Dr. Ermal Hasimja: Drama e pashmangshme e arsimit

162
Sigal

Nëse planet për rikthimin e TVSH-së në arsim realizohen, prindërit e 82.000 nxënësve e studentëve do të detyrohen së shpejti të paguajnë 20% më tepër për shkollimin e fëmijëve të tyre në arsimin privat. Propozimi për rikthimin e TVSH-së në arsimin privat është kërkuar me ngulm nga FMN-ja. Por zbatimi i tij do të sillte pasoja dramatike për arsimin shqiptar në tërësi. Për shumë arsye:

Së pari po merrem me argumentet pro. FMN-ja argumenton se arsimi privat përdoret nga të pasurit dhe rrjedhimisht ata nuk e kanë problem të paguajnë më tepër. Normalisht, FMN-ja do të duhet ta dinte se në Shqipëri nuk ka kaq shumë familje të pasura (afërsisht 82.000 nxënës shkollohen në privat). Ata që shkollohen në arsimin privat janë në masën dërrmuese fëmijë të shtresave të mesme: mjekë, ekonomistë, inxhinierë, specialistë të ndryshëm të lartë etj. Sipas të gjithë studimeve, kjo shtresë ka si argument kryesor të emigrimit jashtë vendit pikërisht arsimimin më të mirë të fëmijëve. Aplikimi i TVSH-së rrezikon t’a amplifikojë procesin e emigrimit nga kjo shtresë.

Argumenti tjetër është thjeshtëzimi i proceseve fiskale. Ky argument qëndron, por kur merr parasysh pasojat, e kupton lehtë se përfitimi do të jetë shumë herë më i vogël se efektet negative. FMN-ja llogarit përfitimin financiar, duke mos marrë parasysh faktin se një pjesë e mirë e prindërve nuk do të mund të përballojnë tarifa 20% më të larta dhe do të dynden drejt shkollave publike. Shteti do të mbledhë shumë më pak para sesa parashikohet. Për më tepër, vetëm në rastin e Tiranës, nëse përllogarisim me optimizëm se vetëm rreth 20% e prindërve do t’i zhvendosin fëmijët në shkolla publike (pra, të paktën rreth 5.000 njëherësh) shtetit do t’i duhej që të ndërtonte 2-3 shkolla të reja që do të kushtonin shumë më tepër sesa paratë që do të mblidhte ministria nga TVSH-ja. Dhe shpenzimet e mbajtjes së këtyre shkollave do të ishin të përvitshme, jo thjesht ndërtimi i 2-3 ndërtesave.

Së dyti, aplikimi i TVSH-së do të godiste arsimin privat në ditët e tij më të vështira kur ai përballet me inflacionin, presionin e madh për rroga më të larta, largim të nxënësve në emigrim. TVSH-ja do të përbënte një goditje fatale.

Së treti, dyndja e nxënësve në shkollat publike do të ulë cilësinë në këto të fundit për shkak të mbingarkesës. Shkollat publike janë që tani nën presion të madh.

Së katërti, mbyllja e pashmangshme e një pjese të shkollave private do të nxjerrë në rrugë qindra mësues dhe staf duke bartur me vete edhe dramat sociale. Mbyllja do të sillte gjithashtu edhe të ardhura të tjera të munguara për shtetin në formën e tatimeve e taksave të ndryshme.

Së pesti, shkollat që do të mbijetojnë do të detyrohen të ulin cilësinë (ulje rrogash, ulje investimesh etj). Kujtojmë se shkollat private janë prej vitesh në majën e renditjeve të maturës dhe provimeve të lirimit dhe përmes fleksibilitetit dhe aftësisë investuese janë pararojë e arsimit shqiptar në cilësi e inovacion. Pikërisht kjo pararojë do të goditet dhe paaftësohet nga aplikimi i TVSH-së.

Së gjashti, pothuajse të gjithë shkollat private ofrojnë bursa për nxënës të shkëlqyer nga familje të varfra, duke ofruar njëkohësisht edhe mundësi mobiliteti socio-ekonomik për këta nxënës. Me aplikimin e TVSH-së, shkollat private do të detyrohen të eliminojnë bursat për të krijuar hapësira për nxënës me pagesë duke mos mundur të ofrojnë mundësi suksesi për nxënës të shkëlqyer nga familje të varfra.

Së shtati, shtrenjtimi i menjëhershëm i tarifave do thellojë pabarazinë socioekonomike, duke i bërë shkollat private të aksesueshme vetëm për një shtresë të kufizuar të shoqërisë që ka të ardhura më të larta.

Së teti, direktiva 2006/112/EC, e rifreskuar në qershor 2022 e Bashkimit Evropian, në të cilin synojmë të integrohemi, udhëzon mosaplikimin e TVSH-së për arsimin privat. Si mund të pretendojmë të ecim në rrugën e integrimit nëse bëjmë të kundërt e asaj që bën vetë BE-ja? Vendet me arsimin më të zhvilluar sot në botë si Holanda, Zvicra apo Irlanda nuk aplikojnë TVSH për arsimin privat. Në SHBA jo vetëm që nuk ka taksë shitjeje (TVSHja nuk përdoret), por shteti nuk taton as fitimin e arsimit privat duke nxitur riinvestimin e të ardhurave. Në Francë shteti madje u paguan shkollave private edhe të gjithë koston e rrogave të stafit. Shqipëria do të ishte një rast unik ku shteti e trajton shkollën private si një sipërmarrje të rëndomtë nga ana fiskale dhe nuk e mbështet, ndërkohë mbështet shumë kategori të tjera.

Ministria e Financave paraqiti të martën planin e saj. Le të shpresojmë se do të marrë parasysh jo thjesht përllogaritje të nxituara shifrash, por edhe interesin madhor që paraqet arsimi për një vend. Zhvillimi i një vendi nuk bëhet vetëm me përllogaritje shifrash, por mbi të gjithë me përcaktime përparësish politike.