Prof.Dr. Elmaz Sherifi: “Open Ballkan qendra e politikës europiane”!

161
Sigal

Dje, kur po çpohej e shkatërrohej me matrapikë “Prestige Resort” i bekuar nga Rama, në Beograd filloi Samiti i Open Ballkan. Në Samit morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Hungarisë. Skenari ishte shumë i qartë, për ata që kanë aftësi që shohin atë se çfarë ndodh “prapa malit”. Hungaria është i vetmi shtet i BE-së që nuk ka pranuar të zbatojë vendimet e BE-së ndaj Rusisë, pasi ajo sulmoi Ukrainën dhe po terrorizon e po bën krime ndaj ukrainasve. Ndërsa Turqia shikohet si model e prandaj u vlerësua nga kryeministri i Shqipërisë, kur kritikoi politikat e BE-së, e sipas tij, ka mbërritur momenti historik që edhe disa shtete anëtare të BE-së të pezmatuara e pesimiste, duhet t’i bashkohen Open Ballkan. Madje ai njoftoi se në Samitin e Tiranës, mund të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të Greqisë dhe të Italisë. Këtë politikë e inkurajoi edhe ministri i jashtëm i Turqisë Mevlut Çavusoglu, i cili bëri thirrje që të zgjerohet Open Ballkan dhe të “marrim fatin tonë në duart tona”. Me atë rast Rama u bëri thirrje shumë vendeve europiane t’i bashkohen nismës së Ballkanit të Hapur, e cila si kuptohet “po zgjidh shumë çështje të ndërlikuara historikisht”. Madje edhe marrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës për lëvizjen e lirë, nuk e zgjidhi Kurti, por Edi me Vuçiç, prandaj, sipas themeluesve të nismës, Kurti “nuk duhet të humbas kohë, por, duhet të pranojë e jo të kundërshtojë Open Ballkan”!

Pra, si kuptohet, pavarësisht se nuk artikulohet, nuk duhet të ketë më BE, por Ballkan Perëndimor, ku duhet të përpunohen politika të reja që sjellin paqe dhe prosperitet ekonomik.

Sipas kësaj llogjike të çuditshme, edhe tezat e SHBA-së për rrezikun e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, janë të tejkaluara e sajuara për interesa të të tretëve.