhjet dhe të diskriminojnë operatorët e tjerë të tregut duke mbajtur në fuqi zgjedhjet e pabarabarta, duke mos zbatuar rekomandimin e OSBE-së .

4-Partitë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe individët shprehin shqetësimin që reforma zgjedhore është në rrezik nëse nuk zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

5-Tryeza u kërkon sërish institucioneve të komunitetit ndërkombëtar që monitorojnë Shqipërinë që reforma zgjedhore të eliminojë kontrollin politik mbi administratën zgjedhore. Të zbatohet rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e zgjedhjeve, duke depolitizuar plotësisht administratën zgjedhore, duke vënë në krye të procesit zgjedhor një individ konsensual ose një institucion me njerëz krejtësisht të pavarur nga partitë .

Rezoluta për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi: Kërkojmë largimin e ministrit Ditmir Bushati!

Tryeza vendosi të shprehet:

1-Komuniteti i madh shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura të forcimit të kësaj miqësie dhe faktorë stabiliteti, prandaj jemi të shqetësuar nga sjelljet antishqiptare dhe të papërgjegjshme të qeverisë së Shqipërisë në negociatat me Greqinë.

2-Bisedimet mes ekipeve negociatore të dy vendeve për ndarjen e ujërave territoriale mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe marrëveshja dypalëshe është një çështje tejet sensitive. Nuk duhet të ndodhë asnjë lëshim i ujërave territoriale ndaj Greqisë në dëm të Shqipërisë. Pretendimi i Greqisë për të shtrirë ujërat territoriale në 12 milje nuk duhet pranuar nga Shqipëria.

3-Nuk mund të ketë një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë që injoron Çështjen Çame dhe të drejtat e Çamërisë dhe nuk mund të ketë një marrëveshje që nuk merr në konsideratë të gjitha çështjet, siç është ajo e ujërave të brendshme.

4-Kërkojmë largimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, sepse u ka dhënë mbështetje inkursioneve ultranacionaliste greke dhe pretendimeve të tyre në dekada për tërësinë territoriale të Shqipërisë, duke falsifikuar historinë dhe pranuar që Shqipëria të ketë festë zyrtare 28 Tetorin, ditën e nisjes së luftës italo-greke në vitin 1940, ditë në kalendarin zyrtar të Greqisë.