Intervistë/ Sulmi ndaj kreut të PD, Z.Sali Berisha, dëmi që i është shkaktuar vlerave demokratike në vend. Samiti si një mënyrë e BE për të shlyer borxhin ndaj Shqipërisë.
BE-ja ishte shumë e qartë në mesazhet e saj. Prioritare mbetet orientimi perëndimor dhe plotësimi i standardeve europiane për funksionimin e drejtësisë.
Samiti i Bashkimit Europian është konsideruar si ngjarje historike. Prof. Elmaz Sherifi, ish ministër i Partisë Socialiste, ky samit përmbante një mision të Europianëve, atë të shlyerjes së një borxhi ndaj shqiptarëve. Sherifi komenton se sulmi ndaj liderit të opozitës veçanërisht në protestën e zhvilluar në të njëjtën ditë kur u mbajt Samiti ishte një ngjarje e shëmtuar kriminale.
Si e shihni eskalimin e ngjarjeve në protestën e 6 Dhjetorit të PD? A ishte sulmi ndaj Sali Berishës një sulm me prapavijë të pastër politike?
Goditja publikisht e z. Berisha ditën e protestës, kur udhëheqësit e BE-së dhe kryetarë të shteteve e kryeministra të vendeve anëtare të BE-së e të BP ishin të pranishëm në Samitin e Tiranës, ishte shfaqja më e shëmtuar kriminale, e cila ndikoi për ta zbehur edhe eventin e jashtëzakonshëm, që simbolikisht e shndërroi për disa orë Tiranën në Bruksel. Sulmit brutal të një personi problematik, politikisht, mund t’i vendosësh epitete, por, mendoj se vlerësimi i veprës penale duhet të bëhet juridikisht, madje, pa u nxituar, sepse, ngutja dhe pasioni politik, mund të jetë shkak për të mos mbërritur te e vërteta objektive dhe mund të “mbulohet” një vepër penale që ka “organizator” subjekte të tjera, të cilëve nuk u ka pëlqyer që më 6 Dhjetor u bë Tirana e jo një kryeqytet tjetër i Ballkanit Perëndimor “Kryeqytet i Europës”.
Ju më herët i keni bërë thirrje edhe deputetëve të PS që të mbrojnë demokracinë nga deformimi. Çfarë do të thotë sulmi ndaj liderit të opozitës? A është ky një deformim i thellë i vlerave demokratike në vend?
Sulmin e bërë në një protestë paqësore e dënuan të gjithë personat e përgjegjshëm, pasi ai e dëmton imazhin e Shqipërisë, qeverisja e së cilës është e deformuar dhe e vlerësuar si problematike nga shumë raporte të institucioneve ndërkombëtare, që i monitorojnë standardet e qeverisjes. Do ishte mirë që edhe deputetët e PS ta denonconin aktin e shëmtuar.
A mendoni se dhuna e ushtruar është një paralajmërim për opozitën për fatin e zgjedhjeve të ardhshme dhe se opozita duhet të nisë protestat për të kundërshtuar të shkuarit në zgjedhje me një kryeministër si Rama, që është përgjegjës për rendin dhe sigurinë në vend?
Opozita parlamentare ka qenë e përfshirë në protesta duke pretenduar se pasardhësja do të jetë “më e madhja në histori”. Kështu u pretendua edhe për protestën e 6 Dhjetor-it, por ajo rezultoi më e vogël se çdo protestë.
Si e patë samitin e Bashkimit Europian në Shqipëri: Rama u tregua jashtë normales i ‘sjellshëm’ me ndërkombëtarët, ndërsa përfaqësuesit e BE nuk i kursyen kritikat për vendin dhe reformat?
Samiti i mbajtur në Tiranë ishte ngjarja më e madhe politike që në një farë mënyre Europa u riktheu shqiptarëve borxhin e krijuar në shekuj. Sipas meje ajo nuk ishte mbështetje politike për ndonjë faktor politik, por “shpërblim politik” për orientimin europiano perëndimor e euroatlantik të shqiptarëve, dhe një “grusht politik” ndaj faktorëve që dëshirojnë e punojnë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe që shikojnë si aleat strategjik orientimin nga lindja. Kryeministri Rama që ka qenë shumë kritik ndaj BE-së, befasisht u shfaq si përulës, jo vetëm me gjeste në pritjen protokollare, por si u shpreh ishte gati të “jepte edhe jetën” për liderët e BE, të cilët sikur të ishte ateistë e jo katolik si ka deklaruar, i quajti “perëndi”. Por nuk mjaftoi asnjë ditë e ai nga Brukseli e vlerësoi Jugosllavinë e Titos, më të mirë se Europa e Bashkuar dhe pas Brukselit vazhdoi vizitat në Azerbaxhan e Turqi. Me një fjalë si u shpreh edhe Abazoviç, Rama është mjeshtër i eventeve, pra, mjeshtër i spektakleve, të cilat i përdor me mjeshtëri për të fshehur thelbin, përmbajtjen e realitetit në Shqipëri dhe të deklaratave të gabuara. Shqiptarët e duan BE-në që të rrisin mirëqenien dhe standardet demokratike të qeverisjes. Rama pretendon se Europa ka nevojë për Shqipërinë, madje ua thotë edhe në Bruksel se Shqipëria do që të ketë bashkëjetesë me BE-në e jo integrim institutional, që e analizuar me sy kritikë, ashtu si edhe bashkëjetesa, mund të prishet, nëse bezdiset me kërkesa të forta e serioze për plotësimin e standardeve europiane kushtetuese dhe institucionale të shtetit të së drejtës.
Samiti la edhe detyra shtëpie për Shqipërinë ku vuri theksin edhe njëherë te sistemi i ri i drejtësisë, i cili duket se ka ngjallur shumë shqetësim për mënyrën e implementimit, si e shihni ju këtë zhvillim? A është e zhgënjyer BE nga puna e bërë në Shqipëri?
Kryetarja e Komisionit Europian deklaroi se për BP do të ofrohen 1 miliard euro. Por ato do të fitohen nga shtetet që do përgatisin projekte serioze. Shqipëria është vendi më i prapambetur në përgatitjen e tyre, prandaj potencialisht mund të fitojë më pak fonde. Në vend të deklaratave me humorin tipik ballkanik qeveria duhet që të merret me plotësimin e kushteve ligjore e të mos ndikojë mbi drejtësinë dhe të zbatojë detyrimet e pushtetit ekzekutiv duke përfshirë specialistët më me përvojë në përgatitjen e projekteve që mund të fitohen fonde nga BE-ja, pasi ato nuk janë grande të ndara proporcionalisht.
Çfarë mesazhi arriti të përcillte Samiti i BE dhe BP në Tiranë në lidhje me rrugën e integrimit?
BE-ja ishte shumë e qartë në mesazhet e saj. Prioritare mbetet orientimi perëndimor, largimi nga ndikimi rus dhe metodat lindore të qeverisjes dhe plotësimi i standardeve europiane për funksionimin e drejtësisë si paanshmëri. Ballafaqimi me standardet do e bëj shumë më të dukshme diferencën, midis nesh dhe Europës në kushtetushmëri, funksionimin institucional dhe nivelin e mirëqenies. Tashmë janë evidentuar me shumicë shkelja e të drejtave themelore të njeriut në lidhje me pronën dhe liritë politike e sociale. Mos garantimi i votës së lirë është shkaku themelor i deformimit të parimeve kushtetuese e demokratike të qeverisjes dhe i rritjes së krimit e korrupsionit politik dhe ekonomik.
Si e keni parë deklaratën e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në lidhje me mbështetjen e pakufizuar që do vijojë të ketë ndaj rusisë, a ishte ky një kërcënim i hapur ndaj Kosovës në territor shqiptar?
Vuçiç deklaroi se nuk do të vinte në Samitin e Tiranës. Pas “konsultimesh” ai erdhi për të deklaruar se me Rusinë e lidhin interesa strategjike e si vend i “pavarur” la të kuptohej, se lufta dhe jo marrëveshja, do të jetë instrumenti për zgjidhjen e problemeve me Kosovën, të cilën, në çdo rast e event me SHBA dhe BE-në ka deklaruar se nuk e njeh, pasi edhe me kushtetutën e Serbisë e konsideron akoma pjesë të saj. Cilido që beson të kundërtën është avokat i Vuçiç dhe i shërben interesave sllave në BP.





















