Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Kushtetuta jonë nuk lejon të bëhen ndryshime të legjislacionit në situata të jashtëzakonshme

419
Sigal

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS

 Pandemia do kalojë, të gjithë do lumturohen, kryeministri besoj se jo, pasi duket që ndihet shumë mirë kur njerëzit janë në karantinë e në rrugë të lëvizin autoblinda. Të gjithë do ndryshojnë, qeverisja do mbetet po ajo.

 Kushtetuta jonë nuk lejon që të bëhen ndryshime të legjislacionit në situata të jashtëzakonshme, siç është tani Shqipëria

Nga Jakup B. GJOÇA

“Coronavirusi e gjeti qeverinë tonë lakuriq” – Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministri i PS në intervistën  për gazetën “Telegraf” kështu e vlerëson gjithë atë propagandë boshe të kryeministrit Rama para zbatimit të karantinës se  gjoja qeveria e tij i ka marrë të gjitha masat për të përballuar Pandeminë. Prof. Sherifi, si ish kryetar i Komisionit të Ligjeve shprehet kundër ndryshimeve në Kodin Penal që përgatitet të votojë Parlamenti në 16 prill, duke argumentuar se Kushtetuta nuk lejon të bëhen ndryshime në legjislacion me procedurë të përshpejtuar në situatë të jashtëzakonshme, siç është tani Shqipëria. Prof. Sherifi e quan turp bllokimin e shqiptarëve në Kapshticë nga kryeministri Rama, duke u shprehur me ironi, se tani Shqipëria qeveriset nga facebooku. Prof Sherifi, thotë ironikisht, se situata pas Coronavirusit do të ndryshojë, ndërsa qeveria e Ramës do të mbetet.

– Prof. Sherifi, qeveria përgatit urgjentisht të bëjë ndryshime në Kodin Penal, që t’i përgjigjet situatës së Koronavirusit. A është e nevojshme, të ndërhyhet në Kodin Penal, për të përballuar koronavirusin?

– Përballja e shoqërisë me pandeminë “Covid 19” mendoj se i gjeti në “gjumë” strukturat shtetërore të specializuara dhe nxorri “lakuriq” politikat e dështuara shtetërore për mbrojtjen e shëndetit njerëzor në Europë e Amerikë. Te ne më shumë. “Covid 19” ishte shfaqur që në janar në Kinë, e në shkurt ne Itali, kurse kryeministri i Shqipërisë në 3 mars kritikonte median dhe opozitën, që sipas tij, krijonin panik me rrezikun që vinte prej tij dhe dha mesazhin, se gjithçka është nën kontroll. Më kujtohet se ato ditë, edhe shefi i shërbimit, mjeku Brataj ishte aktiv në media dhe mundohej të argumentonte, se situata kritike në Itali, nuk kishte gjasa të ndikonte nëShqipëri. Por, ç’ndodhi ? Pasi “plasi” covid në Shqipëri, kryeministri u mbyll në “bunker” dhe me akt normativ vendosi masa izolimi, të cilat ishin të nevojshme, por të vonuara, dhe shefi i shërbimit u vetëizolua në shtëpi, pasi u prek nga covid, ngaqë  institucionet e shërbimit mjekësor nuk kishin edhe mjetet minimale të mbrojtjes, Tani që situata po shkon drejt përmirësimit, parlamenti ynë miratoi ndryshime në Kodin Penal me penalitete më të forta, se ato që parashikon Kodi Penal.  Mendoj se nuk ka nevojë për shtimin e masës së denimit, pasi mjafton të zbatohen dispozitat që ka legjislacioni dhe me këtë rast u kujtoj inicuesve, se normat kushtetuese nuk lejojnë ndryshimin e legjislacionit me procedura të përshpejtuara në situtat e jashtëzakoneshme, ose të fatkeqësive natyrore, si është Shqipëria me aktin normativ të qeverisë.

–  Sa herë që kjo qeveri e KryeM Edi Rama bën ndryshime në Kodin Penal, përmendet fjala “Burg”. Vallë, ky është qëllimi i ndryshimeve në Kodin Penal, ashpërsimi i dënimeve me burg?

– Kam konstatuar, besoj si edhe opinioni publik, se kjo qeverisje i ka më për zemër masat ndëshkimore, më shumë se sa edukimin. Para disa kohësh edhe para shkollave dërgoheshin policë. Përparsia e masave dhe dënimeve me burg, është mëndësi e shoqërive totalitare, që synojnë kultivimin e frikës dhe nënshtrimit ndaj autoritetit, që nuk pranohet “me bindje”. Këtë synojnë edhe ndryshimet në Kodin Penal.

– Para disa ditësh, në rrugët e Tiranës, ku nuk kishte asnjë këmbësor në rrugë, pamë autoblinda ushtarake të qarkullonin, me mitraloza si edhe ushtarë përballë Presidencës me gishtin në këmbëz. A mendoni se demonstrimi i forcës ushtarake nga qeveria ndihmon në përballimin e pandemisë së Coronavirusit?

– Edhe kjo pyetje, ka të njëjtën përgjigje. Mesa kuptohet kryeministri ndihet vetë shumë mirë kur autokollonat e autoblindave qarkullojnë e lëvizin në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, si dikur me rastin e Festave të Nëntorit.

– Kryeministri Rama u premtoi në fillim mjekëve shpërblim 1.000 euro/ muaj dhe infermierëve 500 euro/muaj. Por në prill u pa që shpërblimi ndaj tyre ishte 5.000 lekë/muaj. Ju si e gjykoni?

– Nuk ka asgjë të re në mosmbajtjen e premtimit. Pse u harruan 300 mijë vendet e punës, ulja e taksave, tatimeve dhe çmimet e artikujve ushqimor? Mesa kuptohet, edhe banorëve iu pëlqen të rrojnë me premtime.

–  Para pandemisë Kryeministri Rama deklaronte se qeveria i kishte marrë të gjitha masat për të përballuar Coronavirusin, madje u përfol edhe për një spital të posaçëm. Por, këto ditë u pa që mungonin edhe respiratorët. Madje, tenderi i blerjes së tyre u bë, por vetëm 4 erdhën, ndërkohë që të tjerat do vijnë nga shtatori. Çfarë ndjesi lë tek shqiptarët kjo?

– Pandemia nxorri lakuriq situatën e fshehur. Jemi me fat që “geni është i fort”. Ndoshta kemi fituar imunitet nga jetesa me mikrobet, ose si thonë disa ekspertë,se në vendet ish komuniste popullsia është vaksinuar nga tuberkulozi. Një epidimiolog shqiptar mbron tezën se ne e kemi kaluar gjendjen e vështirë në janar e shkurt. Gjatë situatës së vështirë bëheshin tenderet, kur pretendohej se nuk mund të financohej paga minimale për bizneset e mbyllura për mungesë fondesh. Shikoni, janë harruar pasojat e tërmetit. Ministri i rindërtimit përgjigjej edhe për masat në shëndetësi ! Kjo qeveri nuk ka faj për gjithçka ndodh, por ka përgjegjësi që më shumë propagandon.

–  Zoti Sherifi, po bllokimi i qytetarëve dhe emigrantëve shqiptarë në Kapshticë nga qeveria jonë, me pretekstin e mospërhapjes së pandemisë, a është i justifikueshëm?

–  Bllokimi i shqiptarëve në Kapshticë, jo vetëm që ishte kriminale, por më shumë se kaq, ishte deklarata e ministrit të emigracionit, kur në një studio u shpreh, “më mirë të shtrirë në kufi, se të shtrirë në shtrat në shtëpitë e tyre” ! Papërgjegjëshmëria arriti kulmin kur hyrja e tyre, u kushtëzua me përballimin e shpenzimeve të karantimit. E turpëshme ! Doli garant një biznesmen  shqiptar në Maqedoni. Shqiptarët le të arësyetojnë vetë për çfarë ndodhi. Ministria e Shëndetësisë duhej të dërgonte ekspertëve  për të bërë testimin e tyre, e nëse kishte të infektuar, të merreshin masat e izolomit, e jo t’i linin me ditë, në mëshirën e fatit.

– A mundet të mirëpritet e mirëkuptohet deklarata e  Ministrit të Diasporës Pandeli Majko i cili deklaroi se më mirë të qēndrojnë 50 veta në dëborë në kufi, sesa të rrezikohet populli nga një përhapje e Coronavirusit, ku Ministri Majko pa patur fakte që qytetarët e bllokuar ishin të infektuar.

– Deklarata e tij duhet dhënë shpesh që të kuptohet sa u shërben ministria që u sajua.

– A mendoni se qeveria jonë bën gjithçka për të përballuar pandeminë? Po masat ekonomike që ka marrë, a janë të duhura dhe a ndihmohen vërtet ata që preken drejtpërdrejt?

– E kam trajtuar disa herë, se kjo situatë do të kalojë, problemet më të mëdhaja do të jenë në ekonomi. Nuk drejtohet shteti me intervistime, në fejsbuk!

– Kryeministri Rama deklaroi se qeveria nuk do të tolerojë ndaj atyre që nuk paguajnë faturat e ujit dhe të dritave, sepse shteti mbahet me taksa. A jeni ju dakort me këtë politikë?

–  Do të kujtoja aktin normativ, që qeveria futet edhe të kontrata e qiradhënies dhe dënimin e atyre që nuk e zbatojnë me pesë fish? Nëse dikush e ka burim jetese dhënien me qira, ku do i gjejë lekët të paguajë dritat dhe ujin? Le të mësojmë edhe nga qeveria e Kosovës e rrëzuar me mocion mosbesimi, por do të paguajë të gjithë subjektet që kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike dhe familjet në nevojë, më shumë euro se tek ne.

– Gjithashtu, Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të pezullojë faturat e koncesioneve. Qytetarët dhe bizneset paguajnë rregullisht taksa. Por në këtë pandemi u pa që qeveria nuk ka fonde as për maskat e mjekëve dhe infermierëve, spitalet nuk kanë shtretër e respiratorë, bizneset dhe qytetarët e varfër nuk ndihmohen ekonomikisht. Pyetja është: Ku shkojnë taksat që qytetarët dhe bizneset paguajnë, derisa në kohë pandemie, qeveria nuk i ndihmon ekonomikisht?

– Politika me PPP është e njohur dhe pasojat e tyre do duken pas “Covid 19”. Kam qenë e jam kundër tyre. Shqiptarët paguajnë për Rrugën e Kombit te benzina e mirëmbajtja, tani edhe për “traun bllokues”!

– Cili është mendimi juaj: Çfarë do të ndryshojë kjo pandemi në jetën tonë?

– Pandemia do kalojë, të gjithë do lumturohen, kryeministri besoj se jo, pasi duket që ndihet shumë mirë kur njerëzit janë në karantinë e në rrugë të lëvizin autoblinda. Të gjithë do ndryshojnë, qeverisja do mbetet po ajo.

– A mundet qeveria të sakrifikojë koncensionet, për të ndihmuar ekonomikisht më të prekurit nga kjo krizë?

– Koncensionet mos i prekni,se kryeministri i ka për zemer. Kryeministri ynë futej nga “Reporterët pa Kufij” te kryeminstrat që përdori edhe rrjetin celular për kufizimin e lirive. Prandaj artikulon “jemi në luftë”!

-Faleminderit!