Prof Dr. Sabit Brokaj/Ju rrëfej mjekët në diktaturë dhe humanizmin ndaj pacientëve

487
Sigal

INTERVISTA/ Prof Dr, Sabit Brokaj: Pse u shkatërrua sistemi mjekësor në Shqipëri dhe çfarë ndodhi në 23 vjet

Sabit Brokaj diagnostikon vazhdimisht duke kryer një aktivitet të jashtëzakonshëm pune. Në ditët e punës normale, apo ditë pushimi, në oraret e pritjes zyrtare apo në minuta krejt të papërshtatshme, njerëzit kërkojnë ndihmën e tij. Ai dëgjon rrahjet e zemrës me stetoskop, pastaj ndjek punën e saj në monitorin e aparaturës elektronike EKO. Më pas të sqaron me një butësi gati të brishtë, ku çdo pacient, i ri apo i moshuar qoftë, ndihet i qetë, edhe pse mund të ketë marrë një goditje të fortë në sistemin kardiak. Por, pasi ka mbaruar këtë seancë, ai përballet me një realitet tjetër. Ata i “bien në qafë” orë e pa orë. E marrin në celular dhe i dërgojnë ftesa takimesh për intervista specifike, me postë elektronike. Janë të bezdisshëm sa më s’ka, por kjo është natyra e punës dhe s’ka se si ndodh ndryshe. Të tjerë njerëz, jashtë portave të klinikave apo spitaleve, kërkojnë informacion gjithllojesh. Ndërsa ai e gjen kohën t’u përgjigjet të gjithëve. Dhe vetëm pak minuta pasi ka hedhur në letër dhe detajet e fundit të një diagnostikimit torturues, ai çlirohet nga pesha e të qenit mjek, për të veshur një kostum tjetër.Ky është Sabit Brokaj, në studion e të cilit, pacientë e gazetarë bashkë, presin të marrin një përgjigje. E në këtë “kaos” të vogël, ai tregohet i gatshëm të flasë për lexuesit eshumtë që e presin në gazetën, “Telegraf”:

Jemi mësuar të dëgjojmë termin “reformë” prej shumë vitesh. Në fakt çfarë i mungon sistemit mjekësor shqiptar që duhet reformuar?

E vërteta është se kalimi nga një sistem në një tjetër shoqëroro-politik, nuk ndoqi rrugë të qartë, standarde, të cilat në 20 vjet natyrisht do të ishin realizuar, për të krijuar fizionominë e një shëndetësie në një sistem të ekonomisë së tregut.

Cili është elementi esencial që edhe pas 20 vjetësh mungon?

Elementi esencial është prania e financimit miks, buxhet + sigurime. Sigurimet u zhvilluan me vonesë dhe ende janë të pamjaftueshme. Këtu ndikon vetiu situata ekonomike. Shqipëria ka ende varfëri shumë, ende papunësi shumë, pra pamundësi reale për sigurime të mjaftueshme. Por kjo mund të ishte një përqindje e rëndësishme plus mbi përqindjen aktuale të sigurimeve shëndetësore. Elementi tjetër është që nuk u nda qartë, ai që është shëndeti publik, nga elementi privati mbulimit të shëndetësisë. Fatkeqësisht pati një përzierje të tyre, të cilat i kanë zënë frymën njëri tjetrit.

Në ç’kuptim i “kanë zënë frymën”?

D.m.th, që ato para që qarkullojnë në institucionet shtetërore, ato që quhen korrupsion apo mitmarje, ato kanë penguar që elementët privatë të shëndetësisë, spitalet, klinikat, të mos konkurrojnë realisht, për të qenë konkurrent të shëndetit publik. Ne që i kemi bërë të dy llojet e mjekësisë, mund të themi se n.q.s çmimi i mallrave ushqimore që vijnë nga vendet fqinje është e njëjtë, apo pak më i shtrenjtë këtu tek ne, ekzaminimet private edhe pse xhepave të këtij populli të varfër i rëndojnë shumë, mund të them se janë shumë më lirë se gjetkë. Por vetiu e keqja fillon nga institucionet e shëndetit publik. Sepse ato pesë-lekshat që merren nëpër xhep kanë penguar, mjekësinë private, që të konkurrojë.

Megjithatë, për mitmarrje janë vënë në pranga disa mjekë…?

Shteti e ka gjetur të lehtë që t’i vërë hekura mjekëve. Kjo është një mënyrë e papranueshme, do të thosha unë, absolutisht e papranueshme. Nuk e di se si mundet që numri i mjekëve që i janë vënë prangat deri tani (pavarësisht në janë dënuar apo jo) është i tillë në raport me korrupsionin e tmerrshëm që kanë në institucione të tjera të shtetit si fjala vjen; në drejtësi, polici, etj.. Pra mjekëve, e kanë shumë lehtë t’u vënë pranga, paçka se dënimi ligjor i disave prej tyre dhe mund të jetë normal. Por pranga, siç shihen në disa skena televizive, tregojnë një perversitet të politikës që realisht komandon dhe ata që vijnë me pranga nëpër pavijonet dhe sallat e operacionit.

Të kthehemi të menaxhimi…?

Në fakt elementi tjetër që i mungon shëndetësisë shqiptare, që i rëndon financimit të saj dhe është ajo që quhet menaxhim, pra drejtimi, organizimi, dhe nikoqirllëku, ku ka rrjedhje të parave në mënyrë të tillë që e ka shtuar mangësinë së infrastrukturës shëndetësore. Unë ju siguroj se aq para sa jepen nga buxheti dhe sigurimet e varfra po të përdoreshin mirë, shëndetësia shqiptare do të ishte dhe një herë më mirë se ç’është sot. Por menaxhimi, në tërë vertikalen e vet, që nga ministria e deri poshtë kanë mendësi të mëdha. Ministrat në shëndetësi mund të jenë njerëz që nuk kanë dhënë asnjë provë që dinë të drejtojnë, të profesionit ose jo të profesionit, ndërkaq që ekonominë mjekësore, ekonomistë pak e njohin. Pra në tërësinë e vet, ku organizëm që quhet “shëndetësi” ka mangësi në të gjitha nivelet. Ndërkohë, që dhe ajo që quhet ndërgjegje apo përgjegjshmëri ka rënë jashtëzakonisht shumë.

Si ka qenë kjo përgjegjshmëri para viteve ‘90?

Ne kemi qenë model në përgjegjshmërinë, në organizimin e punës. Në këtë fushë ne kemi pasur përvojë, që vinte nga përgjegjshmëria e personelit shëndetësor nga humanizmi i tij, që në ca raste, mund të përdorë dhe termin “vetëmohim”, personeli mjekësor, infermiere-mami, e mjekë, sidomos në zonat e thella, në veri i mësonin nënat se si të bënin muhalebi e lëngje frutash për të eliminuar rakitizmin që deri në vitet ‘60-‘70 shoqëronte rritjen e fëmijës. Pra këto elementë që në fakt u bënë edukatë, çuditërisht u fshinë dhe u zëvendësuan tmerrësisht keq me të kundërtën e tyre dhe me shumë elementë të tjerë që, kanë të bëjnë me disiplinën e punës, qoftë teknike qoftë dhe formale dhe të tëra bashkë kanë një rezultante tek shëndeti i njerëzve. Përmbledhur mund të thuhet që, ne anomalitë i kemi në tërë shtyllat që do të mbanin këtë godinë që është; shëndeti publik.

Në ekonominë e tregut, si duhet trajtuar shëndetësia private?

Përveç të tjerave ka një kuptim jo të qartë tek nivelet e politikëbërjes për shëndetin publik dhe po e themi të atyre raporteve që duhet të kenë me shëndetësinë private. Të lënë përshtypjen se, autoritetet e para të shtetit, sikur shteti përgjigjet për shëndetësinë private po ashtu se atë publike. Kjo është absolutisht e papranueshme. Mjekësia private është një biznes, që konkurron dhe plotëson shëndetin publik. Ai kërkon hapësira ligjore, siguri nga shteti dhe çan vet. Ndërsa shëndeti publik është përgjegjësi e shtetit. Kështu ky është qëndrim jo i qartë, pa kufij ndarës.

Po për rimbursim a mund të bëhet fjalë?

Për zhvillimin e mjekësisë private, duhet të fillojë normalisht që ashtu siç rimbursohej barnat, nga paratë e të siguruarve, qytetarët duhet ta përfitojnë sigurimin e tij edhe në institucionet private. Në qoftë se do kalojë dhe ky lloj financimi tek mjekësia private, ju do shikoni sa do të tronditet  shëndeti publik dhe shteti në vetvete, për t’i kushtuar vëmendje shëndetësisë publike.

Niveli i studentëve dhe mjekët e rinj, alarmi për të ardhmen

 Janë veç mjek shqiptarë ata që mbushin spitalet, klinikat e lagjeve, por dhe ato private me kuadrin e duhur. Por sa i aftë është Fakulteti i Mjekësisë, në kushtet e reja, për të formatuar mjekë të barasvlefshëm me homologët e tyre në Evropë? Duke sqaruar këtë temë dhe për mundësinë e kthimit të fakultetit të Mjekësisë në një universitet, Profesor Sabit Brokaj shpjegon:

“Kam të provuar se niveli i shkollës sonë ka qenë shumë i mirë. Nëse ne shkonim jashtë shtetit, në Francë, Itali, Gjermani e Zvicër, nuk kishim asnjë problem teorik të komunikimit me ta. Ne kishim probleme me teknologjinë dhe për atë gjë shkonim, pra për të marrë teorinë dhe metodën e aplikimit. Sot niveli në tërësi ka rënë, elementi i përgjegjshmërisë dhe angazhimit në përgjithësi. Por kjo nuk është sindromë e veçantë, është sindromë e shoqërisë shqiptare sepse e njëjta gjë është dhe në universitetet e tjera dhe po kështu ndodh dhe me ekzekutivin. Madje, nga të gjitha këto, Fakulteti i Mjekësisë mund të jetë pak më mirë. Por nga tradita, që ka qenë i mirëorganizuar dhe ndoshta për karakterin që ka mjekësia dhe vetë mjeku, mund të them se niveli ka rënë rëndësishëm. Ka kontigjente që marrin diploma pa meritë dhe unë nuk e di se si do të jenë ata në praktikë, çfarë problemesh mund t’i sjellin në prespektivë shëndetësisë me nivelin e tyre tejet të ulët. E siç e përmenda, ky është niveli i gjithë shoqërisë. Por nëse fakulteti prodhon një inxhinier të dobët apo një arsimtar të dobët, pasoja nuk është ajo e një mjeku të dobët. E megjithatë, pavarësisht kësaj, ne kemi studentë që dalin mjekë aq të mirë sa mund të ballafaqohemi denjësisht në botë. Kështu mjekët që kanë mbaruar para viteve ‘90, por dhe më pas, kanë treguar se punojnë nëpër klinika që kanë emër. Ky është një fakt”.

Mosbesimi

Shqiptarët, pse u drejtohej klinikave të huaja

Duke folur për një pjesë pacientësh që e gjejnë rrugën e shpëtimin për diagnostikim apo kurim në klinikat e vendeve të tjera, prof. Dr. Sabit Brokaj thotë: “Ne jemi “ksenomanë” si popull, prandaj dhe shkojmë në klinika jashtë shtetit. Ndonjëherë vlerësojmë më shumë një të huaj të zakonshëm se sa një profesor tonin. Por kjo është veti e shumë popujve të tjerë të vegjël. Megjithatë, ky largim për në klinikat e huaja vjen jo aq shumë nga kjo, por vjen kryesisht se niveli i aplikimit tek ne është problematik. Si të mos shkojnë jashtë të sëmurët nga zemra kur kardiokirurgjia jonë kohë pas kohe ndërpret aktivitetin. Kur në sallën e kirurgjisë apo pavijone herë mungon një gjë herë një gjë tjetër. Kjo cenon përvojën, vijimësinë e aktivitetit. Por mungesa e vijimësisë pasqyrohet në humbje refleksesh. Sepse këto janë punë të imta, shumë intelektuale të cilat i përsos vazhdimësia e aktivitetit. Kjo gjë shqiptarët i çon gjetkë. Por mjerisht nuk ka të arritur të ndihet mirë si përgjegjshmëri, as tek politika dhe as tek qeverisja. Sepse është detyrë kushtetuese, e atyre që marrin përsipër të qeverisin vendin që së pari të sigurojnë jetën e shtetasve të tyre”.

Tezën për Universitetin Mjekësor e kam paraqitur para vitit 2005

 “Teza për Universitet Mjekësor, mund të them se fillimisht e kam paraqitur unë personalisht, para zgjedhjeve të vitit 2005. E thashë këtë jo për të bërë publik emrin tim, por sepse e kam konceptin e qartë. Domosdoshmëria e këtij riorganizimi është se, ka diçka amorve, ka një strukturë të panjehsuar. Po marr fakultetet e infermierisë në Tiranë, Vlorë, Korçë e Shkodër. Përgatitin kuadro me disnivele të rëndësishme të tyre me programe që variojnë dhe natyrisht me aplikime që duhet të jenë të standardizuara. Aq më shumë, ku niveli duhet rritur jo vetëm si i njehsuar, që këta infermierë mund të ishin gati dhe për tregun evropian të punës. Sepse dihet që shumë vende të zhvilluara evropiane i kanë infermierët nga të ardhurit dhe ka kërkesa. Po kështu duhet që vetë fakulteti, si katedra e Instituti i Shëndetit Publik, duhet të funksionojnë njësh, ndërkohë që janë jorealisht të harmonizuara. Por mund të ishin pjesa e këtij universiteti si dhe farmacia apo stomatologjia. Këto janë strukturat e një universiteti, në vija të përgjithshme, sepse ka dhe elemente të tjerë”, shpjegon për “Telegraf”, Profesor Brokaj.