Pro.Dr. Elmaz Sherifi: Halli i deputetit dhe zbythja e kryeministrit!

279
Sigal

Dara disa ditësh, Kuvendi i Shqipërisë diskutoi kërkesën e kryeministrit për ta shtyrë Fatkeqësinë Natyrore deri më 23 qershor. Sipas ligjit, Fatkeqësia Natyrore e shpallur me Akt Normativ të qeverisë, nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë. Kryeministri e plotësoi dëshirën e tij me vulën e “noterit Kuvend”. Vendimi është antikushtetuese, se edhe Kuvendi nuk mund ta bëjë “noterimin”, me një afat më të gjatë se 30 ditë.

Kur opinioni publik ndiqte qëndrimin e “opozitës institucionale”, besoj se u befasua kur shqetësimi i opozitës, nuk ishte veprimi antikushtetues, por meraku, i shprehur me ankth, se po konstatohet një lëvizje nga maxhoranca, për t’ia “kaluar pushtetin” Lulzim Bashës! Deputeti e mori përgjigjen nga kryetari Ruçi, kur i kërkoi ta falenderonte Bashën që e solli në Kuvend.

Shqetësimi i “opozitës institucionale”, e ka një bazë.

Shtyrja e Fatkeqësisë Natyrore, kur po lejohet hapja e mijra bizneseve çdo javë, tregon se qëllimi është kufizimi i të drejtave politike, sepse, kryeministrit po i ikën “situata nga dora”, duke i’u shtuar dështimet.

Kryeministri depozitoi me urgjencë e propagandë akt padinë ndaj Gazetës Bild, dhe e ka tërhequr padinë në fshehtesi, tani nuk ndihet, e nuk e sqaron opinionin, pse nuk i’u përmbajt premtimit, për t’i “dhënë një mësim” edhe gazetarit të Bild, që denoncoi “dosjen e përgjimeve” në deformimin e procesit zgjedhor.

Dështimi i dytë më i dukshëm është humbja e përballjes me Kryetarin e Shtetit. Komisioni Hetimor i Kuvendit është degjeneruar, me shtyrjen disa herë të afatit të hetimit për shkarkimin e Presidentit, duke e çuar në”Kalendat Greke”, sepse, sipas tyre, tani “karrikja nuk është bosh”, dhe Kryetari i Shtetit është bashkëpunues ! Kjo “përdredhje e gjuhës” dhe sjelljes politike ndryshoi pas shuplakës që dha Komisioni i Venecias, të cilës i’a kërkuan interpretimin e dekreteve të Presidentit.

Dështimi i tretë, është zbythja nga Ligji Antishpifje, që do të dënonte gazetarët që kritikojnë qeverinë, pasi kritikat janë shtuar nga shumë institucione ndërkombëtare. Këto ngjarje e shqetësojnë shumë “opozitën institucionale”, prandaj si kusht për ta vazhduar bashkëpunimin, kanë vendosur “dënimin e Bashës”! Shqetësimet po rriten edhe te kryeministri, edhe te “opozita institucionale”. Hall i madh na ka gjet.