Avokati i Popullit nis trajnimin e administratës vendorenë të gjithë vendin

603
Sigal

Zbatimi korrekt i kuadrit ligjor, transparenca dhe informimi i qytetarëve, cilësia në shërbime, faktorë kyç për cilësinë e jetës të qytetarëve.

Avokati i Popullit Igli Totozani, në një deklaratë për mediat të hënën, bën me dije se në kuadër të projektit “Mbështetja e Mbretërisë së Danimarkës për Avokatin e Popullit Shqiptar – Më pranë komuniteteve lokale, shoqërisë civile dhe medias 2012-2015”, Avokati i Popullit nisi të zbatojë nga muaji shtator e në vijim, një nga aktivitetet më të rëndësishme dhe ambicioze të tij, trajnimin e administratës të pushtetit vendor në të gjithë vendin. Organizimi i këtij turi trajnimesh (i pari në llojin e tij), do të kryhet nga Institucioni i Avokatit te Popullit në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të shoqërisë civile, që kanë njohje të gjerë të fushës dhe problematikave të qytetarëve me administratën vendore.

2 janë arsyet përse ne kemi zgjedhur administratën e pushtetit në nivel vendor:

E para, ne e konsiderojmë administratën në nivel vendore një hallkë shumë të rëndësishme në respektimin e të drejtave të qytetarëve për faktin se ajo ndodhet më pranë tyre dhe ofron një sërë shërbimesh bazë për ta. Përveç funksionit të saj që i jep kushtetuta dhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, kjo administratë kryen dhe disa funksione të deleguara nga qeverisja qendrore, siç janë problemet e arsimit, të shëndetësisë, të ndihmës ekonomike, gjendja civile etj.

Në nivel vendor gjithashtu funksionojnë dhe një sërë zyrash dhe drejtori rajonale të vartësisë të Institucioneve qëndrore, të cilat konsiderohen njësi ligjzbatuese në gjithë fushën e të drejtave të qytetarëve, si dhe në rastet e shqyrtimit të ankesave dhe kërkesave të tyre.

E dyta, nisur nga analizat dhe studimet e kryera në vite nga Avokati i Popullit, mbi numrin e ankesave te qytetareve dhe objektin e tyre, na rezulton se numri më i lartë i ankesave lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kërkojnë zgjidhje nga administratat e pushtetit në nivel vendor.

 Zbatimi me korrektësi i tërë kuadrit ligjor nga përfaqësuesit e kësaj administrate, shkalla e transparencës dhe informimit të qytetarëve, cilësia dhe kultura në ofrimin e shërbimeve, janë faktorë kyç për respektimin e të drejtave dhe cilësinë e jetës të qytetarëve.

Trajnimet do të zhvillohen në 24 njësitë më të mëdha të qeverisjes vendore. Konkretisht gjatë këtij viti, ky cikël trajnimesh do të zhvillohet në Vlorë, Sarandë, Dropull, Berat, Lezhë, Shkodër, Kukës, Fier, Lushnje, Elbasan, Korçë, Pogradec, Durrës dhe Tiranë. Ndërsa numri total i të trajnuarve të administratës në nivel vendor do të jetë rreth 750 vetë në të gjithë vendin. Duke pasur parasysh dhe fokusin e ankesave të qytetarëve, në bashkëpunim me ekspertët e fushës të shoqërisë civile, kemi konkluduar që në këto trajnime të zhvillojmë 7 module kryesore që kanë të bëjnë me: të drejtën për arsimim; të drejtat e pronësisë; e drejta për të përfituar ndihmë ekonomike; e drejta mjedisore; e drejta për informim dhe rritja e pjesëmarrjes të qytetarëve në qeverisje; mbrojtja e konsumatorit dhe mbrojtja e grupeve të margjinalizuara.

Paralelisht me këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, Institucioni i Avokatit të Popullit do të zhvillojë dhe një sërë aktivitetesh në kuadër të projektit.

Avokati i Popullit Totozani, e konsideron shoqërinë civile si një ndër partnerët e saj më të afërt. Në këtë kuadër një tjetër aktivitet që synon fuqizimin edhe më tej të dialogut me shoqërinë civile në nivel vendor dhe qendror do të jetë mbajtja e tryezave të rrumbullakëta në tetë qarqe të Shqipërisë mes përfaqësuesve të institucionit të Avokatit të Popullit dhe rrjetit të shoqërisë civile.

Një praktikë e konsoliduar tashmë është dhe organizimi i “Ditës së Hapur” me qytetarët. Në këto bashkëbisedime do të këshillohen drejtpërdrejt qytetarët dhe do të priten ankesat e tyre për t’ u trajtuar në mënyrë më të specializuar nga ekspertët e institucionit të Avokatit të Popullit. Në fokus të axhendës së përfaqësuesve të institucionit të Avokatit të Popullit do të jenë edhe inspektimet dhe monitorimet në disa prej institucioneve që ofrojnë shërbime publike, si zyrat vendore dhe drejtoritë rajonale, institucionet e kujdesit social, komisariatet e policisë, pikat e kalimit të kufirit, sistemi i burgjeve etj, për të parë shkallën e respektimit të të drejtave të qytetarëve, si dhe mënyrën se si ofrohen këto shërbime për qytetarët. Institucioni i Avokatit të Popullit e konsideron median një partnere të çmuar në përmbushje të misionit të tij. Në këtë kuadër do të ftohen mediat për pasqyrimin e aktiviteteve dhe në çdo rast përfaqësuesit e institucionit të Avokatit të Popullit do të jenë të gatshëm për t’ u prononcuar rreth aktiviteteve. Gjejmë rastin të falënderojmë dhe njëherë Qeverinë e Mbretërisë të Danimarkës, për mbështetjen financiare që po i jep Institucionit të AP në zbatimin e këtij projekti.