Prof. Dr. Lush Susaj: Bill Klinton kërkoi kurajo dhe stopimin e lojës së rrezikshme me konferencë mbi konferencë, e gjyq mbi gjyq për Kosovën

496

“Po sulmohet dhe denigrohet çdo fjalë e lëvizje e kryeministrit Albin Kurti, që në këto kohë të vështira, po mbron tokën dhe pasuritë natyrore të Kosovës”

Sigal

Prof. Dr. Lush Susaj

Për shkak të lidhjeve të mia shpirtërore e historike me Kosovën, nuk mund të ndihem kurrë mirë kur Kosova është keq, e kur midis Shqipërisë dhe Kosovës vlen që të përdoret ajo shprehja e nënës për vëllezërit, që ziheshin, e ku nëna ju thoshte: “Bota mbi ju e ju mbi shoqi shojnë, mosni për iz të Zotit”. Në këso situatash të mbushura me sjellje skuthe e me “diplomat”, “patriotë” dhe “opinionistë” lëpirësa e interesaxhinj të pushteteve politike, për njerëzit e thjeshtë, mbetet shumë pak hapësirë për të folur e vepruar. Po jetojmë ditë të paimagjinueshme, në të cilat qeverisja e Kosovës në vend që të përkrahet e të mos ndihet kurrë vetëm, po sulmohet e ngarkohet me përgjegjësi e gjynahe, me të cilat nuk ka fare lidhje. Po sulmohet dhe denigrohet çdo fjalë e lëvizje e kryeministrit Albin Kurti, që në këto kohë të vështira, po mbron tokën dhe pasuritë natyrore të Kosovës, e jo intersat e veta e të familjes së tij, sikurse kanë bërë sundimtarët e tjerë, të cilët kanë nënshkruar e ikur duke lenë një mal me probleme për Kosovën. Po sulmohet Albin Kurti vetëm për shkak se ka aq burrërinë intelektuale dhe kurajo politike, sa për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, ku e drejta themelore është dhe mbetet e drejta mbi territorin dhe pronën.  Albin Kurti po qëndron në të drejtën historike të Kosovës dhe të çdo shqiptari mbi pasuritë e mëdha tokësore dhe nëntokësore të Trepçes dhe Ujanit, e ku toka dhe pasuritë nuk janë të këtij apo të atij brezi, por të brezave të ardhshëm të Kosovës. Pa këto pasuri, jeta shtetërore dhe politike e banorëve të Kosovës është skëterrë, e pamundur, e jo në interesin tonë kombëtarë.

“Albin Kurti po qëndron në të drejtën historike të Kosovës dhe të çdo shqiptari mbi pasuritë e mëdha tokësore dhe nëntokësore të Trepçes dhe Ujanit”

Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti po mbrojnë territorin dhe pasuritë e popullit të vet.

Në thelb po mbron të ardhmen politike e shtetërore të Kosovës, duke mos cënuar asnjë qytetar apo popull dhe shtet tjetër të Ballkanit dhe Europës. Kryeministri Albin Kurti nuk mund të fajësohet se nuk mbyll dot pasojat e gafave të politikës së pasluftes, me të cilat nuk ka lidhje. Është fjala për një politikë të gabuar, që është zhvilluar nga njerëz që asokohe zbritën me armë nga mali. Njerëz që morën meritat çlirimtare të NATO-s dhe të dëshmorëve të Kosovës, e që menduan më shumë për vila e pasuri sesa për shtet, për territor e për bashkëjetesë ndëretnike e ndërfetare. Asokohe, këta njerëz pa ndonjë kontribut dhe as formim intelektual e politik, fatkeqësisht ranë në gabimin tragjik të brigadave të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. Ku sikurse dihet, pasi hynë si fitimtarë me gjakun e të tjerëve në Tiranë, ekzekutuan elitën dhe qytetarinë e vendit, e më pas menduan që Shqipëria është prona dhe çifligu i tyre, e ku sikurse dihet prodhuan diktaturën më të ndyrë e më antinjerëzore të historisë shtetërore e politike të rajonit dhe Europës. Kujtova këtë fakt, pasi mendoj që në vend që ish luftëtarët e Kosovës të kultivonin e të ruanin kapacitetet intelektuale, administrative e politike të Kosovës, në një mënyrë të verbër e në emër të pushtetit, në javët dhe muajt pas çlirimit dëbuan dhe ekzekutuan qindra e mijëra intelektualë, duke krijuar një katastrofë të thellë e me pasoja në burimet shtetërore e administrative. Që do të thotë që bota demokratike na çliroi dhe na e njohu dhe ndërkombëtarizoi fitoren dhe shtetin, por nuk na e dha dot mendjen e as sjelljen e mirë e të përditshme me njerëzit dhe me komunitetet, që prej dekadash e shekujsh kanë jetuar e po jetojnë e punojnë në Kosovë. Bota demokratike nuk mund të na mbante për dore në çdo tender e privatizim, apo në çdo emërim e vendimarrje. Bota demokratike nuk mund të na vendosë policë e njeri për të mos vjedhur e korruptuar. Bota demokratike nuk mund të na i ngjallë më ata që dinin më shumë për shtetin dhe politikën, e që sikurse thuhet përditë nëpër mjediset dhe kafenetë e Kosovës, ose u dëbuan ose u ekzekutuan me plumb pas koke, ose u masakruan nga korrupsioni dhe nepotizmi anadollak. Bota demokratike nuk mund të kërkojë e as tolerojë vrasjen, e as vjedhjen e pronave të minoriteteve në Kosovë e as në Shqipëri. Përkundrazi kërkon bashkëjetesë dhe normalitet sikurse ndodh në të gjitha vendet e Europës. Po kërkohet asocacioni i pranuar e firmosur nga takimet e mëparshme, e që do të krjohet me patjetër, e duke ruajtur kuadrin ligjorë të kushtetutës së Kosovës, sa më shpejt më mirë do të jetë për të gjithë.

Albin Kurti dhe qeveria e tij demokratike nuk po kundërshtojnë SHBA, e asnjë institucion dhe politikan të BE.

Përkundrazi, kryeministri dhe qeverija demokratike e Kosovës po reziston shumë mirë sulmeve të padrejta dhe sjelljeve skuthe, që dashje apo padashje po kërkojnë të ndryshojnë edhe statusin juridik të Kosovës, e për ta rikthyer nën mëshirën e diplomacisë orientale.

Profesor Vasfi Samimi ka shkruar “O njeri çohu, shkundu, hapi sytë dhe shpirtin. Përpara botës duhet të tregojmë se nevojat tona më të mëdha kombëtare nuk janë as sulmet, as grabitjet, as sundimet dhe as gjakërat, por dëshirat dhe idealet tona të larta që përmblidhen në revolucionin shoqëror dhe ekonomik, për një lumturi dhe përparim përfundimor”.

Parë në këtë kontekst, mendoj që politikanët e Kosovës e të Shqipërisë, ose nuk lexojnë ose nuk kuptojnë asgjë nga mendimi filozofik e politikë, e për pasojë bëjnë gafa e marrina, deri edhe në kundërvënie ndaj interesave tona shtetërore e kombëtare.

Unë nuk po arrij që të kuptoj logjikën e as arsyen e inatit dhe braktisjes së mbledhjes së qeverive në Gjakovë, nuk arrij që të kuptoj një vëlla që braktis dorën e shtrirë dhe sofrën e shtruar të vëllaut tjetër, vëllaut e askujt nuk i përmbyset tavolina.  Edhe sikur e gjithë bota të vinte kushte e sanksione ndaj Kosovës, Shqipëria nuk mund të bëhej kurrë pjesë e këtyre kushteve, sanksioneve, sepse nuk është kombëtare e as e drejtë.

Anashkalimi dhe sjellja pavëmendje e ndjeshmëri kombëtare ndaj Kosovës, po e dëmton rëndë imazhin dhe kohezionin social e politik të Kosovës, dhe po e paraqet Kosovën fiks sikurse e duan e përgojojnë armiqtë e shtetit dhe të kombit shqiptar.  Qofsha i gabuar, por mua më duket që kjo sjellje ndaj Kosovës, po paraqet Kosovën si një shtet jo demokratik e jo të sigurtë për popujt dhe as për religjionet, e kjo pamje nuk është e vërtetë. Sjellja e Tiranës politike, duket që po e paraqet qeverisjen kosovare si ngatërrestare, me njerëz të pagdhëndur e jo bashkëpunues, anti -Amerikanë, e anti -Europianë, mosmirënjohës, etj, e kjo nuk është e vërtetë.

“Kulmi i gafës të politikës së Tiranës mendoj se është dalja me platforma e ligje për Kosovën, që të gjitha të pakonsultuara me përfaqësuesit e as me institucionet politike të Kosovës”

Gafa e Tiranës

Kulmi i gafës së politikës së Tiranës mendoj se është dalja me platforma e ligje për Kosovën, që të gjitha të pakonsultuara me përfaqësuesit e as me institucionet politike të Kosovës. Drejtuesit e lartë të Tiranës, mbase kujtojnë se po luajnë me studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, për të cilët bëhen rregullore, kontrata e strategji, pa pyetur studentët e as profesorët.  Të mos harrojmë faktin që përmes kërkesave për Dejton 2, apo Dejton 3, etj, rrezikohet ajo që është fituar, rrezikohet zhbërja faktike e shtetit dhe territorit të Kosovës. Politika e jashtme e Tiranës, duhet të jetë vetëm në krah të Kosovës, dhe duhet të kuptojë faktin që praktika me konferencë mbi konferencë dhe gjyq mbi gjyq, nuk bëjnë për Kosovën. Konferencat dhe gjykatat kanë folur njëherë e mirë, e nuk ka më kthim mbrapa. Me këtë rast, po rikujtoj edhe faktin se si me 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, ka folur dhe ka shpallur vendimin final mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk ka fitore më të madhe se sa ajo që buron nga rreshtat e këtij vendimi të drejtë e me rëndësi historike për Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Gjykata Ndërkombëtare është shprehur njëherë e mirë që shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtat dhe ligjet ndërkombëtare. Ky vendim i ka dhënë fund tymnajës së mediave dhe përpjekjeve të diplomacisë orientale për të zhvlerësuar luftën dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve.  Ky vendim ka hap rrugën e njohjeve të reja për shtetin e ri të Kosovës, e mbi të gjitha ka hapur rrugën e procesit të antarësimit të Kosovës në OKB.

“Bota demokratike nuk mund të kërkojë e as të tolerojë vrasjen, e as vjedhjen e pronave të minoriteteve në Kosovë e as në Shqipëri”

Politika e Tiranës

Politika e Tranës, duhet ta kuptojë faktin që rikthimi tek konferencat ndërkombëtare, është rreziku më i madh për statusin juridik e politk të Kosovës, për pasojë duhet stopuar marrëzia me platforma dhe kërkesa për konferenca vetëvrasëse. Në këtë drejtim, Kosova nuk ka asgjë për të diskutuar. Kosova ka institucionet dhe drejtuesit e zgjedhur të saj. Kosova ka në krah SHBA dhe BE, e ku ndihma e mbrojtja nga ana e tyre nuk ka pësuar ulje, as shuarje. Përkundrazi, Kosova sot është në qendër të vemendjes dhe mbrojtjes së SHBA dhe BE, këtë e tregoi edhe vizita e presidentit Bill Klinton dhe fjalët e tij për kurajo e besim në të drejtën kushtetuese kombëtare e ndërkombëtare të shtetit dhe popullit të Kosovës. Presidenti Bill Klinton nuk e le kurrë Kosovën vetëm e as jashtë vëmendjes. Thirrja e tij për kurajo, është thirrja për të qëndruar në të drejtën hyjnore të popujve e për të mospranuar kurrë zgjidhje e as platforma, që burojnë jashtë politikës dhe jashtë interesave të botës Euro-Atlantike. Në këtë situatë, Kosova dhe çdo kosovar nuk duhet të ndihet vetëm e as i pasigurtë. Kjo për shkak se përkrah Kosovës dhe kosovarëve, është çdo banor, krahinë e qytet i Shqipërisë. Përkrah Kosovës dhe kosovarëve, janë NATO dhe SHBA. Të tjerat janë dengla hini, e denglat nuk i han populli as historia. Zoti nuk e ka braktisur kurrë Shqipërinë dhe as Kosovën.