Prof. Dr. Kastriot Islami: Rama bën pazar për t’i shpëtuar ndëshkimit

329
Sigal

COVID-19 / Shqipëria “delja e zezë” në Europë e rajon. Rama-pazar për t’i shpëtuar ndëshkimit

Prof. Dr. Kastriot Islami

Situata sanitare nga COVID-19 është tërësisht jashtë kontrollit. Shqiptarët janë të braktisur nga qeveria e tyre dhe për rrjedhojë, edhe të izoluar nga të gjithë vendet europiane që i kanë mbyllur kufijtë. Nuk është aspak faji apo përgjegjësia e qytetarëve, por vetëm e qeverisë dhe më konkretisht e Edi Ramës. Rama nuk ka më fuqi as për të bërë shoë teatral dhe as për t’u mburrur si menaxheri më i mirë në botë, sepse është diskretituar plotësisht, brenda e jashtë vendit, dhe vetëm përpiqet për të bërë pazare për t’i shpëtuar ndëshkimit të sigurtë. Qeveria e tij nuk vepron më dhe duket tërësisht e paralizuar, nuk është më në gjendje as të menaxhojë dhe as të ndjekë situatën sanitare, ndërkohë që situata ekonomike e sociale është dramatike, sepse keqeverisjes  7 -vjeçare i është mbivendosur edhe keqmenaxhimi apo menaxhimi dështak i krizës sanitare, ndërkohë që Rama,  gjatë të gjithë kohës vret mendjen si të bëjë marifete për të marrë garanci për pushtetin personal dhe si t’i fusë në izolim përsëri shqiptarët, duke i akuzuar se nuk zbatojnë rregullat. Do të ishte katastrofike që për shkak të përkeqësimit të situatës sanitare, qeveria e paaftë të kalonte në masa drastike izoluese, duke dhunuar të drejtat themelore të qytetarëve, apo penalizuar qytetarët, por mbi të gjitha, që do ta fundosnin përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme ekonominë e vendit, e cila është e falimentuar.

  1. Infektimet janë rritur me disa herë

Nga marsi 2020 deri më 1 gusht 2020, të gjithë parametrat janë përkeqësuar  në ekstrem. Numri i të infektuarëve në korrik 2020 ka arritur shifrën 2816, pra kjo shifër është rreth 11 herë më e lartë se kjo shifër në muajin mars 2020, apo 6 herë më e lartë se në muajin prill 2020, kur vendi ishte në izolim total.  Por shifra e infektimeve është dyfishuar në korrik 2020 krahasuar  edhe me muajin qershor 2020 kur vendi kishte dalë nga izolimi; gjë që tregon se numri i infektimeve po vazhdon të rritet në mënyrë eksponenciale.

  1. Edhe vdekjet rriten disa herë

Shifra e vdekjeve po ashtu është rritur në mënyrë të frikshme. Në muajin korrik 2020, kjo shifër ka qenë  96 duke rezultuar rreth 6,5 herë më e lartë se në muajin mars 2020, kur kjo shifër në mars ishte 15 apo rreth 6 herë më e lartë se në prill,  kur kjo shifër ishte vetëm 16. Shifra e vdekjeve në korrik 2020,  është 3 herë më e lartë sesa shifra prej 32, në qershor 2020, periudhë gjatë së cilës vendi kishte dalë nga izolimi. Edhe kjo shifër tregon se përhapja dhe pasojat e virusit vazhdojnë të rriten në mënyrë të frikshme. Me këto shifra Shqipëria rradhitet nga të fundit në Europë dhe rajon, duke u kthyer në “delen e zezë” të Europës. Këto janë disa shifra që kanë çuar në mbylljen e të gjithë kufijve, detarë, ajrorë  e tokësorë për shqiptarët që nuk janë në gjendje të lëvizin dot as për hallet e problemet e tyre minimale. Është dashur kjo krizë për të nxjerrë në pah e të zbulojë para gjithë botës të gjithë “sëmundjet” e qeverisjes Rama. Ndërkohë që Rama nga frika e ndëshkimit ka filluar një lojë të rrezikshme anti-europiane e anti-integruese me ndryshimet kushtetuese të njëanshme,  duke provokuar shqiptarët në këto momente shumë të vështira për ekzistencën e tyre.

  1. Shqipëria me ritmet më të larta të rritjes së Rasteve Aktive në rajon

Qeveria Rama është më e paafta jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon.  Me heqjen e masave kufizuese, me të cilat Rama u mburr se ishte më i miri në botë, duke fundosur ekonominë por edhe duke revoltuar në ekstrem qytetarët me marrëzitë e tij personale,  si dhe duke rezultuar nga analiza e fondacionit  “Forbes” qeveria me menaxhimin më të dobët në Evropë, përsa i përket krizës sanitare nga Covid-19.  Nëse u referohemi shifrave të rasteve aktive të periudhës dyjavore të fundmuajit korrik 2020, më konktetisht datës 19 korrik 2020 dhe 2 gusht 2020, në 6 vendet e rajonit, Mali i Zi, Greqi, Bosnie e Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Shqipëri, rezulton se  Shqipëria ka pasur dinamikën më të keqe gjatë kësaj periudhe. Konkretisht Shqipëria ka pësuar një rritje të shifrës së Rasteve Aktive nga 406 të infektuar për 1 milion banorë në datën 19 korrik 2020,  në  812 Raste Aktive për 1 milion banorë në datën 2 gusht 2020. Duke pësuar një rritje me 100 përqind, që është rritja më e lartë nga të 6 vendet e rajonit. Para Shqipërisë gjendet Serbia e cila ka pasur një rritje të Rasteve Aktive me 81 përqind. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut,  gjatë kësaj periudhe dyjavore, ka arritur të ketë një ulje me rreth 6 të kësaj shifre. Kjo ka shkaktuar  “izolimin” e shqiptarëve edhe në rajon, duke iu lënë mundësi të lëvizin vetëm në Serbi. Por falë dashamirësisë së fqinjëve të tjerë, shqiptarët mund të lëvizin në disa vende të rajonit, vetëm pasi të kryejnë testet.  Paaftësia dhe arroganca e Ramës dhe e qeverisë, të çiftuara mes tyre,  lidhen me mosaplikimin e një metodike adekuate dhe për rrjedhojë edhe e një numri adekuat testesh,  për të mundësuar aplikimin me sukses të qasjes testime, gjurmime dhe trajtim. Rama me arrogancë dhe paaftësinë e tij vazhdon ta menaxhojë edhe këtë situatë, po ashtu si edhe gjatë 7- vjetëve të qeverisjesë tij me symbyllur dhe i dehur nga sukseset imagjinare që deklaron vetë dhe beson vetëm vetë. Dhe së fundmi, për ta shndërruar vendin në “delen e zezë” të perëndimit ka gjetur strehën e fundit si “sovranist”,  që me siguri do të jetë edhe fundi i tij i tmerrshëm.