Propozimi i shumëpritur i Celibashit, votat të numërohen në qëndra votimi

23

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve i kërkon Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore të adresojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Sigal

… I kthehemi eksperiencës së shkuar ku numërimi do bëhet në qendrat e votimit. Secili prej varianteve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Në situatën aktuale mendoj ka ardhur koha ta rikonsiderojmë këtë opsion.

Telegraf.al / Komisioni për Reformën Zgjedhore ashtu siç pritej u mblodh online paraditen e së martës ku ndër të ftuarit e këtij komisioni për mendime ishte edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ky i fundit kërkoi nga komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore të adresojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me votimin nga jashtë dhe shfuqizimin e dispozitës të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me herësin, kufirin prej 10 mijë votash për votën preferenciale. “Do të vazhdojmë t’i lëmë pa votuar, apo do t’u krijojmë mundësi të votojnë. Janë rreth 30 mijë votues shqiptarë që për arsye objektive nuk e kanë të mundur të paraqiten në qendrat e votimit për të ushtruar të drejtën e votës”. Celibashi theksoi se ka disa mënyra se si mund të llogaritet vota e atyre që jetojnë jashtë në rezultatin zgjedhor. “Vota mund të llogaritet aty ku kanë regjistrin e gjendjes civile, mund të llogaritet në qarkun e Tiranës si qarku më i madh ose ka një ide të llogaritet në mënyrë tjetër, ku parashikohet të kenë disa mandate të posaçme si votues nga jashtë”, tha Celibashi, i cili shtoi se vendimmarrja për këtë çështje është politike dhe se “nëse nuk vendoset kjo gjë nuk ka votim nga jashtë”. “Nëse duam që ky proces të realizohet kërkesë nga KQZ është që të paktën Kuvendi i Shqipërisë duhet të përcaktojë rregullat për llogaritjen e votës të bashkatdhetarëve që banojnë jashtë”. Ai tha se duhet të përcaktohet qartë në ligj se kush do të kualifikohet si person për t’i shkuar fleta e votimit, kur jeton jashtë territorit të Shqipërisë. “Do të duhet të përcaktohet në çfarë kushtesh kualifikohet për ta marrë fletën e votimit. Të gjitha variantet qëndrojnë. Nëse do t’i japësh të drejtën atij që ka një adresë, apo atij që nuk ka një adresë e nuk figuron gjëkundi, por në këtë rast ka implikime për KQZ-në pasi nuk dimë ku do ta dërgojmë fletën e votimit nga pikëpamja teknike. Kjo përveç faktit kur votohet elektronikisht”,- tha ai. Ndërkohë sipas tij, mënyra e votimit mund t’i lihet edhe KQZ-së në dorë. Celibashi theksoi edhe domosdoshmërinë e përmirësimit të rregullave që lidhen me fushatën zgjedhore në mediet online, internet dhe rrjetet sociale si dhe me financimin e fushatës zgjedhore. Për të nevojiten ndryshime në ligjin për regjistrimin fillestar të partive politike. “Partitë që nuk kanë marrë asnjë mandat në 3 zgjedhjet e fundit duhet të riparaqesin një listë me nënshkrime mbështetëse”, tha ai. Një tjetër çështje që duhet konsideruar, sipas Celibashit është edhe përcaktimi i vendit të numërimit të votave.  “Partitë politike që nuk janë regjistruar në dy zgjedhjet e fundit të mos i nënshtrohen auditit financiar kur nuk kanë marrë as para nga buxheti i shtetit, pasi kjo i konsumon KQZ shumë kohë dhe kapacitete njerëzore. NumërimI do të vijojë në qendrat e votimit në mënyrë të përqendruar si e kemi sot apo do i kthehemi eksperiencës së shkuar ku numërimi do bëhet në qendrat e votimit. Secili prej varianteve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Në situatën aktuale mendoj ka ardhur koha ta rikonsiderojmë këtë opsion. Kjo çështje dhe shumica e tyre ka nevojë për vullnet politik.” Nëse sygjerimi i Celibashit merret në konsideratë kjo do të thoshte një frymëmarrje më të thellë për proceset zgjedhore në Shqipëri. Vonesat e transportit nga qëndrat e votimit drejt KZAZ, vonesat e gjetjes së materialeve zgjedhore nga njëra kuti në tjetrën, vonesat në proceset numëruese në KZAZ, lodhja dhe mbingarkesat fizike të numëruesve kanë treguar se rezultatet në Shqipërinë e votimeve të dalin ditë e javë më vonë. Numërimi në qëndra votimi do të hidhte poshtë edhe dyshimet e shumat për vjedhje apo abuzime të pretenduara nga partitë se bëhen për kutitë e votimit gjatë transportit. Vite më parë ky proces ndodhte në Shqipëri por problematikat me dokumentet e identifikimit që asokohe ishin prej letre dhe nga ana tjetër problemet me furnizimin me energji elektrike ishin arsye kryesore se përse u përqëndrua votimi nëpër zona administrimi zgjedhore.