Prof. Dr. Qemal Lame: Shtetet e Ballkanit të zenë vendin e tyre në Bashkimin Evropian

356
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Cilat ishin përplasjet në “Brdo-Brijuni” dhe  ballafaqimi me idenë e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç për ndryshimin e kufijve

Takimi i nivelit të lartë të procesit të njohur si “Brdo-Brijuni”, në 17.05.2021, me rastin e 10- vjetorit të kësaj nisme nga Sllovenia dhe Kroacia, për bashkëpunimin në rajon, kishte për qëllim qartësimin e masave për integrimin evropian. Pjesëmarrësit u ballafaquan që në fillim me idenë e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, për ndryshimin e kufijve. Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit e kundërshtuan këtë ide. Ata nuk arritën që të pajtohen për të gjitha konkluzionet e takimit, për shkak se Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u largua para arritjes së qëndrimeve unike përfundimtare.

Takimi dëshmoi përgjegjësinë e Serbisë për mosintegrimin në kohë të shteteve që duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Serbia e shfrytëzoi edhe këtë takim, për të rivënë temën tabu, të ndryshimit të kufijve. Për këtë arsye, ai ka nisur me tensione dhe nën një atmosferë të elektrizuar. Gazeta serbe “Veçernje Novosti”, raportoi me pretendimin se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Gjaferoviç, kanë ‘sulmuar’ presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas burimeve të “Novostit”, përplasja filloi pasi pjesëmarrësit në samit morën iniciativë në fillim për të miratuar disa konkluzione sipas të cilave kufijtë në rajon janë të pandryshueshëm, të cilat Vuçiç i kundërshtoi paraprakisht. Osmani dhe Gjaveroviç thuhet se i reaguan ashpër Vuçiçit, duke thënë se Beogradi po i risjell platformat e vjetra për ndryshimin e kufijve. Atyre, sipas “Novostit”, u është kundërpërgjigjur kreu i shtetit serb, ndërsa mësohet se ai është larguar më shpejt nga takimi.

“Propoganda e Vuçiç synon që shtetet e rajoni të ndryshojnë qëndrimet e tyre për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.”

Vuçiç u tha gazetarëve serbë se “nuk ka pranuar që në konkluzionet e takimit të përmendet mosndryshimi i kufijve në rajon, pa u përfshirë edhe kërkesa e Serbisë, që kjo të nënkuptojë “mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, që sipas tij, nuk është pranuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vuçiç kërkon të ndryshojë realitetin politik në Kosovë dhe në rajon. Me demagogji ai arsyeton se “Serbia gjithmonë ka mbështetur parimin e respektimit të mosndryshimit të kufijve të njohur nga Kombet e Bashkuara. Disa mendojnë se kufijtë nuk duhet të ndryshohen ashtu si u atyre pëlqen, kurse ne mendojmë se, kufijtë nuk duhet të ndryshohen, gjë që është në përputhje me rregullat e vendosura nga Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiç, pas takimit. Ai insistoi se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, po ashtu, nuk është respektuar parimi i mosndryshimit të kufijve”.

Propoganda e Vuçiç synon që shtetet e rajonit të ndryshojnë qëndrimet e tyre për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Me të drejtë Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka theksuar se, formulimi për deklaratën përfundimtare që kërkoi Presidenti i Serbisë, do të nënkuptonte, që disa shtete, përfshirë edhe Slloveninë dhe Kroacinë, të tërhiqnin njohjen e Kosovës. “Presidenti  Vuçiç nuk ishte kundër që të diskutohej për ndalimin e ndryshimit të kufijve kombëtarë, por ai propozoi një formulim të tillë që, do t’i ndalonte të gjitha shtetet që ta njohin Kosovën, sepse Kroacia e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, Sllovenia dhe disa shtete të tjera e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Jo të gjitha shtetet e BE-së e kanë njohur. Ishte e qartë se ne mund të nisnim diskutimet për këtë temë, por ato nuk do të përfundonin kurrë”, tha Borut Pahor. Kurse Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë se, “Samiti i Brdo-Brijunit  kishte për qëllim për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të përafrohen me BE-në, dhe jo për të komplikuar edhe më tej gjërat”.

Për të njohur dhe vlerësuar më konkretisht përfundimet e këtij takimi ka rëndësi të referohemi në politikën evropiane për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe propogandën e bërë për marrëveshjen midis Kosovës e Serbisë.

Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtëme të BE-së, Josep Borrell, më 11.05.2021, u shpreh për integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar se është me rëndësi gjeostrategjike në Evropë dhe për Evropën dhe theksoi sidomos, vënien brenda dy muajve në agjendën e BE-së, hapjen e bisedimeve me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, ritmin e ngadaltë të përparimit në rrugën e BE-së në Serbi dhe Mal të Zi, zbatimin e përparësive kryesore për Bosnjë dhe Hercegovinën, dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Kosovë dhe pasigurinë në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë.

Bashkimi Evropian është kundër ideve që rikthejnë politikën për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor dhe ka theksuar rrezikun e kësaj kërkese të papranueshme, që shkakton luftë dhe shkatërron paqen e sigurinë në rajon.

Politika evropiane mbështetet nga shtetet e rajonit, por Serbia vepron me të gjitha mjetet që të imponojë interesat e saj të njëanshme për ndryshimin e kufijve si kusht, për marrëveshjen me Kosovën. Në ndihmë të këtyre qëllimeve ishte edhe në platformën politike të dokumentuar në “non paper” i bërë i njohur në muajin prill, megjithëse autorët e saj, nuk e pranojnë publikisht këtë letër zyrtare ogurzezë.

Serbia vazhdon lojën e saj të vjetër. Nga njëra anë, bën refromat e kërkuara për anëtarësimin në BE, dhe, nga ana tjetër, vepron kundër, duke kërkuar të imponojë hapur ose në formë të nënkuptuar, rikthimin në Kosovë me pretendimet për kufijtë e shteteve, që njihen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe ndryshimin që ajo i bëri Kushtetutës serbe, duke e futur Kosovën në hartën e saj, kur Kosova ishte në administrimin ndërkombëtar dhe deklaruar e pavarur e sovrane.

Takimi në Brdo-Brijun të Sllovenisë, mendoj se krijoi bindje për domosdoshmërinë e një politike reale e transparente të Bashkimit Evropian për intergimin më shpejt të rajonit në bashkësi.

“Bashkimi Evropian është kundër ideve që rikthejnë politikën për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor dhe ka theksuar rrezikun e kësaj kërkese të papranueshme, që shkakton luftë dhe, shkatërron paqen e sigurinë në rajon.”

1. Serbisë t’i bëhet e qartë domosdoshmëria e njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, zbatimi i marrëveshjeve të miratuara bashkërisht, të heqë dorë nga planet për rikthimin në Kosovë, rindarjen e kufijve, kantonizimin me kërkesat për të drejta të pushtetit vendor të Asociacionit të Komunave Serbe me qëllimin neokolonialist për aneksimin e Veriut të Kosovës e komunave me shumicë serbe.

2. Të dënohen kriminelët për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe në Bosnje- Hercegovinë gjatë luftës, që përbëjnë genocid. Serbia të dorëzojë në Gjykatën e Hagës autorët kryesorë të genocidit të tmerrshëm ndaj civilëve të pafajshëm. Të jepet zgjidhje për personat e zhdukur që dyshohen të vrarë nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Pa reflektimin dhe pranimin me ndërgjegje të së vërtetës, rajoni nuk mund të integrohet të ecë përpara në rrugën evropiane për të cilën aspirojnë popujt e çdo shteti.

3. Në qershor të realizohet hapja e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pa u kushtëzuar me problemet që ka secili shtet. Më qartë, të mos pengohet Shqipëria në rast se nuk arrihet mirëkuptimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

4. BE të unifikojë qëndrimet dhe të shpehet konkretisht për anëtarësimin e të gjitha shteteve të rajonit. Ballkani është në Evropë dhe, të mos vazhdohet të lihet jashtë Evropës politike.

Shtetet dhe popujt e rajonit janë të përkushtuar në të ardhmen e tyre evropiane. Këto e vërtetoi edhe ky samit, një nga takimet më të vështira, ku presidentët e shteteve të rajonit bënë një punë të mirë, të gjithë thanë gjithçka donin, deklaruan qëndrimet politike shtetërore dhe duhej bërë shumë për të arritur një kompromis.

Bashkimi Evropian ka tani përgjegjësinë për të ndihmuar e kontribuar për t’i anëtarësuar. Është mirë të mos vazhdojë politika e deritanishme që shtetet që duan anëtarësimin të zgjidhin midis tyre problemet dhe pastaj të vendoset për ta. Ka ardhur koha për të marrë përgjegjësitë për gjithë Evropën. Të nxiten e ndërgjegjësohen të gjithë shtetet anëtare për shpejtimin e anëtarësimit të shteteve ballkanike, ashtu si u veprua dy dekada më parë, me shtetet balltike, me ndërmjetësimin direkt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.