Projektet e PPP, parajsa e organizatave kriminale

184
Sigal

Intervist me Prof.Dr. Selami Xhepa: Penetrimi i kapitaleve të mafies në tenderat publike, veprat e mëdha dhe pushtimi nga qiellgërvishtësit është i palejushëm dhe tregonë kanalet informale të parave. Përfshirja e zyrtareve të lartë shqiptar që dalin nga përgjimet e antimafias, tregon se e keqja po zë rrënjë. Shkak është mungesa e transparencës nga qeveria, llogaridhënia, respekti për qytetarin, ligjin dhe papërgjegjshmëria ndaj të ardhmes së vendit

Prof. Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës

 Projektet e PPP-ve janë parajsa e  organizatave kriminale

Gazeta Telegraf

 Dje kryeministri Rama fajësoi mediat, pse publikuan zbardhjet e autopërgjimeve të Antimafias Italiane, të cilat dëshmojnë pohime të kupolës së Ndraghetës, për pazaret që bënë për të investuar në Shqipëri, me qëllim që të pastrojnë paratë e veprimtarisë së tyre kriminale. Prof. Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, në intervistën për gazetën “Telegraf”  pohon se penetrimi i kapitaleve të mafies në tenderat publike dhe veprat e mëdha në Shqipëri është i palejueshëm. Rritja e trafiqeve të drogës nga Shqipëria drejt Perëndimit, ka bërë që të ketë ofertë të lartë të eurosë, e cila natyrisht që do të përdoret në Shqipëri, sidomos në investimet e pasurisë së patundshme. Prof. Xhepa, duke ilustruar qiellgërvishësit në Tiranë, thotë se ato dhe çmimet e tregut të pasurive të patundshme që mbeten ndër më të larta edhe në Europë, janë dëshmi e shumave të mëdha monetare që qarkullojnë informalisht në Shqipëri. Prandaj, Prof. Xhepa thekson se bëhet gjithë e më shqetësuese bjerrja e standardeve demokratike, kapja e shtetit dhe korrupsioni, vënja e ligjbërjes në funksion të interesave të individëve të veçantë dhe jo të shoqërisë.

 

Qiellgërvishtësit që kanë pushtuar kryeqytetin dhe çmimet e tregut të pasurive të paluajtshme mbeten ndër më të lartat, janë  dëshmi se shuma të mëdha monetare nga kanalet informale qarkullojnë në ekonominë tonë

-Prof. Xhepa, raportet vjetore të DASH, por edhe të institucioneve Ndërkombëtare financiare theksojnë se Shqipëria është vendi me rrezikun më të madh për pastrimin e parave.  A mendoni se kemi boshllëk ligjor për të luftuar pastrimin e parave?

-Më shumë se një vakum ligjor, mendoj se lufta për parandalimin e pastrimit të parave është një çështje e dobësive të theksuara institucionale, mungesave në burimet e nevojshme financiare dhe të ekspertizës, e paaftësisë së institucioneve tona ligjzbatuese për të bashkëpunuar dhe koordinuar midis tyre punën me qëllimin e zbatimit të detyrave të tyre ligjore. Raporti i Moneyval ka evidentuar pikërisht këto dobësi institucionale si shkaktarët që çuan në klasifikimin e Shqipërisë në listën gri, që do të thotë ndër vendet me rreziqe të larta dhe që do ti nënshtrohet mbikëqyrjes së zgjeruar të kësaj organizate. Sigurisht, që mund të ketë dhe boshllëqe ligjore dhe mungesa në bazën rregullatore, por këto janë faktor sekondar në raport me mangësitë që pëmenda më sipër.  Fatkeqësisht institucionet ligjzbatuese për këtë çështje janë të mbyllura dhe është e pamundur të aksesohen informacione lidhur me progresin që duhet të bëjnë në përmbushjen e detyrave që ka lënë raporti i Moneyval. Disa kohë më parë, në kuadër të një projekti kërkimor, unë kam kërkuar disa herë të futesha në kontakt me këto institucione me qëllim shqyrtimin e këtij progresi, por nuk kam patur sukses.

Nëse duam drejtësi edhe në fushën e ekonomisë, roli dhe përgjegjësitë e të gjithë këtyre profesioneve duhet të rishikohen në themel dhe mekanizmat ndëshkues ndaj fallsifikimeve të jenë ekzemplare

– “Bumi” i ndërtimit të kullave në Tiranë, thuhet rreth 4-5 milionë metra katrorë sipërfaqe, në mungesë të kreditimit të këtyre investimeve nga bankat, a e justifikon këtë? A ka ky investim rreziqet e pastrimit të parave?

– Siç po bëhet e njohur tashmë jo vetëm nga raportet e organizatave shtetërore të huaja, por dhe nga përgjimet që po botohen ditët e fundit nga dosjet e prokurorisë italiane mbi organizatën Ndrageta, pastrimi i parave përmes aktiviteteve ekonomike është një praktikë që zhvillohet prej kohësh. Sektori i ndërtimit është dhe më i ekspozuari ndaj këtyre transaksioneve dhe fakti se qiellgërvishtës të shumtë kanë pushtuar kryeqytetin në vitet e fundit, dhe çmimet e tregut të pasurive të paluajtshme mbeten ndër më të lartat edhe në raport me vendet e zhvilluara, janë një dëshmi indirekte që provojnë se shuma të mëdha monetare nga kanalet informale qarkullojnë në ekonominë tonë lokale. Por teksa gjurmimi parasë dhe transaksioneve të dyshmita në sektorin privat mund të jetë një çështje e vështirë, – e tillë është dhe për shumë vende të zhvilluara, – penetrimi këtyre kapitaleve në tenderat publike dhe projektet dhe veprat e mëdha publike në vend, është i palejueshëm. Në vitet e fundit Shqipëria ka kontraktuar projekte madhore që shkojnë në total mbi 4-5 miliardë euro në formën e partneriteteve publike-private, çka është një parajsë për përfshirjen e organizatave kriminale në projekte të tilla. Prej kohësh ekspertë vendas dhe të huaj kishin paralajmëruar se rritja e trafiqeve të lëndëve narkotike drejt Perëndimit me burim nga vendi ynë, po prodhonin një ofertë të lartë të monedhës evropiane, e cila do të përdorte përveç tregut të pasurive të paluajtshme, edhe ndërtimin e veprave publike si një mënyrë për t’u futur në sistemin ligjor ekonomik e  financiar.

Rritja e trafiqeve të lëndëve narkotike drejt Perëndimit me burim nga vendi ynë, po prodhonin një ofertë të lartë të eurosë, e cila do të përdorte përveç tregut të pasurive të paluajtshme, edhe ndërtimin e veprave publike

– A është i justifikuar çmimi i shitjes dhe blerjes të njësive ndërtimore, shtëpi apo mjedis biznesi me 4-5 mijë Euro/m2, kur ndërkohë rritja ekonomike është thuajse e papërfillshme, ekonomia në krizë,  mesatarisht, të ardhurat vjetore të shqiptarëve janë sa të blejnë 1 metër2 banesë apo mjedis pune?

– Ajo që është befasuese në raportin midis ofertës së banesave dhe çmimeve të shitjes apo qerasë, është një disbalancë e ndjeshme e tyre. Ligjësitë ekonomike theksojnë se kur ka një ofertë dhe stok të madh ambientesh për zyra apo banesa, qeratë dhe çmimet e shitjes normalisht bien. Në Tiranë ndodh e kundërta. E vërteta është se megjithë shtrenjtimin e çmimit të tokës, kostot e ndërtimit në Shqipëri janë disa herë më të ulëtat se çmimet e banesave. Fakti që çmimet nuk bien dhe investitorët i ruajnë stok të pashitura, tregon se logjika financiare nuk funksionon prandaj dhe bankat janë hezituese në këtë biznes. Normat e fitimit në Shqipëri janë shumë më të larta se në çdo vend tjetër të rajonit dhe diferenca midis çmimit të prodhuesit dhe konsumatorit është e pajustifikueshme. Unë mendoj se në këtë çështje organet tatimore mund të jenë instrumentale. Presioni ligjor që duhet të ushtrohet ndaj financierëve të kompanive, ndaj audituesve të bilanceve kontabël dhe gjithë zinxhirin e përpilimit të bilanceve të firmave e deri tek kontrolli përfundimtar, duhet të forcohet. Fatkeqësisht, atë efekt shkatërrues që sistemi i drejtësisë ka patur mbi sistemin politik, audituesit, kontabilistët dhe financierët e kompanive kanë patur mbi ekonominë. Nëse duam drejtësi edhe në fushën e ekonomisë, roli dhe përgjegjësitë e të gjithë këtyre profesioneve duhet të rishikohen në themel dhe mekanizmat ndëshkues ndaj fallsifikimeve të jenë ekzemplare.

Lufta për parandalimin e pastrimit të parave është një çështje e dobësive të theksuara institucionale, mungesave në burimet e nevojshme financiare dhe të ekspertizës, e paaftësisë së institucioneve tona ligjzbatuese

A mendoni se Gjyqësori e ushtron detyrën për të verifikuar e kontrolluar pikërisht burimin e investimeve në Shqipëri për ndërtimin e kullave?

– Është detyrë e institucioneve të kontrollit dhe parandalimit të pastrimit të parave pranë ministrisë së Financave, dhe më tej e Prokurorisë ndjekja e origjinës së kapitaleve. Sigurisht, që institucionet financiare luajnë një rol kryesor dhe parapritë për pastërtitë e transaksioneve financiare, dhe ato duhet të kenë procedura dhe mekanizma për ta kryer këtë mision. Nga praktika ndërkombëtare dimë se fatkeqësisht shpeshherë edhe vetë institucionet financiare mund të përfshihen në afera të tilla. Që nga botimet e Panama Papers dhe parajsat fiskale (që me të drejtë një autor i huaj i quan si “ishuj septik”), janë të shumtë librat e botuar mbi përdorimin e institucioneve financiare si instrumente për pastrimin e parave. Mendoj se edhe Banka e Shqipërisë duhet të luajë një rol të dorës së parë në këtë fushë dhe madje duhet të krijojë strukturat e saj hetimore për këtë çështje. Gjyqësori është hallka e fundit në këtë zinxhir dhe fatkeqësisht deri tani nuk kemi patur rastin të dëshmojmë nëse ata janë gardian të ligjit dhe drejtësisë.

Përfshirja e zyrtarëve të lartë shqiptar që dalin nga përgjimet e fundit, tregon se e keqja po zë rrënjë. Në fakt kjo mund të pritet kur qeverive ju mungon transparenca, llogaridhënja, respekti për qytetarin dhe ligjin, përgjegjëshmëria ndaj të ardhmes së vendit

– Prof. Xhepa, parmbrëmë ministrja e Shtetit Elisa Spiropali në një intervistë televizive deklaroi se në përgjimet e Antimafies italiane nuk ka prova që të vërtetojnë bashkëpunimin e qeveritarëve të Rilindjes me Ndraghetën. A duhet të bëjë këtë deklaratë ministrja apo edhe qeveritarë të tjerë, para se Gjyqësori të ketë dhënë vendimin e hetimeve? A është ky qëndrim zyrtar një ushtrim presioni politik ndaj Gjyqësorit?

– Përfshirja e zyrtarëve të lartë shqiptar që dalin nga përgjimet e fundit, tregon se e keqja po zë rrënjë. Në fakt kjo mund të pritet kur qeverive ju mungon transparenca, llogaridhënja, respekti për qytetarin dhe ligjin, përgjegjëshmëria ndaj të ardhmes së vendit, etj. Gjithnjë e më shqetësuese po bëhen bjerrja e standarteve demokratike të vendit, kapja e shtetit dhe korrupsioni, vënja e ligjbërjes në funksion të interesave të individëve të veçantë dhe jo të shoqërisë. Ministrat e qeverisë duhet të dëshmojnë me vepra se shqetësohen për të ardhmen e vendit. E gjithë beteja politike që është zhvilluar në këto tre vite që kur nisi reforma në sistemin e drejtësisë, tregon se më shumë se interesi qytetar për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, kanë qenë interesat për ta shtënë atë në dorë. Mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të veprojë me paanësi dhe objektivitet. Tani do të fillojnë të duken rezultatet e reformës dhe nëse ka shpresë për të ardhmen e  vendit.

Ju Falenderoj!