INTERVISTA/Majlinda Keta: “Është Kryesia dhe Asambleja e PS-së, me një përbërje dhe protagonizëm që vetëm socialiste nuk është”
Majlinda Keta, një nga personalitetet e PS-së, në intervistën për “Telegraf”, i bën thirrje deputetëve të PS-së që të votojnë 3 ligjet, që të lindë e drejta për PS-në, që t’i kërkojnë shqiptarëve votën si alternativë integruese. Zonja Keta pohon dallimet e Ramës Kryetari i Bashkisë me Ramën Kryetar i PS-së, duke theksuar se, “Mjaft”-ët nuk përbëjnë historinë e PS-së.
– Zonja Keta, ky konfliktualitet deri në 23 Qershor do të shtohet, apo palët politike do të ndërgjegjësohen përpara përgjegjësisë që kanë?
– Komisioneri Fyle u shpreh edhe një herë për një shans “jashtë radhe” për Shqipërinë këtë pranverë në raport me statusin. Sigurisht, kjo pritej pas “vizitës së tejbërë” nga Trojka në Tiranë, drejt zyrës së Ramës. Pra, Brukseli dhe Tirana e Ambasadorëve Fuqiplotë, si në asnjë vend të botës besoj, Arvizu – Sequi – Wolfarth në sinkron japin Objektivin me një drejtim, atë të kalimit të PS-së në përgjegjësi politike dhe largimin e saj nga konfliktualiteti deri në bllokim. Pas asaj vizite, si gjithmonë, por për mua deri në neveritje, vijuan frazat mbi takimin frutdhënës dhe konstruktiv. Një gjë u fitua. Rama nuk përsëriti më Fierin dhe si në çdo “humbje” ekzistence të shkakut për bllokimin, deri në atë moment, vijon të shesë për ne, votuesit e majtë, anarkinë në ideologjinë dhe praktikën që e udhëheq për Integrimin e vendit.
– Trojka i kërkon Ramës të votojë me çdo kusht 3 ligjet. Ia vlen, që PS-ja të ndryshojë politikën?
– Unë them se Rama ka shansin e fundit për të mbajtur votuesin e majtë pas vetes, përmes daljes së Grupit Parlamentar pro votimit të 3 ligjeve famëmëdha. Në të kundërt, do t’i jepte shans rivitalizimit të pushtetit të lodhur të Berishës, me të drejtën për të na kërkuar sërish, që t’i votojmë si qeverisës. Kjo nuk duhet të ndodhë për shumë arsye, por për mua Njëshi është mbi të gjitha, nëse PS-ja humb sërish zgjedhjet, nuk shtrohet më problemi, a do të rrijë Rama Kryetar, por do të duhet të ngremë hipotezën “A do të ketë më anëtarësi dhe mbështetës të PS-së?”, në pyetjen “Nga humbja në humbje, por Kryetari dhe rrethi i tij më këmbë”?. Më duket një e keqe e madhe për demokracinë dhe për të majtën shqiptare kjo situatë hipotetike absurde”. Përtej Ramës, do t’i kërkoja Grupit Parlamentar Socialist “Votoni ato 3 ligje, pas të cilave na lind të gjithëve ne të majtëve e drejta për t’i kërkuar shqiptarëve të na votojnë si alternative fituese për 2013-n. Kjo, pasi bëmë detyrën dhe ushtruam përgjegjësinë që kemi nda integrimit europian. Votues të respektuar, votoni PS-në, si gjeneratori që do të përshpejtojë fazat e tjera drejt anëtarësimit në BE.
– Sa bindëse është PS-ja se mund të ofruar ritme më të shpejta të integrimit?
– Po shoh që lidershipi sikur po vazhdon të mundësojë rrjedhjen e votave historike të PS-së drejt të tjerëve më sfidantë. Objekt bisede shqetësimi janë bërë e-mail-e dhe ftesa qesharake, në përmbajtje dhe gjuhë të përdorur, që dalin nga stafi afër Ramës, ekspertët të fushës së arsimit, barazisë gjinore, rendit…Për turp!..Rama i quan të tillë, si ekspertë, veçse nuk mund të jenë të tillë, që në momentin që priren të përjashtojnë të aftët dhe personalitetet, me kriterin e vetëm, janë apo nuk janë Pro Ramës Kryetar, edhe pse ata janë shumë herë më socialistë se të zgjedhurit e Kryetarit të PS-së. I kujtoj Ramës dhe servilëve të tij, se në 2005-n, në Ditën e PS-së për Arsimin, Energjetikën…..në sallat tona të hapura për debat kanë qenë pjesëmarrës edhe të djathtë. Nuk mund të shkosh në fushatë ku kërkon maksimizim vote, duke përjashtuar personalitetet që gëzojnë reputacion, sikurse vepron Rama, i cili, vetë, personalisht, duhet të reflektojë dhe të jetë ai ftuesi i personaliteteve që e largoi me frymën e mënyrën se si drejtoi 7 vite, por që për PS-në dhe kushdo duhet të kontribuojnë me cilësitë dhe integritetin moral që kanë. Do dua të ndaj me ju një ndodhi në Facebook me një anëtar REFRESH (22 vjeç) ku në mes të komunikimit për cilësitë në fusha me të cilat PS-ja vjen në pushtet, më shkruan: “ Pse je ti më shumë socialiste se O. Xh, pse është A.M më socialist se E. V, pse është R.S më socialiste L. Sh apo E.H se E.Gj……”. Kishte të drejtë djali student REFRESH, pasi ai nuk e njeh dhe nuk i ka folur njeri për FRESSH-in e PS-së dhe e këshillova që të mësonte se historia e PS-së nuk fillon e mbaron me MJAFT-in e 2005-s që arriti të bindë votën e shqiptarëve se, PS-ja dhe korrupsioni ishin sinonim të njëri -tjetrit. Djali ka qenë i vogël, kur në fushatën e 2005-s ishte krativiteti politik i “Mjaft”-it shumë herë më sfidant se ai i vetë PD-së. Djali nuk e ka parë përjetimin se ç’do të thoje të shkoje tek FEVZO në debat me në krah një kandidat për deputet që KOP-i dhe PD-ja me ndihmën e MJAFT-it ja bënte skanerin e korrupsionit me emër, atësi dhe shifra. Gjithsesi, djali ka të drejtë të shprehet, por uroj të mos bëhet kamikaz politik.
Mesazhet në një fushatë fituese duhen bashkëngjitur me programin e moralin e forcës politike, po aq sa me ekspertizën dhe moralin publik të folësve kërkues të votës së shqiptarëve. Deri tani, PS-ja ka shumë fjalë e pak moral, ku i dyti do të jetë një shënjestër plot produkt e kundërshtarit politik. Me sa e lexoj pas 7 vjetësh, Berisha nuk i çoi para drejtësisë korrupsionistët në pushtet para 2005-s, pasi e besoi se ajo do të ishte rruga me të cilën do të dobësonte gjigandin politik, PS-në, (para 2005), konkurrentin më të fuqishëm të PD-së dhe do e kishte më të lehtë çdo lloj fitoreje. Kjo është një metamorfozë shumë degraduese.
– A ka njerëz në PS që janë të mirëbesuar të Edi Ramës, por mund të kryejnë veprimtari me qëllime të kundërta me interesat e socialistëve?
– Rama i Kryetarit të PS-së, është shumë larg Ramës së Kryetarit të Bashkisë në orientimin drejt ekipit ekspertizë. Rama i Kryetarit të PS-së, ka klonuar mrekullisht (deri në dalje të listës së deputetëve) udhëheqjen e MJAFT-it para 2005-së dhe ato që ky MJAFT -i quante “ministrat korrupsionistë të qeverisë ‘Nano” me pak kontorno militanteske “Rroftë e qoftë Rama!”. Është Kryesia dhe Asambleja me një përbërje dhe protagonizëm që vetëm socialiste nuk është. Në fakt dhe unë i referohem Socialistëve Socialistë jo atyre “Përtej të Majtës dhe të Djathtës”. Rama do kishte bërë RISI POLITIKE në se krijonte një parti të re të vetën dhe të mbështetësve të tij më shumë se degradoi PS-në në bashkësi njerëzish që shajnë Kryetarin nga mëngjesi në darkë si ilegalë, kafeneve në takime të ngushta, që telefonojnë për t’u angazhuar në Lëvizje me protagonistë të tjerë……. (kjo dhe për ato që po presin të jenë në Listën e tij), duke mos patur guximin për të përdorur Forumet ku janë apo bëjnë jetën politike. Kjo është një mënyrë shumë e ulët e përdorimit të Partisë Politike në Demokraci nga klane dhe lidershipi. Kjo është kërcënuese për demokracinë shqiptare, që e ritheksoj edhe një herë duhet të largohet nga Merkato Deputetësh për qeverisje pa moral, po aq sa Partitë duhet të largojnë nga protagonizmi individë me CV politike në 3, 4, 5, 6 parti në fushëbesime diametralisht të kundërta. Individët e mësipërm pa moral politik e publik, ish-qeveritarët e para 2005-së të akuzuar publikisht për korrupsion e që PS-ja i duket bunker anti-drejtësi, po aq sa janë “peng” edhe nga vetë loja politike e Berishës, që i nxjerr si “AS” nën mëngë, sa herë i duhen për të fituar, nuk duhet të jenë më në Listën e Kryetarit, pasi rriskojnë atë dhe PS-në. Nga ana tjetër, ka shpërthyer një nepotizëm i tmerrshëm në struktura që do të ishte shumë e rrezikshme për një Qeverisje prej tyre e kjo nuk mund të jetë alternativë socialiste për fitore. Ne po e shohim nepotizmin e së djathtës qeverisëse se çfarë po prodhon shqiptarëve. Pavarësisht ngjyrave politike, nepotizmi është premisë për korrupsion. Kjo është një situatë që do shfrytëzohet mjeshtërisht nga kundërshtarët politik, po aq sa dhe votuesi lexon. Kjo është si të ideosh humbjen e socialistëve jo fitoren e tyre. Të fundmin grup të rrezikshëm brenda socialistëve, po antisocialist në produkt, quaj ato që abuzojnë me parulla motoelektorale “Rama Kryeministër” ! Ato poshtërojnë, mohojnë nevojën që ky vend ka për të kapur me VOTË sfidën se e majta europianiste është ajo që mund të ofrojnë ritme më të shpejta të integrimit, kur e kthejnë me objektiv pushtetin e realizuar të Ramës. Këto vetë Rama duhet t’i largojë dhe të shprehet publikisht se distancohet nga ato. Ai tashmë është në koalicion me 26 aleatë, a e ka shtruar këtë objektiv me to? Këto elementë të shpejtë të vëzhguar nga sjelljet afër Ramës them se i bëjnë dëm socialistëve europianistë për të ardhur në pushtet. Ka kohë dhe ka potenciale që këto pika kritike të mund të ndreqen urgjentisht për fushatë fitoreje e jo humbje të radhës.
– Faleminderit!