Prof.Dr.Tritan Shehu: Represioni dhe dhuna policore nuk e ndalin dot demokracinë

453
Sigal

Prof.Dr.Tritan Shehu, ish-deputeti i Gjirokastrës, ka denoncuar sot në rrjetet sociale presionin që Policia e shtetit po ushtron mbi qytetarët vetëm pak orë para nisjes së tyre në protestën kombëtare në Tiranë.

Shehu ka sjellë rastin konkret, atë që po i ndodh Asqeri Shkurtës nga Këlcyra, sa tragjik dhe komik njëherësh, por që nuk do të arrijë të ndalojë dot bashkimin e 2200 gjirokastritëve me mijëra qytetarë të tjerë që po nisen nga qarqe të tjera të vendit.

Tritan Shehu shkruan: “Paniku apo “thirrja nga origjina”, shkak i veprimeve policore represive?! Kërkohet të terrorizohen protestuesit masivë nga qarku i Gjirokastrës me metoda policore antiligjore, të ngjashme me ato të diktaturës.

Qytetari Asqeri Shkurta nga Ballabani, Këlcyrë, u shoqërua në Komisariatin nr. 1 në Tiranë mbas protestës së 13 prillit. Duke mos pasur asnjë shkak, u detyruan ta lirojnë brenda natës. Që nga ajo ditë, çdo herë që në Tiranë organizohen protesta, atë në mënyrë arbitrare e thërresin rreth orës 9 në Policinë e Përmetit, pa mandat, thjesht për presion.

Një veprim ky antiligjor, policesk, i dënueshëm, që sipas disa informatave nuk është rasti i vetëm i tillë, të kujton metodat e ish-Sigurimit të Shtetit në panik, në fund të diktaturës, përballë uraganit popullor.

Tragjike dhe komike kjo, por që vetëm forcon qëndresën e shton pjesëmarrjen e banorëve të atij qarku, duke u parashikuar për sot një pjesëmarrje mbi 2200 protestuesish.”