Prof. Dr. Alqi Naqellari: Shqipëria, kopje e keqe e kapitalizmit të menaxhuar

“Qeveria ka zgjedhur rrugë të gabuara për mbushjen e buxhetit të shtetit. Ajo e shikon sigurimin e të ardhurave te:-Zbatimi amnistisë fiskale për emigrantët. -Amnistia fikale për ndërtimet pa leje. -Pasaportat e Arta. -Legalizimi kanabisit mjekësor.”

 

Sigal

Bota sot karakterizohet nga globalizmi, dhe kështu siç tregoi koha, deri në vitin 2020 ajo po ecte “e qetë” në diferencimin e mëtejshëm dhe të përcaktimit të prioriteteve të shteteve “të kontrollit” dhe të shteteve “të disiplinës”. Gjithë periudha 2020 – 2022 dhe në vijim do përcaktojnë ecurinë e politikës dhe ekonomisë botërore në të ardhmen. Lejimi i superfuqive militare bërthamore me sistem “të kontrollit”, “të kapitalizmit të menaxhuar”, të zgjerojnë teritoret e tyre përbën një rrezik permanent. Rindarja e kufijve dhe tregjeve globale nëpërmjet ekspansionit tregëtar dhe ushtarak do tregojë synimet e vendeve imperialiste dhe perspektivat në drejtim të eksportimit të demokracisë, të mirëqënies dhe barazisë për shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe në vende të ndryshme të globit. Kapitalizmi i sotëm në kushtet e globalizimit është përcaktuar si “Superkapitalizëm” që Lenini në kohën e vet e përcaktoi si “imperializëm”, fazën më të lartë të kapitalizmit ku sundon eksportimi i kapitalit. Në këtë mënyrë kemi të drejtë të themi se sot në botë kemi ekonomi të fuqishme me Sisteme Imperialiste liberale, neoliberale, sociale etj, të cilët synojnë të vetëm ose në bllok të bëhen faktor të rëndësishëm në drejtimin e politikës dhe ekonomisë botërore. Para këtyre vendeve, që përfaqësojnë pjesën më të madhe të ekonomisë botërore, me pretendime faktorizimi esencial kanë lindur një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje. Nga përgjigja e tyre besoj se do varet edhe ecuria e mëtejshme e shoqërisë së sotme dhe e vet Imperializmit. Rendisim dy prej tyre:

-Imperializmi- Superkapitalizmi i sotëm ka sjellë mirëqënie më të lartë se kapitalizmi klasik, ka sjellë më shumë rritje të mirëqënies së popujve, më shumë demokraci, më shumë barazi?

-Eksportimi i ekonomisë tregut është shoqëruar me më shumë demokraci, është shoqëruar me zhvillim të gjithanshëm dhe proporcional të zonave dhe vendeve të ndryshme të botës?

Këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjemi pjesërisht duke marrë si shembull një vend me Ekonomi jo të Koordinuar, dhe një vend me Ekonomi të Koordinuar. Cili prej këtyre sistemeve ekonomike është më i favorshëm për popullin, më demokratik dhe që duhet të mbisundojë në botë?

Cilin sistem ekonomik duhet të mbështesë Shqipëria, sistemin e koordinuar Skandinav apo të pakoordinuar Amerikan-Anglez etj?

  1. a) Cilët janë Modelet ideale të teorisë ekonomike sipas Smithit, Marksit dhe Kejnsit?
  2. Kapitalizmi i pastër. Sistemi ekonomik kapitalist bazohet në pronën private mbi mjetet e prodhimit. Në këtë sistem Shteti duhet të qëndrojë jashtë proceseve ekonomike, puna është forca shtytëse dhe nuk duhet penguar. Ekonomia duhet të jetë “laissez faire”, (doktrina e lënies së aktivitetit ekonomik forcave të tregut pa ndërhyrje të qeverisë. A. Smith).

Mbështetës të ekonomisë klasike të Smithit kanë qënë Kryeministrja Margaret Thacher e Anglisë, Presidenti Ronald Regan i SHBA-ve etj. Sado human dhe social të jetë kapitalizmi, në themel të tij ka shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Për kapitalizmin – John Keneth Galbraith ka thënë “Në kapitalizëm njeriu shfrytëzon njeriun.”

  1. Antikapitalizmi. Sistemi ekonomik antikapitalist (socialist) ka në themel të tij pronën shoqërore mbi mjetet e prodhimit (K.Marks). Në kapitalizëm ekziston shfrytëzimi i njeriut nga njeriu. Në komunizëm është thjesht e kundërta”.(EDS 2020; 27). Mbështetës të tij Kina, Koreja Veriut, Kuba etj. Socializmi është sistem i centralizuar ku gjithçka bëhet sipas një plani të përgjithshëm unik shtetëror. Shteti planifikon dhe përcakton gjithçka, investimet, prodhimin dhe shpërndarjen, kërkesën, ofertën, pagat, çmimet etj.
  2. Kapitalizmi i menaxhuar. Pronë private mbi mjetet e prodhimit, por shteti me anën e menaxhimit me qëllim të rritjes së kërkesës ndërhyn në treg, në ekonomi. Në kapitalizmin e menaxhuar ekzistojnë disa lloje pronash veç pronës private, prona shtetërore, shtet-privat, ndërmarjet e përbashkëta, etj. Shteti ndërhyn në treg nëpërmjet sistemit të taksa – tatimeve, nëpërmjet çmimeve tavan dhe dysheme, ndërhyn nëpërmjet përcaktimit të një sërë çmimeve me interes publik etj. Ai dikton në shumë raste drejtimin e zhvillimit të vendit, politikat e tregëtisë së jashtme etj. Prona garantohet, por me detyrime ndaj shoqërisë. Keynes.(EDS 2020;34). Ky sistem që zbatohet në shumë vende të botës. Vende të tilla sot janë Kina, Vietnami, Rusia, India, Pakistani, dhe disa nga vendet e Lindjes së mesme. Si kopje e keqe e këtij sistemi renditet edhe Shqipëria.
  3. Superkapitalizmi. Përcaktohet sistemi kapitalist në kushtet e globalizmit. Personat e shquar që kanë pretenduar ekzistencën e superkapitalizmit përfshijnë diktatorin Fashist Italian Benito Mussolini dhe ish Sekretarin e Punës të Shteteve të Bashkuara, Robert Reich në presidencën e Bill Clinton-it. Robert Reich në librin e tij” Superkapitalizmi: Betejën për demokraci në epokën e biznesit të madh”, e cilëson si “Superkapitalizëm”. Reich thekson se “në superkapitalizmin e ekonomisë së globalizuar, është shënuar sërish rritje e pabarazive në të ardhura. Të drejtat e punonjësve dhe standardet shoqërore janë vënë në rrezik dhe përgjegjësia sociale e biznesit po ulet”(EDS 2020:51).

Sot në “Superkapitalizëm” dallojmë, siç e përmendëm edhe më lartë, dy organizime ekonomike, Ekonominë e Koordinuar dhe jo të Koordinuar. Për të krahasuar Sistemin Jo të Koordinuar të SHBA-Britani e Madhe me Sistemin e Koordinuar të Suedisë për të parë se cili prej tyre është më shumë demokratik dhe me më shumë interes për popullin do interpretojmë 4 tregues. Këtë do ta bëjmë duke u mbështetur në librin “Ekonomia dhe Demokracia Sociale”.

  1. Sistemi Financiar, financimi nëpërmjet tregut financiar, bankave dhe bursave.
  2. Marrëdhëniet e punësimit, afatshkurtëra apo afatgjata.
  3. Sistemi arsimit dhe formimit, i përgjithshëm apo i specializuar.
  4. Marrëdhëniet midis ndërmarrjeve, të integruara apo jo të integruara.
  5. b) Cilat janë alternativat e kapitalizmit të sotëm sipas Klaus Schwab?

Klaus Schwab argumentoi se ekzistonin vetëm tre alternativa:

=kapitalizmi i aksionerëve,

=kapitalizmi i shtetit (shtetëror)

=kapitalizmi i palëve të interesuara.

Kapitalizmi aksioner dhe kapitalizmi shtetëror, sipas tij, tani janë të dy droga politike. Pra, argumenton Schwab, alternativa e vetme është kapitalizmi i palëve të interesuara. Po si replikon ekonomisti tjetër (S.D) duke përdorur fjalët e Peter Drucker me Schwab? Duke zgjedhur kapitalizmin e palëve të interesuara, Schwab humbi një mundësi më të mirë: kapitalizmin e klientit. Firmat më të suksesshme sot janë ato që ndjekin atë që Peter Drucker shumë kohë më parë e pa “Veriun e vërtetë” për një korporatë: “ekziston vetëm një qëllim i vlefshëm i një korporate: të krijojë një klient”. Gjenerimi i vlerës së freskët për klientët është guri themelor për gjenerimin e përfitimeve për të gjithë palët e interesuara. Për të qenë të sigurt, Drucker gjithashtu pa që kishte shumë gjëra të tjera për të cilat firmat duheshin kujdesur, duke përfshirë sigurinë, integritetin, ligjshmërinë, qëndrueshmërinë dhe vendet frymëzuese të punës, por qëllimi kryesor, –raison d’etre- i firmës, i cili është gjithë forca e një firme, duhet të mbështesin një mendim të vetëm, nëse firma për të mbijetuar, është e aftë  të krijojë klientë”. Shkurt fare, a del me fitim sepse klienti do thotë shitje dhe shitje do thotë fitim? Ja si shprehet më tej Steve Denning. Senior Contributor. Leadership Strategy për “kapitalizmin e klientit” krahas kapitalizmit të palëve të interesuara. “As kapitalizmi i klientit nuk është sekret. Për ata që kanë sy për të parë, është aq e thjeshtë sa dita. Firmat më të suksesshme, sot janë ato që ndjekin atë që Peter Drucker kohë më parë e shihte si “Veriun e vërtetë” për një korporatë: krijimin e vlerës për klientët. Bërja e parave për vetë firmën dhe aksionarët e saj është rezultat i shpërndarjes së vlerës për klientët, jo qëllimi. Gjenerimi i vlerës së freskët për klientët është baza për gjenerimin e përfitimeve për të gjithë aktorët, jo anasjelltas”. Autorë të tjerë teorinë e kapitalizmit të palëve të interesuara e kanë quajtur “organizata të kazanëve të plehrave”. Kësaj teorie do t’i kushtojmë një shkrim më vete, sepse është shumë interesante dhe ka shumë kundërshtarë. Sa për kuriozitet, kapitalizmi i palëve të interesuara nuk është një ide e re. Ajo u hodh nga klasiku i menaxhimit të vitit 1932, (Korporata Moderne dhe Prona Private) Adolf A. Berle dhe Gardiner C. Means. Ideja ishte që firmat publike duhet të kenë menaxherë profesionistë të cilët do të ekuilibronin pretendimet e palëve të ndryshme të interesit, duke marrë parasysh politikat publike. Për 40 vitet e ardhshme, ishte qasja e përgjithshme e biznesit të madh në Sh.B.A. Për të ka folur që në shtator 1970 në Neë York Times edhe fituesi i ardhshëm i Çmimit Nobel në Ekonomi, Milton Friedman-i, i cili ishte nga ana tjetër një përgjigje ndaj konfuzioneve të kapitalizmit të palëve të interesuara. Drejtuesit e biznesit që ndiqnin qëllime të tjera përveç fitimit të parave ishin, theksonte Friedman, “kukulla të padëshiruara të forcave intelektuale që kanë minuar bazën e një shoqërie të lirë këto dekadat e fundit”.

  1. c) Në cilin sistem ekonomik përfshihet Shqipëria?

Në aparencë të duket se Shqipëria i takon sistemit kapitalist të menaxhuar, i cili bazohet në pronën private mbi mjetet e prodhimit, por që shteti me anën e menaxhimit me qëllim të rritjes së kërkesës ndërhyn në treg, ndërhyn në ekonomi. Prona garantohet, por me detyrime ndaj shoqërisë, etj. Kjo teori bazohet kryesisht në Keynsianizëm, teori që qeveria jonë e ka shumë për hobi. Le t’u përgjigjemi 4 pyetjeve që do marrim për ekonomitë e tjera.

1.Sistemi Financiar, financimi nëpërmjet tregut financiar, bankave dhe bursave. Në Shqipëri firmat mbështeten jo në sistemin financiar, por në sistemin bankar. Në Shqipëri nuk ka tregje kapitalesh, nuk ka Bursë. Bankat japin kredi me norma jo të pëlqyeshme për bizneset.

  1. Marrëdhëniet e punësimit, afatshkurtëra apo afatgjata. Në përgjithësi në Shqipëri ka firma shërbimi dhe pak ndërmarrje në fushën e industrisë. Firmat e shërbimit, si turizmi dhe shërbimnet e tjera të tregtisë me pakicë kanë paga të ulta, kontrata jo afatgjata dhe të pa qëndrueshme. Nuk ka kontrata kolektive dhe punonjësit nuk i mbron askush. Në Shqipëri ka sindikata sipas profesioneve dhe jo sipas ndërmarrjeve. Këto sindikata janë jo efikase. Për këto ndërmarje duhet arsim i përgjithshëm, sepse njerëzit i ndërojnë shpesh vendet e punës. Nuk kërkohet specializim për kamarierët dhe recepsionistët.
  2. Sistemi arsimit dhe formimit, i përgjithshëm apo i specializuar. Sistemi arsimor shqiptar mbështetet në sistemin Anglez. Ky është një gabim, sepse ne nuk kemi të njëjtat kushte dhe zhvillim si Anglia. Nuk i takon Shqipërisë të jetë kryesuese e teorisë Keynsiane me një ekonomi “mizë” që nuk i kalon 15 mld euro dhe që mbështetet në turizëm dhe kryesisht në shërbime. Ky sistem është kritikuar vazhdimisht. Njerëzit nuk kanë interes të vazhdojnë Universitetet, sepse nuk ka punë në profesionet e tyre. Tregu kërkon shitësa dhe kamarierë me shumicë dhe nuk kërkon inxhinierë e fizikantë, kimistë apo matematikanë. Ekonomistët dhe juristët futen kudo dhe shkalla e nënpunësimit në këtë fushë është tepër e lartë.
  3. Marrëdhëniet midis ndërmarrjeve, të integruara apo jo të integruara. Ndërmarjet kanë marrëdhënie të paintegruara. Ndërmarjet nuk organizojnë vetë kërkime shkencore. Kërkimet shkencore i organizon qeveria dhe rezultatet shpesh ju jepen edhe këtyre. Por në një vend që sundojnë shërbimet, turizmi, coll centerat nuk i hyjnë në punë askujt studimet.

Të katër treguesit janë negativë dhe flasin për një ekonomi jo të qëndrueshme, jo të mirëstrukturuar, që nuk bazohet në pasuritë nëntokësore. Taksat dhe tatimet mblidhen prej tyre me vështirësi dhe evazioni fiskal në këto sektorë është tepër i lartë.

Cilat janë disa nga tiparet e drejtimit të qeverisë që nuk mund t’i përfshish në “Kapitalizmin e Menaxhuar”?

– Qeveria shqiptare ka 12 vjet që qeveris pa ndryshuar Ministrin e parë në një kohë që në një vend demokratik si Anglia për 2 vjet u ndryshuan 4 Minnistra të parë.

– Qeveria kontrollon plotësisht Parlamentin. Parlamenti i mëparshëm ishte plotësisht monist dhe kontrollohej nga kjo qeveri. Kjo ndodhi, sepse opozita e braktisi atë. Parlamenti u mbush me zevendësues të radhës, të cilët ishin thuajse të gjithë pro qeverisë. Ministri Parë shkon në Parlament dhe jep llogari kur do ai dhe jo kur e thërrasin.

– Qeveri jo profesionale. Administratë tatimore jo profesionale. Një pjesë e Ministrave dhe Zv.Kryeministrave të qeverisë kanë qenë ose janë jashtë profilit të tyre. Nuk kanë shkallën e duhur të kualifikimit, një pjesë e tyre kanë dalë me plagjatura në studimet e tyre. Administrata është përcaktuar nga Organizmat Financiarë Ndërkombëtarë si e pa aftë, e pa kualifikuar:

=Në Shqipëri mungon sundimi i ligjit. Zë vendin e 87 në botë.

=Niveli korrupsionit është i lartë. Renditet në vendin e 101 dhe 36 pikë.

=Indeksi Bazelit kundër pastrimit të parave është i lartë. Renditet  në vendin e 74 me 4.92 pikë

Qeveria ka zgjedhur rrugë të gabuara për mbushjen e buxhetit të shtetit. Ajo e shikon sigurimin e të ardhurave te:-Zbatimi amnistisë fiskale për emigrantët. -Amnistia fikale për ndërtimet pa leje. -Pasaportat e Arta. -Legalizimi kanabisit mjekësor.

Një pjesë e këtyre masave që shprehin legalizim të informalitetit janë argumentuar prej qeverisë se i do shumica e popullit. Kjo është mbështetur nëpërmjet “Këshillimit Kombëtar” në formën e një pyetësori, të realizuar nga qeveria në janar-mars 2022 (Këshillimi Kombëtar 2022) dhe jo në referendum.

-Qeveria kërkon të qeverisë bashkë me popullin, (bashkëqeverisje). Kjo nuk ka ndodhur as në sistemin socialist. Qeveria nuk e pyet popullin për asnjë vendim që merr, por me këtë vendim kërkon ta bëjë bashkëpërgjegjës për mosrealizimin e objektivave të saj. Qeveria flet për bashkëqeverisje, por ajo nuk e pyet popullin për PPP-të dhe koncensionet, për shkatërimet e resorteve dhe pronave të tjera të shqiptarëve, për marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur”, për vendosjen e çmimit tavan, për karburantet dhe mallrat ushqimore, për degën kryesore të ekonomisë shqiptare, për shkatërrimin e Kombinatit të Ballshit, për amnistinë fiskale dhe amnistinë e ndërtimeve pa leje, për “pasaportat e arta”, për shkatërimin e Portit të Durrësit dhe dhënien për Port skafesh arabëve dhe për ndërtimin e qindra apartamenteve në zonën më të preferuar të Durrësit, etj, etj.

Kjo qeveri që sundon, që komandon dhe jo që menaxhon nuk mund të jetë “kapitalizëm i menaxhuar”, por një kopje e keqe e tij. Ky është më shumë një regjim despotic- kleptoetatist.

Më poshtë do shikojmë se si është organizuar:

Sistemi Amerikan. SHBA kanë një ekonomi të pakoordinuar tregu, një treg liberal dhe neoliberal ku shprehet skepticizmi i rolit pozitiv të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Sistemi amerikan është i drejtuar nga tregu, nga konsumizmi, veçimin e oligarkëve dhe pasurimi i tyre në kurriz të të drejtave themelore shoqërore (Gjilpin 2001,150).

Financimet e kompanive në SHBA vijnë kryesisht nga tregu financiar dhe bursa dhe jo nga bankat tregtare. Ka rëndësi pasi i kanë bilancet e tyre transparente. Strategjia e tyre është maksimizimi i madhësisë së dividentit. Maksimizimi madhësisë së dividentit quhet PVA(Parimi i Vlerës së Aksionit). Firmat synojnë të maksimizojnë fitimin në një periudhë kohe sa më të shkurtër.

Organizatat e kapitalit ndjejnë pak përgjegjësi shoqërore. Mbrojtja e punësimit nuk është e zhvilluar me ligj, ose është pak e zhvilluar në SHBA.

Sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve janë të dobëta dhe pa mbështetje ombrellë. Faktorët që kanë ndikuar në rolin e dobët të sindikatave janë; politikat antisindikaliste të ndërmarrjeve dhe politika e qeverisë kundër sindikatave.

Punësimi është afatshkurtër dhe i pasigurtë me paga në nivel ndërmarrje. Kontratat Kolektive të punës thuajse nuk njihen. Shembulli i luftës së qeverisë kundër sindikatave e ka dhënë Presidenti Ronald Regan për vendosjen e ndalimit përgjithmonë të punësimit në shërbimin civil të kontrollorëve të trafikut ajror që hynin në grevë (Reich 2008;108fv).

Tregu arsimor priret të sigurojë një kualifikim të përgjithshëm, përgjithësisht për sektorin e shërbimeve me paga të ulta, që të kenë mundësi për të gjetur punë. Punonjësit e kanë punën të pasigurtë, sepse sipërmarrësit zbatojnë parimin “punëso dhe pusho” sipas situatës ekonomike.

Qeveria financon pak në fushën e shkencës civile, ajo financon në fushën ushtarake që më vonë aplikohen edhe për interesa civile.

Marrëdhëniet midis kompanive duket se nuk janë miqësore, ato konkurojnë me ashpërsi midis tyre, me më shumë forcë sesa në ekonomitë e koordinuara si në rastin e ekonomive Suedeze dhe Gjermane. (Hinchmann 2006;350). Firmat integrohen me njëra tjetrën në shkallë minimale, as bankat dhe as firmat e tjera nuk marrin pjesë në këshillat mbikqyrëse të tyre.

Shteti ndërhyn në treg vetëm për të ndaluar krijimin e karteleve dhe fiksimin e çmimeve, sepse mbizotëron “liria ekonomike”, “laissez faire”.

Britania e Madhe, ekonomi liberale tregu e pakoordinuar, e ngjashme më shumë me ekonominë e SHBA-ve sesa me ekonomitë e Evropës kontinentale. Financimi i kompanive realizohet më së shumti nga tregu financiar dhe bursës. Synimi kompanive është masimizimi fitimit.

Fitimi është kushti kryesor për të përfituar kapital, ndryshe nga sa është psh në Gjermani. 80% e pronarëve të kompanive të BM janë “investues financiarë dhe privatë” që kanë për synim maksimizimin e fitimit. Karakteristikë e synimeve të kompanive angleze është “synimi” drejt asaj që arrihet shpejt.

Në kapitalizmin Britanik përbën avantazh shkalla e lartë e punësimit dhe norma e ulët e papunësisë. Dizavantazh në krahasim me SHBA-të dhe Gjermaninë është rendimenti i ulët i punës dhe orientimi drejt fitimit afatshkurtër.

Sindikatat britanike janë në nivel të dobët në krahasim me nivelin e tyre në shkallë botërore. Kjo sepse sindikatat angleze u copëtuan, në 90 kishte mbi 300 sindikata. Ato nuk janë në lartësinë e duhur, sepse nuk janë të zhvilluara sipas degëve, por mbi bazën e profesioneve e para, dhe e dyta, kompanitë nuk e kanë të detyruar për t’i krijuar ato, “këshillat e punës”. E treta të drejtat e sindikatave u rrudhën sistematikisht nga Qeveria konservatore e Margaret Thatcher-it(79-90). Shkalla e pjesëmarrjes në sindikatë është  30% nga 11.6% që ishte në SHBA. Anglia ka vendosur pagën minimale në 1999. Kompanitë janë organizuar në mënyrë më hierarkike sesa ekonomitë e kordinuara. Mbizotëron roli drejtorit dhe ndarja konvencionale dhe rigoroze e punës, ndryshe nga bashkëvendimarrja dhe punë në ekip që sundojnë në Gjermani (Ëood 2001;250).

Arsimi synohet i përgjithshëm, për më shumë punësimi, sepse: Së pari, ngaqë njerëzit qëndrojnë pak në një punë, nuk kërkojnë të specializohen në një arsim të caktuar, së dyti, ka elasticitet të madh të tregjeve. Edhe punonjësit e kualifikuar punësohen shpejt dhe pushohen shpejt. Nuk kanë interes firmat të kualifikojnë punonjësit, pasi ata qëndrojnë në një periudhë të shkurtër në firmë.

Mungesa e kualifikimit sjell rendiment të ulët të punës, për pasojë ekonomitë liberale drejtohen te produktet e thjeshta për t’u prodhuar me metoda standarte prodhimi.

Integrimi i kompanive midis tyre është i rrallë. Projektet e përbashkëta midis kompanive janë të rralla. Bashkëpunim kompanitë kanë me shtetin. Transferimi i teknologjisë bëhet nëpërmjet shkëmbimit të personelit tekniko shkencor, nga institutet shkencore te kompanitë private dhe anasjelltas.

Sistemi Suedez. “Ekonomia suedeze karakterizohet nga fakti që punëdhënësit dhe punëmarrësit bashkëpunojnë intensivisht për caktimin e pagave. Të dyja palët dhe tregu i punës janë përfshirë në ofrimin publik të formimit profesional dhe financimi i kompanive përfshin një kombinim të bankave të brendshme, të pronësisë së kryqëzuar në ndërmarrje dhe rrjeteve të informacionit të biznesit, për sigurimin e kapitalit të kompanisë”(ESD 2020:126).

Sistemi me “Punësim të plotë” është në pajtim me “politikën e pagave të bazuar në solidaritet”, pa presione inflacioniste. Synohet kalimi nga një sektor në një sektor tjetër më efektiv duke siguruar rritje të pagave. Suedia synon mbi bazën e “politikës së pagave solidare”, “për punë të barabartë të japë pagë të barabartë” duke u bazuar në rendimentin mesatar të punës, e para dhe e dyta të uli ngushtimet midis llojeve të ndryshme të punës. Kusht është negocimi i pagave në nivel Qëndror dhe jo në nivele të ulta. Punëdhënësit dhe punëmarrësit bashkëpunojnë midis tyre ngushtësisht për përcaktimin e pagave.

Objektivi i Politikës Ekonomike Suedeze nuk është të ruajë vendet ekzistuese të punës, por t’u jepet mundësia njerëzve të rritin punën produktive duke u bërë më konkurues në tregun ndërkombëtar.

Modeli RM rekomandon politika të repta ndaj kufizimit të Kërkesës Agregate dhe Deficitit Buxhetor. Në këtë mënyrë kompanitë me rendiment të ulët të punës vendosen në pozita mbrojtëse në raport me kompanitë e tjera me rendiment të lartë.

Sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve kanë një nivel të lartë organizimi jo si në SHBA dhe në Britaninë e Madhe. Partneriteti i fortë punëdhënës e punëmarrës është një nga arsyet më të forta të suksesit të marrëveshjeve midis palëve.

Kompanitë kanë pronësi të kryqëzuar. Ka bashkëpunim të madh midis kompanive, ka rrjete të fuqishme informacioni për bizneset, për transferimin e teknologjisë, për sigurimin e kapitalit etj.

Sistemi i financimit të kompanive në Suedi bazohet në financimin e brendshëm prej bankave. Pronësia e kryqëzuar e aksioneve është e përhapur në kompanitë suedeze.

Sistemi arsimor bazohet në formimin profesional specifik. Ka 14 programe veç rrugës akademike për përgatitje. Të gjithë studentët angazhohen vullnetarisht. Ka kombinime të kualifikimeve dhe kualifikimi profesional plotësohet edhe me kualifikim të përgjithshëm.

Më lartë dhamë dy modele ekonomike, ekonomi të koordinuara të përfaqësuara nga ekonomia Suedeze dhe ekonomi jo të koordinuara të përfaqësuara ng ekonomitë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Me Shqipërinë mund t’i krahasoj kushdo.