Prof. Servet Pëllumbi/ Në kërkim të një alternative të majtë konkuruese

622
Rënia e Murit të Berlinit dhe procesi i përmbysjes së komunizmit në vendet e Europës Lindore dhe Qendrore gjatë viteve 1989-1991, u shoqërua me një lloj të veçantë rënieje edhe për të majtën socialiste e socialdemokrate në vendet e tjera europiane. Pra, u përjetua si një dështim i alternativës së majtë në përgjithësi. Natyrshëm kjo kërkonte analiza të thelluara, ritheksimin e ndarjes së madhe të pas Luftës së Parë Botërore, kur socialdemokracia europiane u distancua nga komunizmi e sidomos nga varianti i bolshevizmit që mohonte çdo mundësi tjetër zhvillimi përpos revolucionit me dhunë, diktaturës së proletariatit dhe udhëheqjes së vetme të partisë komuniste. Ndarja e së majtës erdhi duke u thelluar, aq sa për komunistët socialdemokracia ishte “tradhëtare”, bashkëpunëtore me borgjezinë për shtypjen dhe shfrytëzimin e klasës punëtore dhe ndarjen e pushtetit me të. Aq fort u rrënjos një cilësim i tillë saqë edhe Eurokomunizmi i viteve 80-të të shekullit të kaluar (emërtim simbolik i politikës së disa partive komuniste të Europës Perëndimore që ishin fare pranë social-demokracisë), nuk preferonte që të idendifikohej me të. (The British jorrial of sociology, Nr. 3, 1979, p. 268; Margolin Xh- Cjornaja kniga komunizma (Le Livre Noir du Communisme). – M. Tri vjeka istorii. 2001. S. 37). Ndërkaq, partitë socialiste dhe socialdemokrate në vendet kryesore europiane, sidomos vendet ku alternoheshin në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve të lira demokratike dhe qeverisnin në mënyrë të suksesshme (në rreth 15-16 vende), u ndodhën nën një trysni të veçantë nga përmbysja e socializmit të tipit sovjetik. Ishte rasti për të ritheksuar dallimet historike e parimore dhe për të shtruar ide të reja që do të pasuronin alternativën socialdemokrate e sidomos konceptet e drejtësisë sociale, të solidaritetit dhe socializmit demokratik. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta, fillimisht nisi një lloj gare për të hequr nga programet e statutet e tyre çdo lloj reference të Marksi, kurse më pas “të majtët” u vunë në kërkim të një “rruge të tretë”, apo të horizonteve “përtej të majtës dhe të djathtës”, por në fakt u bë zhvendosja drejt një “qendre liberal-demokrate”.
Një “novacion” i pambështetur mbi asnjë përvojë konkrete. 
Zhvendosja djathtas filloi të vihet si objektiv edhe në Shqipëri që në kohën kur në krye të PS-së ishte F. Nano, i cili e shpalli alternativën e majtë “doktrinarizëm” pa të ardhme! (Konferenca Kombëtare e PSSH-së, dhjetor 1997). Kjo prirje, që vinte si ndikim i jashtëm u thelllua dhe u bë gati dominuese me E. Ramën kryetar, pra pas vitit 2005, për të cilin PS duhej konceptuar si një forcë politike “pa asnjë ngjyrë”, pra përtej të majtës dhe të djathtës. Kam bërë debat publik për çështje të tilla me rëndësi parimore për të majtën që për çudi nga autorët e tyre as sqaroheshin e as mbroheshin me argumente bindëse, por vetëm deklaroheshin e përsëriteshin vend e pa vend. Kështu PS mbetej pa një alternativë tipike dhe i duhej të endej vazhdimisht në kërkim të një alternative momentale që të dukej sa më “moderne dhe europiane”! Disa kongrese të Internacionales Socialiste iu kushtuan debateve për rrugët e reja që duheshin përvijuar nga e majta. Në librin Etikokracia (2013), kam sjellë disa pasazhe nga biseda me A. Giddensin, i njohur për ndikimin mbi Tony Bler për tezën “përtej të majtës dhe të djathtës” apo vënien në kërkim të një “rruge të tretë” që nuk do ishte as socialiste as kapitaliste. A. Giddens, i hapur për diskutim dhe i shqetësuar për mungesën e ideve të reja tek e majta, në bisedën që zhvilluam kokë më kokë në prill 2013 në Tiranë, tezën “përtej të majtës e të djathtës” e trajtoi jo si përpjekje për ta lënë të majtën pa alternativë dhe as për të dredhuar për kalimin “më djathtas”, por si kërkesë për kritikë ndaj pozicioneve të ngurta dhe si hapje e lëvizje në të dy krahët e politikës për t’u përshtatur me kushtet e reja. Ndërkaq, gjatë bisedës theksova se as kjo tezë dhe as debatet e tjera brënda të majtës nuk arritën ta forconin atë, por e kundërta ndodhi, e majta u dobësua ndjeshëm, aq sa njerëzit shpesh pyesnin: a do të ketë më alternativë të majtë në të ardhmen e afërt? Në përforcim të idesë po i referohen faktit më të kapshëm e më tregues: numri i vendeve ku qeverisnin partitë socialiste dhe socialdemokrate ra me shpejtësi befasuese. Madje në disa shtete sj në Francë, Greqi, Spanjë etj., në zgjedhjet e bëra gjatë viteve 2014-2015, disa prej partive të majta kanë humbur ndjeshëm elektoratin e tyre traditional, duke mbetur pas deri dhe nga parti të djathta radikale dikur të panjohura. Po i referohem një rasti konkret dhe shumë domethënës për të majtën. Në zgjedhjet e majit 2015, konservatorët britanikë si e djathtë tradicionale, nuk u “turpëruan” të përdorin slogane të majta sociale. Madje ta shpallnin partinë e tyre “parti të vërtetë të klasës punëtore”, duke i nxjerrë zbuluar laboristët që tradicionalisht e kanë pas quajtur veten “parti e klasës puntore”! Torët u mburrën se po u hapin rrugën mundësive për rritjen e kualifikimit, për uljen e taksave për pronarët e vegjël, për krijim të kopshteve pa pagesë, për uljen e papunësisë nën 5%, forcimin e paundit britanik dhe mbrojtjen e interesave nacioale etj. Dhe njerëzit patën disa arsye per të besuar, se gjendja e punonjësve në Britani gjatë pesë vjetëve të fundit nuk u keqësua, kurse barra e shkurtimit të deficitit të buxhetit ra mbi të pasurit dhe jo mbi të varfërit. Ky është në thelb procesi i “majtëzimit” të së djathtës që po ndiqet edhe nga të djathta të tjera europiane. Kjo dëshmon se situatën e sotme që objektivisht favorizon të majtën po e shfrvtëzojnë më pozitivisht të djathtët. Kohët e fundit, në zgjedhjet vendore në Francë prirja sociale ishte karakteristike deri dhe për Frontin Nacional të Mari Le Penit! E njëjta gjë mund të thuhet për partinë edjathtë FIDOS në Hungari etj. Gjithsesi, vlen të theksohet se edhe te e djathta po ndodhin “zhvendosje tektonike”. Partitë e djathta, si parti tradicionale pushteti, si rregull ose radikalizohen, ose ruajnë status-quonë në funksion të pushtetit dhe rrallë përçahen apo reformohen. Ato edhe kur ndahen në fraksione, si rregull qëndrojnë “nën një çati”. Një qasje e tillë është tipike sidomos për partitë demokristiane. Madje ato shquhen për solidaritet me njëra-tjetrën më tepër nga partitë e majta që “solidaritetin” e shpallin si konceptbazë në programet e tyre. Ndërkaq kemi dhe një shembull të kundërt të së majtës tradicionale, të laburistëve britanikë, besimi tek të cilët ka rënë ndjeshëm, gjë që u reflektua edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare (7 maj 2015). Arsyeja kryesore është se Partia Laburiste prej kohësh është bërë e djathtë, duke u zhvendosur fuqishëm drejt liberalizmit e liberalëve. Që në 1990, Partia Laburiste edhe pse vazhdoi të quhej parti demokratike socialiste, deklaroi se qëllimi i saj nuk është socializmi dhe hodhi poshtë edhe idenë e nacionalizimit. Në parim, sot ajo s’ka ndonjë dallim thelbësor nga konservatorët dhe ndryshe nga ata, e ritheksoj, nuk e quan më veten “parti e klasës punëtore”. Mbase mund të gjendet një dallim vetëm në atë që shumica e deputetëve laburistë, mbështesin plotësisht burokracinë e Brukselit, kurse konservatorët, të paktën me fjalë janë të gatshëm për të mbrojtur interesat nacionale. Në këtë rrafsh do ta quaja një nonsens politik faktin që liderë të së majtës në Shqipëri, ka vite që betohen se frymëzimet e tyre “novatore” në fushën e demokracisë partiake jhe të reformimit të partisë i marrin nga laboristët anglezë…! Ndërkaq, inkurajues për të majtën mund të quhet fakti që kohët e fundit në Partinë Laburiste po forcohet krahu i Jeremy Corbyn-it për një parti me parime të majta, që ka mbështetje të gjerë në bazën e partisë dhe që kërkon rishikim të ‘”epokës Bier”, pra dhe të tezës “përtej të majtës dhe te djathtës”. Fushata Corbyn, që nisi pas zgjedhjeve të 7 majit 2015, mendohet se do t’i kthejë të majtës “entusiazmin e munguar”. Kuptohet, kjo nuk është ekuivalente me atë që thotë një filozof francez, sipas të cilit hipoteza komuniste duhet riaktivizuar, sepse nuk mund të pranohet që në botë 10% e popullsisë të ketë në dorë mbi 80% të burimeve!
A është e majta para një rinovimi?
Në rrethanat kur ka dhe një revansh të së djathtës “së majtë” apo radikale, a nuk duhet shpejtuar procesi i rinovimit dhe i përshtatjes së të majtës socialiste e socialdemokrate, qoftë dhe duke marrë një emër të ri? Këtë po e diktojnë dukuritë e reja, të panjohura më parë, sidomos kriza e shtetit nacional që është tipari karakteristik i epokës së globalizimit dhe që nuk mund të mos i paraprijë kriza e sistemit partiak pluralist. Në një situatë papërcaktueshmërish në rritje, kur duket sikur kemi tashmë një modus tjetër civilizimi, në luftën për të ardhmen pa kufijtë moralë të zakonshëm, njerëzimit, pra dhe filozofisë, Politologjisë e shkencave shoqërore në tërësi u duhet patjetër të “prodhojnë” ide të reja të ngulta, novatore të organizimit politik, të tipit shtet-korporatë apo bashkësi e struktura antroposociale që s’janë aq të formalizuara si shteti dhe partitë klasike por që doemos duhet të funksionojnë si bashkësi të pushtetshme. Pa këto, demokracia pluraliste ka për të qenë e paplotë. Ndërkaq, përsëritja vend e pa vend e tezës “përtej të majtës e të djathtës” nuk thotë më asgjë të re, nuk është shprehje demokratizimi, por dëshmi “tingëlluese” e degradimit të së majtës. Në përforcim të kësaj ideje po i rikthehem përsëri fushatës së Jeremi Corbyn-it në Britani dhe sidomos programit që ai shpalosi me guxim dhe pa paragjykime se mund të akuzohet për “majtizëm”! Corby po flet hapur për nevojën e një kthese të fortë drejt “socializmit demokratik” dhe “demokracisë sociale”, dikur koncepte bazë të socialdemokracisë europiane dhe më konkretisht për t’i dhënë fund kursit të “epokes Bler”, të quajtur New Labour me të cilin praktikisht e shndërroi Partinë Laburiste në një nga tri partitë me platformë neoliberale. Kjo me sa duket është arsyeja pse vetë Bleri u përfshi aktivisht në fushatën kundër zgjedhjes së “marksistit J. Corby” në rolin e liderit të Partisë Laburiste. Veçse, siç vë në dukje jo vetëm media me prirje majtas, kjo shërbeu si propaganda më e mirë në favor të 66-vjeçarit J. Corby, sepse shtresa të mëdha njerëzish, të zhgënjyer nga tri partitë “të bëra njëlloj”, filluan ta shohin atë jo vetëm si shpëtimtar të traditave të së majtës britanike, por dhe të së ardhmes të Britanisë së Madhe në Europën e Bashkuar. Disa fakte konkrete: Fushata për zgjedhjen e kreut të laburistëve gati spontanisht u shndërrua në lëvizje të fuqishme. Qindra mijë britanikë u regjistruan në radhët e laboristëve të gatshëm për të votuar alternativën e majtë J. Corby e cila përfshin që nga nacionalizimi i hekurudhave, burimeve të energjisë, degëve të elektricitetit, gazit dhe të degëve prioritare të industrisë, të degraduara pas privatizimit dhe deri te arsimi dhe shendetësia pa pagesë, taksa progresive, shtimi i subvencioneve për të varfërit, që “njeriu i punës lë mund të bëjë një jetë me dinjitet”. Drejtuesit e Partisë Laburiste gjithë këtë fushatë e etiketuan si “kthim prapa”; gazeta e laboristëve botoi në vazhdimësi materiale kundër Corbit e programit të tij, duke lartësuar “epokën Bler” dhe kërkuar si alternativë kthimin “prapa tek Bler”. Ndërkaq, të gjitha këto ranë në “vesh të shurdhër”. Laburistët, të vjetër e sidomos të rinjtë, ngulën këmbë për “ndryshimin e Madh”, të cilin me të drejtë e shohin të personifikuar te Corbin, i cili shpalli fitoren e bujshme më 12 shtator 2015! Qasje të tilla që përbëjnë një dukuri të re, nuk janë të lidhura me ndonjë karizmë të veçantë të Corbyt dhe as kthim iracional i njerëzve te politika e politikanët e “stilit dhe mentalitetit të vjetër”! Në të vërtetë, e veçanta e “fenomenit Corby” është mbështetja e tij te “lëvizja masive vetëorganizuese” e ftuar për të marrë vendime për çështje të lëna pas dore për dekada nga ata që e quanin veten New Labour. Me interes është të theksohet, se s’është vetëm “vota masive” në favor të fenomenit Corby, por dhe mbështetja nga ana e intelektualëve të spikatur brenda dhe jashtë Britanisë së Madhe, për programin e tij të majtë të socialreformizmit. Sociologu me famë botërore Giddens, që dikur i pat këshilluar T. Blerit “Rrugën e tretë” dhe tezën “Përtej të majtës e të djathtës”, që në vitin 2002 pat deklaruar në formë autokritike se “një trend i tillë e dëmtoi rëndë imazhin” e Partisë Laburiste. Por zëri i tij nuk u dëgjua më. Ndërkaq, shkencëtarë seriozë ndër të cilët dhe laurati i çmimit Nobel për ekonominë Paul Krugman, të zhgënjyer e të lodhur nga konceptet dhe praktikat e neoliberalizmit, botuan një letër kolektive plot optimizëm për t’u solidarizuar e mbështetur programin e ri të laboristëve britanikë të përfaqësuar Corby. Kurse Kryeministri Kameron, shpejtoi të deklarojë se fitorja e mundshme e Corbyt përbëka një “kërcënim për sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe”! Krejt në kundërshtim me deklaratat e tilla që u bashkohen ish kolegëve të Corbit, mund të supozohet më tej se ky do të jetë një shans, mbase dhe shanci i fundit edhe për të majtën dhe demokracinë pluraliste europiane, apo dhe për ripërtëritjen si të Internationales Socialiste (IS), ashtu dhe të Partisë Socialiste Europiane (PSE). E tëra kjo është në shtratin e të menduarit dhe të kërkimit demokratik për të cilin thelbësore është së pari, që ndryshimi i mendimit të jetë i bazuar mbi përvoja të reja, dhe së dyti, që sistemi i përfaqësimit të jetë real, funksionues dhe jo formal apo fiktiv, siç është aktualisht. Nisur nga një paradigmë e tillë, e thjeshtë në dukje, nuk është aq e vështirë të konstatohet se përvoja e sistemit politik me partitë tradicionale të majta e të djathta si ndërmjetëse midis pushtetit dhe popullit, e ka ezauruar veten, por prej tyre nuk mund të hiqet dorë pa gjetur diçka më racionale (dhe më të përshtatshme për kushtet e reja për të ruajtur sensin e bashkëjetesës dhe të së mirës së përbashkët). Në këtë rrafsh ripërtëritja e së majtës nuk mund të mos jetë e mirëpritur nga shtresat e paprivilegjuara që kanë përbërë në vite bazën sociale të së majtës, e cila nuk është pakësuar por është shtuar ndjeshëm në epokën e sotme të globalizimit. Për këtë emergjente është heqja dorë nga inercia e rrëshqitjes së partive socialdemokrate e socialiste europiane nga boshti klasik ideologjik i së majtës që çoi në humbje idenditeti, në nëpërkëmbje të të drejtave të njeriut dhe të barazisë sociale, në heqjen dorë nga mbrojtja e interesave të shtresave në nevojë, duke krijuar kështu hapësira për ekstremin e majtë dhe të djathtë që po fuqizohen në Europën e sotme duke u konfiguruar deri në PE. Ndërkaq, për alternativën e majtë, si në Europën e Bashkuar edhe tek ne, ka ardhur koha për të “eksperimentuar” edhe struktura të reja postpartiake që deputetët të përfaqësojnë popullin dhe jo kastën e ndërmjetësve politikë, klanin apo kryetarin që harton “listat e mbyllura” si të ishte pronar i një firme bisnesi. Në këtë rast është fjala më tepër për institucionalizim të demokracisë direkte, që si subjekte të vetme elektorale të mos jenë më vetëm partitë, por dhe iniciativa qytetare, bashkësitë qytetare, territoriale, prodhuese, rrjetet sociale etj. Kështu mbase humbasin kuptimin lojërat me “përtej të rnajtës dhe të djathtës”, shtohen shanset e tyre për të konverguar me idenë socialiste, kurse lufta politike mund të futet në një fazë të re e të veçantë, me fitimtarë e humbës por pa “beteja” të ashpra përjashtuese dhe konfliktuale.
Partitë-antiparti dhe demokracia direkte
Në kushtet e epokës së globalizmit dhe të “revolucionit kibernetik”, ka filluar të veprojë një imperativ kategorik i një natyre të veçantë, jo vetëm i natyrës morale që dëshmon se çdo model, në thelb është i përkohshëm dhe në zhvillim. Universi social është përfshirë nga kriza, sepse baza politike, shteti nacional në trajtën e tij tradicionale, e ritheksoj, e ka humbur rëndësinë e vet të dikurshme, sepse trend kryesor është bërë ndërvartësia, transformimi global dhe një lloj tranziti, një lloj “ribërjeje e botës” përmes bashkimit të qëllimeve dhe përpjekjeve, përballë rrezikut të kalimit në mosqenie të civilizimit të sotëm të planetit tokë. Në shoqërinë e së ardhmes, bazë për jetën e përbashkët sociale pritet të bëhet iniciativa sociale e qytetare, që në substancën e vet mund ta përcaktojmë si “pushteti pa shtet dhe pa kufij”. Nuk është utopi! Gjithsesi, pa harruar që e ardhmja është një hapësirë e veçantë që ekziston vetëm në mënyrë potenciale, kurse çështja e vektorit të tranzicionit mbetet një çështje kritike që nuk ka një zgjidhje të vetme dhe të dhënë një herë e përgjithmonë. Aq më tepër që dinamika sociale dhe relativizmi moral duket sikur vihen nën pushtetin e determinizmit teknologjik. Nga ana tjetër bëhet fjalë për zhvillime të pritshme, të përgjithshme, të diversifikuara, që prekin të gjithë njerëzimin, por që nuk përjashtojnë as larminë e këndvështrimeve, që gjithsesi s’kanë për të pasur ngjashmëri me statuset e dallimet e sotme midis partive të majta dhe të djathta, me rolin e tyre të “ndërmjetësit” midis popullit e pushtetit etj. Dhe as me ideologjitë e tyre tradicionale. Tashmë është bërë fakt i njohur që pavarësisht se ç’forcë politike merr shumicën e votave, në realitet pakica sundon, kurse shumica nënshtrohet pa hequr dorë nga konkurenca demokratike. Një qasje e tillë, natyrisht është ideale, që jo gjithmonë përfaqëson realitetin. Në praktikë ndodh që ndarja e vjetër mbetet në fuqi, zgjedhje apo imponim nga poshtë s’ka. Pushteti bëhet autoritarist, të menduarit bëhet gjithnjë më antidemokratik dhe partitë shkojnë për inerci duke u zhveshur nga idealet e duke u bërë klienteliste. Ndërkaq, thuhet se idetë e reja dalin e mbështeten fillimisht më tepër nga radikalët. Prandaj edhe novacionet e reagimet për ndryshime edhe nga e majta, shpesh marrin forma radikale, madje me theks anarko-populist. Thuhet po ashtu, se kjo “ligjësi” vepron në të gjitha fushat. Schindler, biograf i Bethovenit, thotë se Bethoveni ishte një radikal dhe simpathizues i ideve reja. Dhe kjo, pa dyshim ndikoi në madhështinë e tij si kompozitor. Veçse nuk duhet harruar se radikalizmi radikalizmit nuk i ngjan, prandaj mbetet gjithnjë i vlefshëm imperativi: analizë konkrete e situatës konkrete.
Përfundime
– Në rrafshin politik të sotëm, interes të ngulitur përfaqëson rasti i Podemos në Spanjë, që njihet më tepër si lëvizje që drejtohet kundër partive tradicionale. Pra dhe “përtej të majtës dhe të djathtës”! Për këtë, shpesh lëvizje të tilla quhen parti-antiparti. Vëmendjen kryesore ajo e përqëndron te tërheqja e pjesës më të papolitizuar të shoqërisë, nëpërmjet praktikës internet-votim për të gjitha çështjet më të rëndësishme që ka vendi.
– Kontroll të përditshëm ndaj politikanëve të zgjedhur si përfaqësues të zgjedhësve, të cilët mund të revokohen në çdo kohë. Pra, shpalosje e gjerë e demokracisë direkte, deprofesionalizim i politikës dhe “kthim shpine” ndaj partive tradicionale, sepse sipas ekspertëve të PE-së, partitë politike po bëhen e keqja e shoqërive të sohne. Kjo e le të hapur çështjen e organizimit të hapësirës politike për të ardhmen, për shoqërinë e dijes dhe të informacionit, në të cilën dija është baraz liri!
– Transparenca ka qenë dhe mbetet kushti sine qua non i çdo rinovimi dhe funksionimi të sistemit politik pluralist. Heqja dorë nga “sekretokracia” (sundimi i konspiracioni), nga vënia e interesave të ngushta klanore mbi interesat e kombit dhe të atdheut, mbetet vendimtare për ta mbajtur sistemin politik pluralist në një ekuilibër të pranueshëm, që lufta politike dhe dialektika mik-armik të futen në një fazë të re e të veçantë, me fitimtarë e humbës, por pa “beteja” të ashpra konfliktuale e përjashtuese. Kjo është një sfidë nga më kryesoret edhe për demokracinë e sotme shqiptare.
Sigal