Aplikimi i TVSH-së godet arsimin shqiptar në tërësi

Shoqata e Arsimit Privat: Ju shkruajmë në emër të dhjetëra mijëra prindërve që shkollojnë fëmijët e tyre në shkollat private. Këto ditë kemi ndjekur me jashtëzakonisht shqetësim deklaratën për rikthimin e TVSH-së për arsimin privat. Na lejoni t’ju paraqesim jo shqetësimin, por argumentet tona kundër një mase të tillë me efekte jashtëzakonisht të rënda për arsimin dhe shoqërinë shqiptare si dhe me përfitime të papërfillshme për financat publike.

Aplikimi i TVSH-së rrënon arsimin privat

Sigal

Aplikimi i TVSH-së mbi familjet, që shkollojnë fëmijët në shkolla private do të sjellë largimin e një pjese të konsiderueshme të tyre. Për shkak të vështirësive të financimit një pjesë e shkollave private thjesht do të mbyllen. Pjesa tjetër do të detyrohet të ulë standardet e cilësisë (ulje rrogash, anulim i investimeve të parashikuara, etj).

Marzhet e fitimit në arsimin privat nuk mundësojnë asnjë marrje përsipër të barrës së TVSH-së nga vetë shkollat. Rrjedhimisht e gjithë barra do të kalojë mbi prindërit gjë që do të shkaktojë pakënaqësi të jashtëzakonshme mbi dhjetëra e dhjetëra mijëra familje.

Financat e shkollave private janë aktualisht të rënduara nga dëmet e inflacionit, rënia e vlerës së euros (një pjesë e mirë kanë tarifa në euro) dhe presioni i madh për rritjen e rrogave. Ky është momenti më i gabuar për t’i rënduar shkollat me barrë fiskale shtesë.

Aplikimii TVSH-së godet arsimin shqiptar në tërësi. Arsimi privat është në pararojë të arsimit shqiptar. Në provimet e maturës që sapo u mbyllën në 40 shkollat me rezultatet më të larta 35 janë private. Shkolla më e mirë publike renditet në vendin e 28.

Marzhet më të mëdha të fitimit i kanë ato shkolla private që investojnë më pak dhe që kanë fiktivitet më të lartë. Aplikimi i TVSH-së do të godasë praktikisht shkollat që investojnë më tepër në cilësi, rrjedhimisht më të mira të vendit. Kjo masë godet atë pjesë të arsimit shqiptar që shërben si pararojë dhe përcakton standardet e cilësisë.

Aplikimi i TVSH-së godet ata që punojnë në arsimin privat

Aplikimi i TVSH-së dhe rrjedhimisht ulja e rrogave dhe mbyllja e një pjese të shkollave private do të sjellë drama të pashmangshme sociale e njerëzore për mijëra të punësuar në to. Të gjithë këta njerëz do të shtojnë listat e të pakënaqurve që do të presin zgjidhje dhe para nga shteti.

Aplikimi i TVSH-së nuk do të sjellë të ardhurat e pritshme për shtetin

Përllogaritjet mbi të ardhurat shtesë që supozohet se do të përfitojë shteti nga aplikimi i TVSH-së nuk marrin parasysh faktin se një pjesë e prindërve nuk do të mund të paguajnë dot tarifat që do të rriten prej TVSH-së dhe do të largojnë fëmijët drejt shkollave publike. Rrjedhimisht edhe këto të ardhura do të jenë më të ulëta sesa shpreson qeveria. Të gjithë nxënësit që do të largohen nga shkollat private për t’u ngjeshur në publik do të përbëjnë gjithashtu një barrë financiare shtesë për qeverinë. Në qytetet e mëdha si Tirana kjo do të bëjë të pashmangshme investime të mëdha publike për ndërtim shkollash të reja publik. Në fund të ditës bilanci përfitime/humbje nga aplikimi i TVSH-së do të jetë zhgënjyes edhe për vetë qeverinë.

Aplikimi i TVSH-së sjell probleme të rënda sociale

Në rekomandimet e saj FMN-ja si frymëzuese dhe burim presioni ndaj qeverisë argumenton se aplikimi i TVSH-së nuk do të paraqesë problem sepse në shkollat private arsimohen të pasurit. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Shkollat private aktualisht arsimojnë fëmijët e shtresave të mesme. Shqipëria nuk ka dhjetëra mijëra të pasur siç imagjinon FMN-ja.

Rëndimi i buxhetit të shtresave të mesme me TVSH-në në arsim do të detyrojë një pjesë të tyre të dynden drejt shkollat publike duke i mbingarkuar ato dhe duke rënduar problemet e shumta që egzistojnë edhe me numrin aktual të nxënësve.

Të gjithë anketimet e realizuara deri më sot për motivet e emigrimit të shqiptarëve vërtetojnë qartësisht se arsimimi i fëmijëve është një nga 2 arsyet madhore të atyre që braktisin vendin. Aplikimi i TVSH-së dhe pasojat e tij do të motivojnë edhe shumë të tjerë për të ndjekur rrugën e braktisjes së vendit.

Rritja e tarifave prej aplikimit të TVSH-së do t’i bëjë shkollat private pikërisht shkolla për të pasur, jo sepse janë të tilla, por sepse do të bëhen të tilla prej tarifave të papërballueshme. Kjo do të rrisë pabarazinë në arsimim mes shtresave sociale.

Nën presionin e rritjes së tarifave shkollat private do të detyrohen të eleminojnë bursat që jepen për nxënësit e shkëlqyer që nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat e tyre. Eleminimi i bursave do të bëhet për krijuar hapësira për nxënës dhe të ardhura të reja që do të zbusnin disi efektin e TVSH-së. Kjo do të thotë se tashmë nxënësve të shkëlqyer nga familje të varfëra do t’u hiqet mundësia për të patur shkollim të mirë dhe për t’u ngjitur në shkallët e statusit socio-ekonomik.

Praktikat botërore

Në vendet e zhvilluara nuk ka shembuj të krahasueshëm me Shqipërinë në raport me situatën fiskale për arsimin private. Disa nga vendet më nivelin më të lartë arsimor si Holanda, Irlanda, Zvicra, etj nuk aplikojnë TVSH mbi arsimin privat. Në SHBA jo vetëm që nuk aplikohet taksa e shitjes (TVSH-së nuk egziston), por nuk tatohet as fitimi i shkollave private.

Në Arabinë Saudite TVSH-ja aplikohet jo e plotë, por në masën 5%.  Në vende ku aplikohet TVSH-ja si për shembull Franca, shteti financon masivisht shkollat private, duke financuar rrogat e stafit. Aplikimi i TVSH-së në Shqipëri do të sillte situatën më të pazakontë kur ky sektor tërësisht i veçantë do të tatohet njësoj si një fabrikë këpucësh dhe nuk do të mbështetet në asnjë mënyrë.  Për të gjithë arsyet e lartpërmendura si dhe duke patur parasysh angazhimet e qeverisë për ta patur arsimin prioritet madhor, ne shpresojmë se kërkesa jonë për mosaplikimin e TVSH-së do të merret parasysh.