Prof. Kristaq Kume: Injorimi i kërkesave të qytetarëve për ndryshime në ligje, mungesë e kulturës demokratike në institucione shtetërore

199
Sigal

Rëndësia e implementimit të ndryshimeve të kërkuara nga qytetarët me anë të reformës zgjedhore për të konsoliduar një shoqëri me kulturë demokratike dhe për të siguruar edhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit se vlerësoren si pjesë e rëndësishme e shoqërisë.

Prof. Kristaq Kume

“Ndryshimet në Kod për të pasqyruar rekomandimet e OSBE/ODIHR janë të nevojshme, sepse, nëpërmjet tyre krijohen kushte më të mira dhe më mbështetëse për zhvillimin e një procesi zgjedhor që plotëson standartet e gjithë pranuara.”

Zhvillimi i zgjedhjeve vendore do të ketë sfidat e tij duke parë një punë pa rezultat të deritanishëm nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore. Gazeta “Telegraf” ka zhvilluar një intervistë me konstitucionalistin, Kristaq Kume ndërsa kemi bërë një panoramë të situatës që pritet të shohim me zgjedhjet vendore. Një pikë kryesore është edhe vota e emigrantëve pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur që organet kompetente duhet të sigurojnë kushtet për t’i garantuar mundësinë emigrantëve të votojnë të lirë.

Mazhoranca nuk ka pranuar asnjë nga kërkesat për ndryshime në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e 14 Majit. Si e shihni ju këtë zhvillim, a do të ketë pengesë për të pasur një palë zgjedhje në standardet e kërkuara nga OSBE ODIHR?

Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore nuk e ka përfunduar akoma punën e tij, ndaj nuk është koha për të thënë se zgjedhjet e ardhshme për organet e pushtetit vendor do të zhvillohen me Kodin Zgjedhor aktual, pa u bërë asnjë ndryshim në të.  Në seancën e fundit të punës së këtij Komisioni , tre deputete të opozitës paraqitën propozimet e tyre për ndryshime që mund të bëhen në Kodin Zgjedhor. Sipas tyre, duke ju referuar edhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR, në Kod duhet të ndërhyhet në dispozitat që trajtojnë çështje të përdorimit të aseteve publike në zgjedhje, financimin e fushatës zgjedhore, vendin dhe rolin e medias në zgjedhje. Pjesë e propozimit të tyre është votimi për anëtarët e këshillave bashkiakë me lista të hapura. Qëndrimi i mazhorancës ndaj këtyre propozimeve në linjat kryesore ishte jo mbështetës. Përfaqësuesit e mazhorancës u kujdesën që të mos deklaroheshin hapur kundër këtyre propozimeve. Ata kërkuan që për to të merrej paraprakisht mendimi i ekspertëve të ODIHR. Këtë gjë nuk e pranuan deputetët propozues të opozitës. Sipas tyre mazhoranca nuk ishte e gatshme dhe e motivuar për të bërë ndryshime në Kod dhe vetëm kërkonte të shtynte kohën deri në kufijtë kur ndryshimet e propozuara nuk do të mund të bëheshin si pasojës e pamundësisë për zbatimin e tyre për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor. Propozimin për lista të hapura mazhoranca nuk e kundërshtoi, por kërkoi që ekspertët e angazhuar në këtë komisionin, të sqarojnë faktin nëse ky propozim ishte në pajtim me Kushtetutën e vendit dhe se cilat do të ishin problemet që mund të sillte zbatimi në praktikë i kësaj hapje, në veçanti si do të ndikonte hapja e listës në organizimin e fletës se votimit dhe në procesin e votimit.

“Mos reagimi sipas pritshmërive i Kuvendit ndaj kërkesave të qytetarëve të paraqitura nëpërmjet peticioneve është një indicator, që identifikon një problem të rëndësishëm dhe një mangësi të ndjeshme në kulturën dhe sjelljen tonë, mundësive që ofron demokracia me pjesëmarrje në mirëqeverisjen e vendit.”

Nevoja për rregullime ligjore në Kodin Zgjedhor, duke synuar që nëpërmjet tyre të pasqyrohen në këtë Kod rekomandimet e OSBE/ODIHR, është e pranuar nga të gjithë. Në të njëtën kohë ky është edhe një detyrim moral i shtetit dhe shoqërise tonë, si firmëtar të Kartës së Stambollit të OSBE, sipas të cilës vendet nënshkruese të saj, kanë pranuar dhe kanë marrë përsipër që në legjislacionin e tyre të pasqyrojnë përherë këto rekomandime. Bashkë me këtë, nevojë për të rishikuar dhe për të ndryshuar mënyrën e votimit për këshilltarët bashkiakë, duke ju krijuar mundësi zgjedhësve të votojnë, me votën parapëlqyese, për kandidatin që duan t`i përfaqësojë në këtë Këshill, tashmë është e artikuluar si kërkesë e qytetarëve. Siç dihet, duke u mbështetur te Kushtetuta, më shumë se 22,600 zgjedhës kanë depozituar ne Kuvendin e Shqipërisë projekt ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”. Projekt ligji ka hyrë në procedura parlamentare për shqyrtim dhe miratim.

Ndryshimet në Kod për të pasqyruar rekomandimet e OSBE/ODIHR janë të nevojshme, sepse, nëpërmjet tyre krijohen kushte më të mira dhe më mbështetëse për zhvillimin e një procesi zgjedhor që plotëson standartet e gjithë pranuara. Miratimi i ndryshimit të propozuar nga zgjedhësit është një moment shumë i rëndësishëm në zhvillimin e legjislacionit zgjedhor shqiptar, i cili do të sjellë efekte të rëndësishme në funksionim më efektiv të demokracisë përfaqësuese në pushtetin vendor në vendin tonë.

Në bazë të një raporti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Parlamenti shqiptar nga 5 kërkesa dhe peticione drejtuar atij, për çështje të ndryshme ka marrë parasysh vetëm një. Çfarë tregon kjo për kërkesën që ju i drejtuat si Shoqëri Civile përsa i përket zgjedhjes së anëtarëve të Këshillave Bashkiakë, fakti që është në fazën që ka kaluar në Kuvend, a ka ende dritë në fund të tunelit për miratimin e kësaj nisme?

“Ndërkohë është shumë e rëndësishme të theksohet se, për të bërë të mundur realizimin e një procesi votimi nga jashtë territorit të vendit, të pranueshëm, të pakontestueshëm dhe në përputhje me rekomandimet dhe përvojat ndërkombëtare, është e domosdoshme që klasa politike, Kuvendi i Shqipërisë të angazhohet dhe t`ju japë përgjigje konkrete disa çështjeve shumë të rëndësishme, që lidhen me këtë mënyrë votimi.”

Mos reagimi sipas pritshmërive i Kuvendit ndaj kërkesave të qytetarëve të paraqitura nëpërmjet peticioneve është një indikator që identifikon një problem të rëndësishëm dhe një mangësi të ndjeshme në kulturën dhe sjelljen tonë, mundësive, që ofron demokracia me pjesëmarrje në mirëqeverisjen e vendit. Ky reagim, në përgjithësi i munguar, tregon që si shoqëri, në përgjithësi dhe si klasë politike në veçanti ne kemi probleme në mënyrën se si e ushtrojmë demokracinë në qeverisjen e punëve tona. Ndaj dhe çdo kontribut që mund të jepet, si është edhe rasti i studimit të realizuar nga KSHH, jo vetëm që janë të mirëpritur, por, në të njëjtën kohë duhet edhe të përdoret për organizimin dhe zhvillimin e përpjekjeve, që synojnë rritjen e kapaciteteve në shoqërinë tonë për mirëfunksionimin e demokracisë me pjesëmarrjen direkte të qytetarëve. Peticioni dhe nisma ligjvënëse qytetare janë dy nga rrugët dhe instrumentat e rëndësishëm, që mund të përdorin qytetartët për të realizuar pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje dhe ligjbërje, në nivel qendore dhe lokal. Të dy këto instrumenta janë te trajtuara në kuadin tonë legjislativ.  Ndërkohë duhet të theksohet se vendi që i është kushtuar nismën ligjvënëse qytetare është dukshëm më i madh. Kjo është rrjedhojë e faktit se edhe vlera që ka produkti, që mund të realizohet nëpërmjet një nisme ligjvënëse qytetare është shumë e madhe se sa ajo e një peticioni. Për rrjedhojë edhe reagimi ndaj një nisme të tillë nuk mund të vlerësohet dhe të paragjykohet duke ju referuar reagimeve ndaj peticioneve. Kuvendi i Shqipërisë e ka të pamundur që të anashkalojë një nismë të tillë ligjvënëse pse, në të kundërtën Kuvendi do të shkelë, në mënyrë brutale, Kushtetutën. Dhe një shkelje e tillë në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk mund të anashkalohet. Një qëndrim i tillë i Kuvendit, nëse ndodh, me patjetër do të gjenerojë reagimin institucional të qytetarëve, të cilët të mbështetur nga Kushteuta, nëpërmjet kësaj nisme, kanë ushtruar të drejtën ligjvënëse të tyre. Procesi nuk mund të mbyllet nëpërmjet një vendimmarrje për mos trajtim në seancë plenare të kësaj nisme. Ndryshe çështja do të kërkohet të gjykohet dhe të vlerësohet prej Gjykatës Kushtetuese. Unë kam bindjen e plotë se kërkesa dhe nisma ligjvënëse qytetare nuk mund të anashkalohet dhe as nuk mund të trajtohet si trajtohen propozimet që mund të bëhen nga deputetë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, diksutimet për të cilat si rregull, janë të mbingaruara me qëndrime politike të palëve.

Si e shihni përpjekjen për të siguruar votën e emigrantëve meqenëse edhe Gjykata Kushtetuese tashmë ka dhënë një vendim në të cilin ka bërë të qartë se duhet të merren të gjitha masat për të siguruar për emigrantët të drejtën e votës, teksa vlen të shtoj se Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të lartë të diasporës në Europë?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, shtuar kësaj edhe qëndrimin e shprehur, mbështetës dhe pozitiv, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për votimin nga jashtë territorit të vendit, janë dy faktorë mbështetës, që nxitën optimizmin se, në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, emigrantët shqiptarë do të kenë mundësi të votojnë nga jashtë territorit të vendit, pa qenë e nevojshme të paraqiten fizikisht në qendrën e votimit ku kanë të rregjistruar emrin e tyre në listën e zgjedhësve. Ndërkohë është shumë e rëndësishme të theksohet se, për të bërë të mundur realizimin e një procesi votimi nga jashtë territorit të vendit, të pranueshëm, të pakontestueshëm dhe në përputhje me rekomandimet dhe përvojat ndërkombëtare, është e domosdoshme që klasa politike, Kuvendi i Shqipërisë të angazhohet dhe t`ju japë përgjigje konkrete disa çështjeve shumë të rëndësishme që lidhen me këtë mënyrë votimi. Vetëm Kuvendi, nëpërmjet një procesi vendimmarrje konsensual mund të zgjidhë problemin për mënyrën se si duhet të votohet nga jashtë territorit të vendit, vetëm mbi bazën e një vendimi të tillë konsensual mund të përcaktohet në Kodin Zgjedhor mënyra se si do të administrohet vota e emigrantëve për t`u konvertuar në mandat deputeti. Ndryshe, nëse këto zgjidhje kërkohet që për to të marrë vendim KQZ, unë e shoh të vështirë realizimin e kësaj mënyre votimi për emigrantët tanë në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë.

“Një zvarritje e tillë nuk ka për të shkaktuar mospjesëmarrje në zgjedhje të partive të opozitës. Zvarritja e vështirëson garën e tyre elektorale.”

Përsa i përket zvarritjes së procesit gjyqësor për vulën e Partisë Demokratike, çfarë do të thotë kjo në lidhje me opozitën, e cila deri më tani ka bojkotuar zgjedhjet a do të krijojë pengesa për pjesëmarrjen në zgjedhje?

Është e thjeshtë përgjigja për këtë pyetje nëse mbajmë parasysh se kush përfiton më shumë nga një zvarritje e tillë. Kjo zvarritje nuk është në interes të votuesve të opozitës ose të atyre që mendojnë se shpërndarja e pushtetit midis partive të opozitës dhe të mazhorancës është shumë më mirë dhe më shumë efektive për mirëveqerisjen lokale. Ndërkohë, referuar pyetjes tuaj mund të theksoj se një zvarritje e tillë nuk ka për të shkaktuar mospjesëmarrje në zgjedhje të partive të opozitës. Zvarritja e vështirëson garën e tyre elektorale.

Duke marrë parasysh që edhe në Primare PD nuk arriti të kishte përfaqësues për të gjitha bashkitë në vend a do të ketë përsëritje të zgjedhjeve pa mundësi për të zgjedhur, pra vetëm më një kandidat nga ana e mazhorancës?

Primaret ishin një process, i cili synoi që të krijojë një përvojë të re në sjelljen politike dhe në ushtrimin e demokracisë së brendshme te partitë politike. Si i tillë, pavarësisht nga problemet që e shoqëruan, probleme të cilat unë besoj se nuk mund të shërbejnë ose të përdoren për t`ju kundërvënë një procesi të tillë dhe për t`i mbyllur derën zhvillimit të tij në të ardhmen. Primare duhet të pranohen si një process, që përcaktoi një rrugë efektive në të cilën duhet të ecin partitë politike, nëse duan të funksionojnë dhe të zhvillohen si bashkime vullnetare e demokratike. Rezultate konkrete të primareve të zhvilluara kanë përcaktuar kandidatët me të cilët do të garojë Partia Demokratike, grupi i rithemelimit, së bashku me Partinë e Lirisë, si dy subjekte politike që e kanë të formalizuar bashkëpunimin në kuadër të garës elektorale për zgjedhjen e organeve të qeversijes vendore.