President Bajram Begaj, ka mbajtur sot pritjen zyrtare në kuadër të festimeve për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në ambientet e Presidencës.
Gjatë fjalës së tij Presidenti Begaj u shpreh se kjo ditë e ka gjetur Shqipërinë një hap më pranë Bashkimit Evropian, ndërsa shtoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv për paqe dhe bashkëpunim rajonal.
Ndër të tjera, Presidenti u bëri thirrje parlamentarëve, për të cilët tha se në jetën parlamentare duhet të udhëhiqen nga respekti dhe jo mllefi.
“Kjo ditë e gjen Shqipërinë një hap më pranë BE-së. Në këtë kontekst vlerësoj arritjet e Reformës në Drejtësi, e cila po jep rezultate dhe po krijon shpresë dhe besueshmëri tek publiku, por edhe tek partnerët tanë. Inkurajoj strukturat e drejtësisë të vazhdojnë të punojnë me profesionalizëm dhe përkushtim. Besoj se komuniteti i BE-së do të veprojë me hapa konkretë në drejtim të përshpejtimit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo është jetike për ne dhe strategjike për BE-në.
Ballkani Perëndimor mbetet një vatër e ndjeshme për Evropën, që mund të shfrytëzohet nga faktorë të tretë për të shkaktuar pasiguri. Shqipëria do vijojë të luajë rolin e saj në sigurimin e paqes.
Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën duhet të jetë sa më i ngushtë dhe përplotësues. Kemi edhe më shumë për të bërë për t’u ngritur në nivelin e pritshmërive të qytetarëve tanë. Faktori shqiptar ka dalë në një dritë të re në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare. Angazhimi ynë diplomatik duhet të ecë paralelisht me përmirësimin e jetës politike brenda dhe jashtë vendit. Shqipëria konkurron me vendet e tjera sa i përket burimeve të saj njerëzore. Ekonomia ka njohur rritje të mirë dhe vëmendje duhet të kushtohet për shëndetësinë, bujqësinë dhe arsimin.
Është po ashtu momenti që të sigurohet vota e diasporës dhe përfaqësimi i saj politik me reformën zgjedhore. Shqipëria nuk ndërtohet as me indiferentizëm dhe as pasivitet, por me punë. Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend, që kokëulur të punojnë për një Shqipëri që sundohet nga ligji, që ka prioritet të mirën e të gjithëve. Në jetën tuaj parlamentare të udhëhiqeni nga interesi kombëtar, nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi, nga respekti dhe jo mllefi dhe mbi të gjitha nga përgjegjësia mbi të ardhmen dhe nga dashura për atdheun”, u shpreh presidenti Begaj.