Prof. Dr. Enver Bytyçi: Histori trenash

395
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Historia e trenave përsëritet vazhdimisht. Në prill të vitit 1999 Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç i thoshte gazetës së njohur gjermane ‘Frankfurter Rundschau’ se “Mali i Zi nuk mund të qëndronte në të njëjtin tren me Milosheviçin dhe Serbinë, sepse ky tren na çon në humnerë”! Dhe zbriti nga ai tren kur denoncoi dhunën në Kosovë dhe kur në korrik 2006 shpalli pavarësinë e vendit të tij nga Serbia. Para pak vitesh Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, provokoi Kosovën dhe paqen në rajon kur nisi trenin e tij nga Beogradi me destinacion Mitrovicën e Veriut. Qëllimi i tij ishte që të kurorëzonte aneksimin e kësaj pjese të Kosovës me dhunë e konflikt. Ndaj Angela Merkel e urdhëroi që ta ndalë atë tren në Rashkë, para se të shkelte kufirin e Kosovës. Në atë tren kishin hypur jo vetëm presidenti serb, por edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këshilltari i të tre liderëve të mësipërm, Baton Haxhiu, e të tjerë.

Më vonë, përmes Grenell, hypi në trenin serb të linjës Beograd-Mitrovicë edhe Berat Buzhala. Por Ditmir Bushati e kundronte lëvizjen e trenit nga pozita e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Fillimisht ai qëndroi në vagonin e fundit të këtij treni, derisa një ditë kërceu në tokë dhe u tha aktorëve të ndarjes së Kosovës se “Unë nuk mund të udhëtoj në të njëjtin tren me ju”! Atë që Gjukanoviç e bëri kundrejt Milosheviçit, Ditmir Bushati e bëri kundrejt Edi Ramës. Ndaj Edi Rama i tha Ditmirit pak ditë më parë se “Ti zbrite nga treni”! Në fakt kryeministri tha një të vërtetë. Kush nuk e kupton këtë, është idiot. Por a e bën krenar apo të dështuar kjo Ditmir Bushatin?! Këtë nuk e dimë ende. Zoti Bushati ka rastin që të mos hesht! Nëse hesht, atëherë duhet të besojmë se ai është i penduar që ka zbritur nga treni i linjës Beograd-Mitrovicë, machinist i të cilit ishte Vuçiç dhe ndihmës të tij ishin dhe mbeten Edi Rama dhe Hashim Thaçi!