Protesta e opozitës tek Kryesia e Kuvendit, reagon Berisha: Do t’i përgjigjemi dhëmb për dhëmb, sundimit të Ramës

31
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar, para protestës që do mbahet tek Kryesia e Kuvendit ku Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestimin e tij, se ky është fillimi i betejës pa kthim.

Berisha u shpreh se Partia Demokratike është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb, sundimit të Edi Ramës, i cili sipas tij, është i bazuar në krim e drogë.

“Fillimi i betejës pa kthim në rrugët e Tiranës. PD është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb, sundimit të Edi Ramës të bazuar në krimin, drogë, vjedhjen e shqiptarëve.

Sot çdo demokrat ndihet një luftëtar i lirisë i betuar për të bërë gjithçka për shembjen e narkodiktaturës që u grabit votën shqiptarëve”, tha Berisha.

Rreth 700 efektivë nga policia e Tiranës dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare (ish-FNSH), do të qëndrojnë te Kryesia e Kuvendit gjatë protestës së Berishës.

Afër Kuvendit janë vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo lëvizje të protestuesve që policia të ketë të gjitha provat e mundshme nëse do të ketë incidente.

Gjithashtu edhe RENEA është në gatishmëri në rast se do të ketë incidente.