Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet do të zhvillojë një tur në Ballkan, por nuk do të ndalet në Shqipëri. Në njoftimin e DASH bëhet me dije se ai do të udhëtojë në Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë me një delegacion ndërinstitucional. Turi i tij ballkanik do të zhvillohet nga data 11-17 dhjetor. Sipas DASH, kjo vizitë nënvizon përkushtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Ai do të niset më datë 11 dhe më 12-13 dhjetor, do të jetë në Prishtinë, ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe liderë të tjerë politikë për të diskutuar bashkëpunimin e vazhdueshëm për një sërë çështjesh, përfshirë dhe dialogun me Serbinë. Më 13 dhjetor, këshilltari Chollet do të vazhdojë në Beograd, Serbi, ku do të diskutojë rreth sigurisë energjetike, integrimit ekonomik rajonal dhe përparimit drejt objektivit të Serbisë për anëtarësim në BE me udhëheqjen e qeverisë serbe. Ndërsa më 14 dhjetor, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë. Ai do të udhëtojë gjithashtu në Shkup, Maqedoni e Veriut ku do të takohet me liderët e qeverisë për diskutime mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit. Në Zagreb, Kroaci, Këshilltari do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të diskutuar bashkëpunimin në mbrojtje, sigurinë energjetike evropiane, si dhe prosperitetin ekonomik dhe sigurinë në rajon. Më 15 dhjetor, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Podgoricë, Mal të Zi – për t’u takuar me udhëheqësit e qeverisë dhe shoqërinë civile për të diskutuar ngërçin aktual politik, angazhimin e përbashkët për sigurinë rajonale dhe përparimin e vazhdueshëm të Malit të Zi drejt integrimit euro-atlantik. Në fund, këshilltari i Departamentit të Shtetit do të udhëtojë në Bruksel, nga 16-17 dhjetor për të diskutuar bashkëpunimin me partnerët evropianë dhe aleatët për një sërë çështjesh globale, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, rrugën e anëtarësimit në BE dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sigurinë energjetike, si dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.





















