Prof. Ermelinda Meksi:Euroskeptikët, problemet e BE-së dhe Shqipëria

517
Sigal

 INTERVISTA/ Flet Prof. Ermelinda Meksi: “Pas spekulimeve për Brexit dhe fjalimi i David Cameron”

Një fjalim i Kryeministrit britanik David Cameron për Europën e Bashkuar, mbajtur në Londër më 23 janar ka bërë shumë bujë jo vetëm në BE, por edhe më gjerë. Megjithëse, sikurse dihet Britania nuk është në Eurozonë dhe as në zonën Shengen, një dalje e mundshme e kësaj superfuqie, do të trondiste rëndshëm ekuilibrat. Mjafton të përmendim faktin se fjalimi i Kryeministrit Cameron u pasua me një zhvlerësim të paundit britanik. Por sa gjasa ka të ndodhë kjo dhe çfarë ndikimi do të ketë? Po për integrimin e Shqipërisë në BE çfarë pasojash do të ketë? Për këto ne iu drejtuam Prof. Ermelinda Meksit, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e cila e trajton në detaje në të gjitha aspektet këtë fjalim dhe perspektivën e Britanisë në BE.

 – Prof. Meksi, cilat janë çështjet kryesore të fjalimit të Kryeministrit britanik më 23 janar dhe si është pritur ai?

– Në këtë fjalë pas shumë spekulimeve mbi Brexit ose një dalje të Britanisë së Madhe nga BE, shpaloset vizioni i Kryeministrit britanik David Cameron për Evropën, ku ai shprehet për “një BE të dedikuar për tregti të lirë dhe ekonomi konkurruese që ndihmon biznesin në vend dhe një Union më pak burokratik… BE ka nevojë për një bashkëpunim intensiv midis vendeve të saj në çështje si lufta ndaj terrorizmit, por duhet gjithashtu që ato vendimet të cilat ndikojnë tek njerëzit e një vendi duhet të merren nga qeveria e atij vendi… dhe se klubi i vendeve anëtare duhet të përfshijë Britaninë”. Por, Cameron, për të realizuar vizionin e tij, synon të rinegociojë marrëdhëniet e Britanisë me BE dhe me pas të vendoset me referendum  mbi qendrimin apo largimin e Britanisë nga BE, referendum për të cilin do të votohet në gjysmën e parë të parlamentit të ardhshëm- midis vitit 2015- 2017.

Kritikët e këtij qëndrimi janë kundër që çdo vend të specifikojë kushte individuale të anëtarësisë në BE. Ndërsa është pritur ftohtë nga shumica e partnerëve europianë, të cilët, për t’i bërë ballë krizës në Eurozonë, janë shprehur për nevojën e thellimit të integrimit ekonomik të BE, ky fjalim është vlerësuar si një mundësi  për të bashkuar konservatorët të përçarë nga euroskeptikët, numri i të cilëve në këtë parti ka ardhur në rritje.

– Cilat janë, sipas jush, arsyet e këtij qëndrimi të Kryeministrit britanik?

– Problemet e krijuara nga kriza në Eurozonë, kanë inkurajuar euroskeptikët në Partinë Konservatore dhe në Britani, një vend euroskeptik i BE, si një mundësi që Britania të lirojë lidhjet me BE-në. Referendumi është një kartë politike e Kryeministrit Cameron për të dekurajuar euroskeptikët si brenda partisë së tij dhe në Britaninë e Madhe, me synim që konservatorët të kenë shumicën në zgjedhjet e ardhshme.

Por, përveç arsyeve politike të Kryeministrit britanik, referendumi është i nevojshëm  për të zgjidhur çështjen e marrëdhënieve të vështira të Britanisë me Europën. Ato u shfaqën sidomos me refuzimin që Kryeministri Cameron i bëri kompaktit fiskal në dhjetorin e 2011-s.

– Pse nuk mbahet së afërmi referendumi, por është lënë, sipas David Cameron, pas 5 vjetësh?

– Kryeministri britanik  pranon se nuk është koha e duhur që ky referendum të mbahet aktualisht, mbasi e ardhmja e BE-së akoma është shumë e mjegullt. Prandaj propozon që në rast fitoreje të konservatorëve, referendumi të mbahet në gjysmën e parë të parlamentit të ardhshëm. Deri atëherë, mendohet që shumë zhvillime të jenë me të qarta. Ndërkaq, ai do  të kishte kohën e duhur për të rinegociuar marrëdhëniet e vendit të tij me BE-në. Ai ka lënë të paqartë atë që shpreson të arrijë në një rinegociim, duke fituar kohë që të përcaktojë se çfarë do të konsideronte sukses në këto negociatat, me qëllim që të mund t’u paraqesë votuesve britanikë një marrëveshje të re që mund ta paraqiste si triumf.

– Cilat do ishin pasojat e referendumit për Britaninë e Madhe?

Theksoj se perspektiva e një referendumi, është e paqartë, sikurse edhe shanset e konservatorëve për të fituar zgjedhjet e ardhshme më 2015. Por një referendum i mundshëm, në rast fitoreje të konservatorëve, i cili do të kryhej pas 5 vjetësh, mund të shoqërohej me disa rrisqe.

Së pari: Do ketë pasoja për ekonominë e vendit i cili po vuan pasojat e rënies së ekonomisë, vlera e paundit britanik reflektoi menjëherë me zhvlerësim këtë fjalim. Biznesi britanik ka shfaqur shqetësime nga perspektiva e largimit të Britanisë nga BE, që mund të rezultojë në një katastrofë ekonomike, pasi 50 për qind e eksporteve britanike shkojnë në vendet e BE-së. Një largim i mundshëm nga BE mund të dekurajojë kompanitë shumëkombëshe të investojnë në Britani.

Së dyti: Periudha pas pesë vjetësh  megjithëse duket e gjatë, nuk duket e mjaftueshme për zgjidhjen e  të ardhmes në Eurozonë. Prandaj është e vështirë që në mesin e periudhës së parlamentit të ardhshëm, britanikët të jenë të qartë nëse do votojnë për të qëndruar apo jo në BE.

Së treti: Negociatat mund të mos shkojnë mirë. Shumë udhëheqës evropianë mendojnë se Britania është drejt  daljes nga BE, sepse më shumë se për shëndetin e projektit europian sheh ngushtë interesat e saj. Ajo nuk është as në Eurozonë dhe as në zonën Shengen dhe vullneti për të arritur një marrëveshje me të nuk është i qartë. Në këto kushte, pasojat e një negociate në disfavor të Britanisë mund të ishte një rast për të goditur qeverinë dhe për ta larguar vendin nga BE.

Si përfundim, në rast referendumi, rreziqet për të ardhmen e Britanisë në BE janë të konsiderueshme nëse vendet e BE dhe veçanërisht Gjermania, nuk do t’i ofronin Britanisë së Madhe më shumë hapësira për rinegocimin, për të marrë mbështetjen në referendum. Gjermania e drejtuar nga A. Merkel, ka deklaruar vlerësimin për Britaninë si një aleate  liberale, si për çështjet e buxhetit të BE, ashtu dhe për Bashkimin bankar, duke qenë e përgatitur të bëjë lëshime Britanisë në rinegociim.

Sondazhet tregojnë se, sadoqë britanikët ankohen ndaj Brukselit, ata nuk janë të vendosur të largohen prej tij. Opinioni britanik është i balancuar në qëndrimin për të qëndruar apo jo në BE. Koha do tregojë nëse me këtë propozim Cameron do arrijë ose jo fitoren politike ndaj kundërshtarëve dhe me tej…

– Tani edhe një pyetje, sado që duket pa lidhje me thelbin e kësaj interviste: Çfarë mund të na thoni për integrimin e Shqipërisë në këtë kontekst europian?

– Pyetje me vend. Pavarësisht se gjesti britanik duket i largët për Shqipërinë, pasi ne nuk jemi vend anëtar i BE-së, po meqë aspirojmë hyrjen në BE, është me interes të dimë se cila është perspektiva e Shqipërisë në këto kushte. Rritja e euroskeptikëve si dhe problemet që vetë Europa e Bashkuar po kalon si pasojë e krizës, duhet të na ndërgjegjësojnë se ne nuk jemi siç do të dëshironim në qendër të vëmendjes së saj. Por angazhimi tashmë i përsëritur i saj ndaj zgjerimit të vendeve të rajonit tonë është një avantazh për ne që kërkon megjithatë të plotësohen të gjitha rekomandimet e bëra sipas standardeve që kërkon procesi i integrimit europian për të marrë statusin kandidat.  Kriza në eurozonë ka nxjerrë në pah nevojën për konsolidimin e integrimit politik dhe ekonomik në vetë vendet e BE-së, të cilat janë angazhuar në një udhërrëfyes reformash integruese në vendet e tyre, që kërkojnë një harmonizim të politikave fiskale, politikës së taksave, si dhe reformës sociale të mirëqenies, të cilat janë udhërrëfyes që na tregojnë rrugën që duhet ndjekur në të ardhmen për të qenë pjesë e BE-së.

– Ju faleminderit!