Privatizimi i OSHEE, MEI kallëzon penalisht Boden, Rulin dhe MImën

534
Ministria e Energjisë dhe Industrisë kallëzon në Prokurori tre ish-Ministra të qeverisë Berisha për shkelje në privatizimin e OSHEE, favorizimin e mëtejshëm të kompanisë CEZ a.s gjatë aktivitetit të saj dhe mosmarrjen e masave të duhura në mbrojtje të interesave të shtetit shqiptar, pas heqjes së licencës për CEZ Shpërndarje.
MEI thotë se pas auditimit të thellë që i është bërë këtyre proceseve, ka kallëzuar në prokurori 3 ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode dhe Florjon Mima; 2 ish-zv.ministrat Enno Bozdo dhe Neritan Alibali; ish-këshilltaren e ish-Kryeministrit Suzana Guxholli; ish-Drejtoreshën e Përgjithshme të Shërbimeve Tregtare në ish-METE Mimoza Vokshi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Sipas auditit, dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në 57,931,041,292 lekë ose ndryshe 414 milion euro.
Dëmet e shkaktuara
22,806,087,840 lek si dëm i shkaktuar nga ngritja e çmimit tme pakicë 2010-2014. Vendim i ERE nr.100, datë 15.12.2010 ku çmimi mesatar rritet nga 8.45 në 9.53 lek/KWh.
13,603,704,156 lek si pasojë financiare nga rivlerësimi i borxhit të keq, për periudhën 31.12.2007-31.05.2009 sipas deklaratës rregullatore.
8,818,986,918 lek dëm i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitet 2012-2014, për efekt të rritjes së borxhit të keq nga 14% në 16.85%.
5,980,000,000 lek dëmi i shkaktuar për falje detyrimesh për kredi afatgjata Mars 2009.
2,871,232,945 lek dëmi i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitin 2011, për efekt të ndryshimit të humbjeve nga 32% në 34.65%.
1,900,000,000 lek dëm nga pranimi për pagesë detyrimi i pranuar i KESH por i paargumentuar për kohën e krijimit.
1,572,029,433 lek dëm i shkaktuar nga rregullimi i çmimit të marrëveshjes.
379,000,000 lek dëmi i shkaktuar nga kompensimi i diferencës tarifë shitjeje energjie për vitin 2009.
MEI: Shkeljet e konsumuara dhe dëmi ekonomik nga secili prej të akuzuarve
Genc Ruli, Ministër në ish METE dhe Neritan Alibali, Zv. Ministër në ish-METE, sëbashku me persona të tjerë, anëtarë të KVO, anëtarë të grupit të negocimit të marrëveshjes, kallëzohen pasi kanë kryer veprime e mos veprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë përgatitjes, zhvillimit të procedurave të tenderimit dhe negocimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shitjes së 76 % të aksioneve të OSSH-së.
Enno Bozdo, Zv. Ministër në ish-METE dhe persona të tjerë të pa identifikuar, kallëzohen për propozim të akteve nënligjore, për tregues që janë kompetencë e institucioneve të pavarura rregullatore; si dhe kryerjen e veprimeve e mos veprimeve për ndjekjen e procedurave perkatëse pas heqjes së licencës së CEZ shperndarje.
Mimoza Vokshi, ish Drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Tregtare në ish METE dhe persona të tjerë të pa identifikuar, kallëzohen për veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrës lidhur me përgatitjen (paketimin) e OSSH sha për privatizim.
Ridvan Bode, ish Ministër në Ministrinë e Financave, Suzana Guxholli, ish Këshilltare pranë ish Kryeministrit si dhe persona të tjerë, kallëzohen pasi me veprimet e mosveprimet e tyre, në vitin 2012 kanë hyrë në një proces për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve rregullatore të lindura midis kompanisë CEZ Shpërndarje dhe ERE, si dhe kanë vijuar me dhënien e miratimeve, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, për vendime jashtë kompetencave të tyrë institucionale.
Florjon Mima, Ministër në ish METE si dhe persona të tjerë të pa identifikuar kallëzohen për kryerjen e veprimeve e mos veprimeve në kundërshtim me përmbushjen e detyrës, për ndjekjen e procedurave përkatëse pas heqjes së licencës së CEZ Shpërndarje.
Nga veprimet e mosveprimet e kundraligjshme të personave të lartpërmendur dhe personave te tjerë, kanë ardhur pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe janë krijuar përfitime të padrejta materiale për subjekte private. MEI kërkon fillimin e ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar, për kryerjen e vepres penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
Provohet se të kallëzuarit dhe persona të tjerë, duke qënë persona që ushtronin funksionet më të larta publike në ish METE dhe apo në institucione të tjera, me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme, që janë:
– nxjerrja për privatizim i një shoqërie të sapo krijuar, por me rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjitik të sajin, pa asnjë eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë, pa astete të përcaktuara, duke e paraqitur OSSH si funksionale, me qëllim privatizimin me shpejtësi të saj,
– duke ndryshuar tregues të përcaktuar në Deklaratat Rregullatore, e duke marrë pushteti ekzekutiv kompetenca të Entit Rregullator;
– duke kualifikuar dhe shpallur fitues ofertuesin CEZ, në shkelje të hapur të kushteve minimale të performancës teknike, të cilat ishin shpallur me parë si kritere kualifikuese, e konkretisht në shkelje të VKM nr. 835 datë 11.06.2008, i ndryshuar; 
– duke negocuar me kompaninë CEZ për nivelin e borxhit të keq që do të pranohej në llogaritjen e të ardhurave të kërkuara nga kompania, në kundërshtim e në kapërcim të kushteve të procedurës konkuruese, të përcaktuara më parë;
– duke negociuar për treguesin e humbjeve totale, si tregues i kushteve minimale të performancës teknike, i panegocueshëm;
– duke pranuar gjatë negocimeve të kryera, të gjitha kërkesat e ofertuesit të bëra gjatë paraqitjes së ofertës teknike, nga mosnjohja e situatës, si pasojë e mosfunksionimit real të OSSH dhe mosqënies së saj e gatshme për privatizim,
– mosvazhdimin e procesit për rivlerësimin e cmimit të shitjes, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në nenin 3.3, të MSA datë 11.03.2009, dëshmon qartë për një proces fiktiv, me fitues të paracaktuar, me parregullsi dhe shkelje të shumta, duke i sjellë atij përfitime të padrejta e të pa merituara si dhe duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit dhe publikut, per shumen 57,931,041,292 leke/ 414 Milion Euro.
Konstatohet se persona me autoritet shtetëror, pa asnjë tagër ligjor, kanë hyrë në një proces për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve rregullatore të lindura midis kompanisë CEZ Shpërndarje dhe ERE. Nuk administrohet asnjë dokumentacion se mbi cfarë baze është ngritur Grupi i Punes dhe cili ka qënë qëllimi i tij. Për më tepër, mbi bazën e fakteve të mësipërme, konstatohet se këta persona, në tejkalim të plotë të kompetencave që u ngarkon ligji, kanë rënë dakort me CEZ në dëm të interesave të një kompanie tjetër publike, siç është KESH.
Gjithashtu, provohet se këta persona kanë vijuar me dhënien e miratimeve dhe kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, për një vendimarrje që nuk i takonte institucionit të tyre, por ERE-s si një institucion i pavarur, i ngarkuar me ligj, për miratimin e tarifave të energjisë elektrike.
Gjithashtu mos veprimet e strukturave përkatëse, pas heqjes së licensës, e konkretisht: – mosveprimi në drejtim të vlerësimit të aseteve të shoqërisë CEZ sha; – mosveprimi për fillimin e procedurave të shpronësimit të aksioneve, kundrejt një shpërblimi të drejtë, si dhe për mbledhjen e dokumentacionit provues; – mosmarrja e veprimeve për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar ndaj kompanisë CEZ për mospërmbushje të detyrimeve të saj, të përcaktuara në kuadrin rregullator specifik, dëmtuan rëndë pozitën mbrojtëse të shtetit në arbitrazhin ndërkombëtar të filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare.
Mos veprimet e mësipërme, kanë qenë të qëllimshme, e me pasoja të rënda për Buxhetin e Shtetit, në kuadër të përfitimeve e privilegjeve të pa drejta që i ishin lejuar shoqërisë CEZ a.s. që në momentin e shpalljes fitues për privatizimin e OSSH, duke lënë pezull problemet, si dhe duke i lënë kësaj shoqerie kohë dhe mundësi për të filluar procesin gjyqësor ndaj shtetit shqiptar, e madje duke i krijuar CEZ a.s. hapësira e argumenta edhe për ta fituar këtë proces.
Sigal