“Plumbi” e squfuri në karburante “vrasin”, 320 mijë makina dhe 1.9 milionë shqiptarë

899
Konsumatorë pakice e shumice të karburanteve në Shqipëri dhe qytetarë të shumtë, kanë denoncuar në redaksinë e Gazetës “Telegraf”, fakte konkrete lidhur me “krimin” që importuesit, institucionet shtetërore të kontrollit të standardeve, distributorët dhe tregtarët e naftës e benzinës së importit e të vendit, u shesin shqiptarëve me çmime 2-3 herë më të larta edhe se në vendet e BE! Në këtë shkrim, nuk e kemi fjalën për çmimet e naftës e benzinës, që veçanërisht në 10 vitet e fundit po i “rrjepin” shqiptarët me “bekimin” e shtetit për shkak të aferave të pista të tregtarëve me shtetarët, por e kemi fjalën për cilësinë e karburanteve dhe pasojat që ato sjellin gjatë përdorimit prej automjeteve. Sipas denoncimeve, madje edhe “me zë e më figurë” për pronarë, tregtarë e zyrtarë zhdoganimi e kontrolli karburantesh, shqiptarëve u shiten karburante “bruto”, karburante të manipuluar, karburante me tregues standardesh false letra cilësie false, karburante me përbërës mineral natyral e kimik të pa pastruar (pa rafinuar), karburante me orgjinë prodhimi të falsifikuar të stampuar me marka firmash serioze të prodhimit e tregtimit të karburanteve, të cilët importohen në Shqipëri, por që gjatë përdorimit prej automjeteve shkatërrojnë automjetet si gjendje motorike, “vrasin” njerëzit dhe helmojnë mjedisin, ujin, tokën dhe speciet e tjera të gjalla. Janë karburante që nuk lejohen të përdoren, por që nga shtetit shqiptar, “certifikohen” dhe lejohen të konsumohen nga shqiptarët. Çfarë ndodh? 
Shifra importi, prodhimi vendas e konsumi, që zbulojnë “pisllëkun” me tregun e naftës
Po e nisim me një fakt të denoncuar dje në gazetën “Telegraf”: Prodhimi shqiptar i naftës që hidhet në tregun vendas e që në masën 95% përdoret për automjete, mbulon vetëm 26% të tregut vendas, sasi e cila nuk ka “fuqinë” të plotësoj standardin e cilësisë për “squfurin” dhe “pikën e flakërimit”, ndaj dhe tregu mbushet me karburante naftë e benzinë të manipuluar, duke i hedhur në treg me marka e logo të prodhuesve, përpunuesve dhe tregjeve të njohur ndërkombëtarë, falsifikim 20 vjeçar ky, që dihet nga institucionet kontrolluese e ligj-zbatuese shtetërore shqiptare, por që lejohet në pazar me subjektet që falsifikojnë dhe mashtrojnë e për rrjedhojë dëmtojnë automjetet dhe shëndetin e shqiptarëve. Të dhënat 9 mujore që dalin nga importet shqiptare, tregojnë se është vjelë akcizë për 6 herë më pak karburante importi. Shifrat e detajuara, tregojnë se nafta e vendit ka zënë rreth 26% të konsumit të brendshëm. Një fakt: Vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2015 është paguar akcizë për 49 mijë e 780 ton naftë vendi dhe për 110 mijë tonë naftë importi. Kjo shifër jo reale e sasisë së importit dhe prodhimit vendas në tregun shqiptar është pranuar edhe nga Ministria e Financave, duke “u çuditur” me faktin që importet e ulëta të karburanteve, po kompensohen me prodhim vendi! Edhe një fakt tjetër që provon falsifikimin me sasitë dhe cilësinë e naftës së importit dhe vendit. Nafta “bruto” e prodhuar në vend, pas përpunimit teknologjik që i bëhet në rafineritë e vendit, nxjerr si produkt të pranueshëm për konsum vetëm 15% sasi nafte me standard “10 ppm”, mirëpo aktualisht, sipas tregut real, rezulton se naftë shqiptare shitet në masën 25%, shifër që tregon se ka manipulim të cilësisë, origjinës dhe markës së naftës që hidhet në treg. Mjafton ky abuzim i provuar edhe nga regjistrat tatimorë e tregtarë të shtetit, për të nisur hetimin mbi këtë krim që bëhet me cilësinë e karburanteve, në dëm të konsumatorit dhe në leverdi të grosistëve e tregtarëve që kontrollojnë zinxhirin e këtij tregu deri në pikat e shitjes me pakicë! 
“Plumbi” në karburante “vret” çdo ditë 320 mijë makina dhe 1.9 milionë shqiptarë
Në tregun shqiptar, konsumatorët blejnë naftë e benzinë për automjetet e tyre, me çmim 2-3 herë më tepër se në vendet e BE e të rajonit, naftë me “mazut” dhe benzinë me “plumb” që përditë e në mënyrë graduale por të pandalshme, po “djegin” motorët e mijëra automjeteve, po mbushin mjedisin me “mjegull” tymi e gazrash helmues dhe po “vrasin” shëndetin e shqiptarëve me përmbajtje 30 herë më të lartë se karburantet që tregtohen në vendet e BE. Këtë e pranon edhe një konstatim, i mbajtur sekret prej Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial (ish IQT), sipas të cilit rezulton se nga kontrolli i bërë në 20% e totalit të tregut aktiv të karburantit në Shqipëri, ka rezultuar se 15% e naftës dhe benzinës që shitet, kanë 20 herë tejkalim të kufirit të lejuar të standardit për tregun në Shqipëri dhe 40 herë më të lartë se kufiri i lejuar për tregun në vendet e BE. Norma e lejuar e squfurit për naftën që tregtohet në Shqipëri është 10%, por kontrollet e bëra e të mbajtura sekret nga Inspektorati Shtetëror Teknik e Industrial (ish IQT), kanë “’zbuluar” dhe kanë mbuluar krimin tronditës që bëhet në tregun e karburanteve, ku në pikat shitjes së naftës e benzinës me pakicë, përmbajtja e squfurit dhe “plumbi”, nga 10% e lejuar për Shqipërinë është deri në 200-220%. Skandal është fakti, që “pika e flakërimit” të karburanteve 35-40, nga 55 që është norma e përcaktuar për tregun në Shqipëri. Çfarë ndodh? Sipas 25 denoncimeve (fakteve) që kanë dërguar ekspertët e karburanteve në gazetën “Telegraf”, ky skandal ka lidhje me “përpunimin”(manipulimin) që importuesit dhe tregtarët e shumicës e të pakicës, i bëjnë karburanteve prodhim shqiptar, manipulim që njihet dhe lejohet nga shteti shqiptar, në shkëmbim të ryshfeteve që japin “bosët” e tregut të naftës, të cilët bashkëpunojnë me rafineritë, ku ulet niveli i squfurit duke përdorur hollues që përgjysmojnë “pikën e flakërimit”. E gjithë loja e falsifikimit dhe abuzimit me standardet e karburanteve që në shiten sa “frëngu pulën” e që na “djegin” makinat dhe na “vrasin” shëndetin është ngritur dhe funksionon një “rreth vicioz” deri edhe me shitje të naftës së vendit si “naftë importi”, me shitje të naftës së prodhuar prej kompanive koncensionare në Shqipëri, si naftë të prodhuar nga kompani hidrokarburesh prestigjioze të botës, ku palë “bekuese” për këtë falsifikim janë edhe shtetarët që kanë në dorë kontrollin dhe zbatimin e ligjit. Mjafton të kujtojmë një fakt: Kur u dha alarmi nga institucionet ndërkombëtare e u kërua ndërhyrje urgjente kundër krimit që bëhet në tregun e karburanteve në Shqipëri, duke cënuar imazhin e prodhuesve e tregtuesve potencial e serioz të vendeve të BE e të botës, Inspektorati Shtetëror Teknik e Industrial (ish IQT), u hodh “aksion” dhe “zbuloi” se krimi në normën e lejuar të squfurit, të plumbit e të “pikës së flakërimit” të karburanteve që hidheshin në treg, bëhej prej 70 subjekteve importuese, përpunuese e tregtuese, deri tek pikat e pakicës, ku kishte kontaktin konsumatori masiv. U vendosën disa gjoba me vlerë sa “1 palë këpucë”, u publiku një listë emërore subjektesh abuzive me kapacitet tregtimi në masën “1 kovë” karburant në ditë dhe me adresë zonat rurale skajore të disa rretheve skajore. Por jo vetëm që nuk u penalizua asnjë subjekt importi e tregu “VIP” që fiton çdo vit edhe tendera të shumtë për furnizim të shtetit me karburante, jo vetëm që nuk u penalizua e nuk u përmend asnjë qendër prodhimi e përpunimi nafte koncesionare e huaj që “gatuan” dhe matrikulon prodhim fals, por nuk po vazhdon as kontrolli, ndërkohë që krimi me cilësinë e karburanteve në treg, po vazhdon në mënyrë masive. Po cilat firma e bëjnë? Gazeta “Telegraf” ka tashmë një doje të plotë investigimi të mbushur me vrojtime, verifikime, konfirmime e denoncime të bëra nga “menaxherë” importi e vendi, nga konsumatorë dhe ekspertë të nxjerrjes, prodhimit, përpunimit e tregut të naftës dhe benzinës në Shqipëri, fakte të cilat do tí publikoj në vazhdim. I gjithë ky krim, ka si pasojë këtë “statistikë” tronditëse: “Plumbi” dhe “squfuri” në karburantet që futen, manipulohen dhe shiten në tregun shqiptar, po “vret” çdo ditë 320 mijë makina dhe 1.9 milionë shqiptarë!
Ja çfarë përcakton ligji për standardet dhe abuzuesit me markat dhe logot e firmave të tjera
Sipas VKM Nr. 147, datë 21. 03. 2007, tregtimi i naftës dhe nënprodukteve të naftës bruto nga rafineritë, kryhet vetëm pas certifikimit që bën Inspektorati Shtetëror Teknik e Industrial (ish IQT). Në çdo rast, tregtimi i diezelit “10 ppm” në Shqipëri, duke filluar nga 1 janari 2009, duhet të realizohet vetëm në bazë të standardit në fuqi të BE-së, që është ky: “EN 590”, pavarësisht origjinës së diezelit “10 ppm”, qoftë produkt importi , apo prodhim shqiptar. ka edhe një fakt tjetër: Ligji numër 71, datë 16 janar 2014, që ka bërë ndryshime në Ligjin Nr. 8450, datë 24. 02. 1199, ka përcaktuar kriteret e përdorimit të “Markës” dhe “Logos” për prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e karburanteve. Në nenin nr. 8 të këtij ligji, në pikën nr. 10, përcaktohet kështu: Ndalohen të reklamohen “marka” dhe “logo” në tabela të ndryshme, nga ajo që subjekti është i autorizuar të shes, siç veprohet me ndonjë prej kompanie shqiptare, të importit dhe tregtimit të karburanteve, që lejon të përdoret logoja për të shitur produkt të një firme tjetër, në logon e saj. Skandali qëndron në faktin, që 90% e subjekteve në Shqipëri, vazhdojnë tregtojnë karburante “plehra” vendi e importi, duke përdorur logot dhe markat e kompanie të mëdha e serioze në botë.
( Vijon )
Ja 5 pyetje drejtuar kompanive të importit, përpunimit dhe tregut shqiptar të karburanteve 
1. Cilët janë raportet e kompanive të importit dhe tregut të naftës në Shqipëri me prodhimin që nxjerr kompania “Bankers”? 
2. Çfarë lidhje ka nafta që kompanitë shqiptare “VIP” sjellin nga importi, me “naftën teknologjike” që kompania “Bankers” e importon me “letra” vetëm si lëndë të parë për pompimin e puseve?
3. Çfarë lidhje ka nafta e importuar nga kompanitë shqiptare të karburanteve që hidhet në tregun shqiptar, me naftën që në vendet e origjinës dhe vendet prej nga importohet, përdoret për konsum në sektorin bujqësor, vetëm prej auto-traktorëve?
4. A vijnë “erë” falsiteti letrat e sasisë, standardeve, destinacionit importues dhe zhdoganimit të karburanteve që futen në tregun shqiptar?
5. A janë të “pastra” letrat e procedurave fiskale në lidhje me sasitë e karburanteve që importoni e tregtoni?
Sigal