Sigal

Situata në Kategorinë e Parë në këtë sezon është mjaft interesante, sidomos në grupin B, ku momentalisht distanca mes vendit të parë dhe atij të tetë, është vetëm 6 pikë, ndaj secila nga këto skuadra mund ta konsiderojë veten si pretendente për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Në fakt, është bërë tanimë e zakonshme që, pas çdo jave të luajtur në këtë grup, të kemi një kryesues të ri. Besa e Kavajës, me suksesin mjaft të kontestuar në javën e kaluar kundër Egnatia, u ngjit në vendin e parë, duke përfituar nga ndalesa e liderëve të Pogradecit, të cilët pas humbjes në Ballsh me Bylisin, zbritën nga vendi i parë në të tretin. Pogradeci pret sot Elbasanin e vendit të fundit dhe do të kërkojë një fitore që duket e lehtë në letër, megjithatë elbasanasit arritën të siguronin javën e kaluar pikën e parë të sezonit, në ndeshjen e parë me trajnerin e saj të ri, ndaj këtë javë kërkon të konfirmohet me një tjetër rezultat pozitiv. Bylisi i vendit të dytë luan në një fushë të vështirë si ajo e Tomorit, por fitorja në përballjen direkte me Pogradecin i ka motivuar shumë ballshiotët ndaj sot pritet një tjetër fitore. Kryesuesit e Besës do të mbyllin javën e 8 ditën e nesërme, ku do të presin në shtëpi Lushnjen, në orën 14:00. Besa është rikthyer me rezultate dhe lojëra të bukura, teksa javët e fundit ka gjetur dhe mbështetjen e tifozerisë kavajse të cilën nuk i janë ndarë skuadrës edhe në transferta, siç ka ndodhur në Orikum e sidomos në Rrogozhinë. Në grupin A të kësaj kategorie, Vllaznia vijon e qetë në rrugën drejt rikthimit në superiore pas vetëm një viti mungesë. Pavarësisht se u ndal në javën e kaluar në barazimin 0-0 me Shënkollin, shkodranët janë ende të shkëputur në kryesim në kuotën e 19 pikëve, 5 më shumë se ndjekësit më të afërt të Dinamos. Vllaznia arriti 6 fitore radhazi në 6 javët e para të Kategorisë së Parë, duke u shfaqur superior ndaj çdo rivali, ndaj sfida e sotme përballë Vorës në orën 14:00 nuk pritet të krijojë shumë probleme për skuadrën e Hasan Likës.

RENDITJA, KATEGORIA E PARË

Grupi A

Skuadrat          Nd       P

Vllaznia 7 19

Dinamo 7 14

Besëlidhja 7 12

Erzeni 7 12

Iliria 7 9

Veleçiku 7 9

Shënkolli 7 8

Korabi 7 8

Burreli 7 6

Vora 7 2

Grupi B

Skuadrat          Nd       P

Besa 7          14

Bylis 7 13

Pogradeci 7 12

Oriku 7 12

Tomori 7 10

Egnatia 7 10

Apolonia 7 9

Lushnja 7 8

Turbina 7 5

Elbasani 7 1

Java e 8

Sot, 3 nëntor

Erzeni-Shënkolli          14:00

Vllaznia-Vora  14:00

Besëlidhja-Iliria           14:00

Dinamo-Korabi           14:00

Oriku-Apolonia           14:00

Tomori-Bylis   14:00

Pogradeci-Elbasani     14:00

Egnatia-Turbina          14:00

Nesër, 4 nëntor

Veleçiku-Burreli          14:00

Besa-Lushnja  14:00