Në konferencën për shtyp të organizuar ditën e sotme në Presidence, Ilir Meta publikoi fakte kundër Dovranit.
Pas provave të reja të nxjerra nga Presidenti Ilir Meta, për kreun e KED, Ardian Dvorani ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
“Tentativa kriminale e Edi Ramës për uzurpimin e Gjykatës Kushtetuese u çmontua sot me të tjera fakte të pakundërshtueshme nga Institucioni i Presidentit të Republikës”- shkruan Bardhi në një postim të bërë në Facebook.
Postimi i plotë i Bardhit
Tentativa kriminale e Edi Ramës për uzurpimin e Gjykatës Kushtetuese u çmontua sot me të tjera fakte të pakundërshtueshme nga Institucioni i Presidentit të Republikës.
Qeveria e Edi Ramës me Etilda Gjonajn, Parlamenti i Edi Ramës me Gramoz Ruçin, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i Edi Ramës me Ardian Dvoranin tani janë të provuar me dokumenta zyrtarë se janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjesuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese që në lindje. Me një skemë kriminale, Qeveria ka ndërmarrë veprime aktive për t’i rrëmbyer kompetencën kushtetutese Presidentit të Republikës për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe për të emëruar aty një shërbëtore politike të Qeverisë.
Dokumentat e bëra publikë nga Presidenti janë tronditës. Qeveria boton në Fletoren Zyrtare një akt për llogari të KED-së, që sipas Kushtetutës është një institucion pa asnjë lidhje me Qeverinë. Është një tjetër akt i paprecedentë që minon ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhbën Reformën në Drejtësi dhe thellon krizën politike dhe institucionale në vend.