Skandali, Universiteti i jep “Doctor Honoris Causa” Çalik të Telekom!

534
Sigal

Mirënjohje, kreu i institucionit që rrjep shqiptarët pa asnjë shërbim, e ka marrë dhe nga Kazakistani e ishujt Ellis!

Skandalet dhe paradokset në institucionet arsimore shqiptare nuk kanë të sosur. Qindra diploma mjekësh për qytetarë të huaj pa qenë asnjë ditë në Shqipëri, diplomë fakulteti pa mbaruar shkollën e mesme, para për provime e diplomime, mësues e pedagogë pa arsim… Një listë tepër e gjatë që mund të jetë konkurrente për në Ginees! Por nuk mjafton kaq. Interesa funksionarësh të arsimit, universiteteve apo dhe në qeveri, servilizmi apo paaftësia, po shfaqet dendur kohët e fundit dhe në dhënien e titujve e mirënjohjeve të huajve që nuk kanë lidhje me arsimin, shkencën, po vetëm interesa të tjera, kryesisht ekonomike. Kështu është dhe rasti i fundit ku Universiteti Shtetëror i Tiranës, i jep sot titullin “Doctor Honoris Causa” Ahmet Çalik, titullar i Telekomit shqiptar!.  Në njoftimin zyrtar, midis të tjerave thuhet: “Ditën e Mërkurë, më 3 shtator 2014 ora 11:00 në Sallën e Senatit Akademik të Rektoratit të Universitetit të Tiranës, do të organizohet Ceremonia e akordimit të titullit ‘Doctor Honoris Causa’ Z. Ahmet Çalıkme motivacionin: ‘Për kontribut të veçantë dhe këmbëngulje të pashoqe në zhvillimin e ekonomisë shqiptare si dhe për vlerësimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të universiteteve në Shqipëri”. Më tej thuhet se në këtë ceremoni do të marrin pjesë z. Hidayet Bayraktar, Ambasador i Republikës Turke në Shqipëri, Prof. Dr. Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës, senatorët e UT-së, shumë personalitete nga fusha e politikës, arsimit dhe përfaqësues të kompanisë “Çalık Holding”, Rektorë të Universiteteve Publike dhe Private, drejtues dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës si dhe shumë të ftuar të tjerë…. Këtë njoftim e shoqëron dhe një biografi e Çalik, ku ndër të tjera mësohet se mirënjohje ai ka marr dhe nga Kazakistani e ishujt Ellis! Përtej motivacionit që Universiteti Shqiptar i jep titullin Çalik, lindin disa pyetje-përgjigje që nxjerrin ‘zbuluar’ këtë paradoks. Thjeshtë: Çfarë ka bërë ky Çallik që e meriton këtë mirënjohje, çfarë i ka dhënë shkencës shqiptare e në ç’fushë, çfarë u ka dhënë ai shqiptarëve!? Vështirë që dikush të përmendë një gjë, ndërsa shumëkush do të rendiste të kundërtën. Konkretisht: Telekomi u ka shtrënguar ‘lakun në fut’ qytetarëve tanë. Ai u ka trefishuar tarifën e telefonisë, që rezulton më e larta në Europë. Dhe po nuk bisedove fare me telefonin e shtëpisë, do paguash 750 lekë tarifë ‘shërbimi’!. Dhe pse Telekom nuk të ka bërë asnjë shërbim. Provo që të vonosh një ditë pagesën mujore (dhe pse arkat e Telekom mund ta kenë pushim atë ditë), ti do paguash kamatëvonesën!? Xhepat e shqiptarëve boshatisen e shkojnë për llogari të Çalikut…. Heshtin zyrtarë e qeveritarë të lartë, të cilëve me sa duket, dikush ua ka ‘zënë grykën’. Nëse ka një defekt, duhet të presës deri në 10 dit e dy javë të riparohet, por kjo nuk do të thotë që Telekom do të bëj zbritje nga fatura mujore!?. Çalik ta gëzoj titullin, bashkë me ata që ja japin e të tjerë që duartrokasin këto paradokse, ndërsa për shqiptarët e varfër, një gjë mbetet e pandryshuar: Ata do të vazhdojnë të boshatisin xhepat për Telekom-in dhe pse ai nuk u afron asnjë shërbim!