Prof. Dr. Arben Malaj: Rrugët me PPP-të do të prodhojë krizë të rëndë të borxhit publik

302
Sigal

Ish-deputeti socialist Prof. Dr. Arben Malaj reagon pas nismës së kryeministrit Rama për të rindërtuar rrugët në vend përmes koncesioneve. Prof. Malaj kundërshton skemën e propozuar nga Rama që modernizimi i infrastrukturës të bëhet me Partneritete Publike Private. “Ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së prapambetur të vendit tonë vetëm me 4P është modeli që do të prodhojë krizë të rëndë të borxhit publik, prandaj duhet ndalur tani dhe jo më vonë”,- shkruan ndër të tjera Prof. Malaj.

Apeli i Prof. Dr. Arben Malaj për kryeministrin Rama

“Ky mentalitet qeverisës mund ta mbysë vendin me borxhe. Modernizimi i infrastrukturës së prapambetur shqiptare vetëm me Partneritete Publike Private Preferenciale (4P), është model që do të prodhojë krizë të rëndë të borxhit publik, prandaj duhet ndalur tani dhe jo më vonë. 4P të pa studiuara me përgjegjshmëri profesionale e ligjore dhe ky mentalitet qeverisës mund ta mbysin vendin me borxhe. Të dështosh të thithësh fonde nga donatoret dhe të krenohesh se do ndërtosh me forcat e veta/ me taksat e shqiptarëve infrastrukturën e vendit- është jo vetëm një dështim, por edhe një risk i madh për nivelet e borxhit publik dhe barrën e rëndë të tij. Konferenca e Berlinit qartësoi thelbin e projekteve që do të mbështeste, ato duhet të kishin një impakt ekonomiko-social në më shumë se një vend. “Korridori blu” është një projekt i tillë dhe duhet të jetë prioritar në negociatat me BE-në, duke synuar që një pjesë e investimeve të ishte grant/falas dhe një pjesë kredi mundësisht të buta, që do të vinin nga Banka Europiane e investimeve, (BEI) dhe një pjesë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(EBRD). Rama duhet të qartësojë pse aftësia thithëse e qeverisë Rama e këtyre financimeve në kuadër të Berlinit rezulton më e dobët se e vendeve të tjera. E dyta, po të shikojmë ecurinë e vendeve të varfëra të Europës, ato e kanë ndërtuar infrastrukturën e tyre me financime të BE-së. Është e vërtetë se jo të gjithë kanë qenë grante, por një pjesë e konsidrueshme kanë qenë falas dhe pjesa tjetër kredi e butë. Kohët e fundit donatorë të ndryshëm kanë shprehur shqetësime për projekte të vonuara, ku risku i korrupsionit dhe kapjes së shtetit ka qenë i lartë dhe konkret. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë dështimin e qeverisë “Rama”. FMN-ja ka kërkuar që të ndalen projektet me PPP-të, se qeveria shqiptare nuk ka kapacitete profesionale për të bërë analiza të thelluara për efektet e tyre pozitive, apo për të identifikuar risqet potencial mbi stabilitetin e financave publike. Ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së prapambetur të vendit tonë, vetëm me 4P, është modeli që do të prodhojë krizë të rëndë të borxhit publik, prandaj duhet ndalur tani dhe jo më vonë.”