Presidenti të zgjidhet nga populli, me kompetenca të reja kushtetuese

535
Prof. As. Afrim Krasniqi, politolog dhe ish këshilltari i presidentëve Mojsiu dhe Topi, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet për ndryshimet kushtetuese që janë të domosdoshme të bëhen, në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së presidentit, me rolin që duhet të ketë Presidenti në sistemin e drejtësisë, etj. Prof. As Afrim Krasniqi pohon se deri tani ekspertët e komisionit të reformës nuk kanë përfshirë çështjen e zgjedhjes së presidentit, por më shumë debatet kanë të bëjnë me rishikimin e kompetencave. Konstastimi i dytë i politologut Krasniqi, si njohës i mirë i kësaj çështjeje, është se “Në raportin aktual të ekspertëve të reformës në drejtësi ka një keqkuptim të madh tipik për vendet ku logjika politike dominon logjikën institucionale”. Gjithashtu, zoti Krasniqi shprehet se “Ka një keqkuptim të madh publik, sipas të cilit, nëse Presidenti zgjidhet nga qytetarët direkt, atëherë kalojmë në sistem presidencial, apo rriten ndjeshëm kompetencat e tij. As njëra dhe as tjetra nuk është e saktë”. Së fundi, zoti Krasniqi thotë se reforma duhet të çlirohet nga konflikti i interesit të vet hartuesve, të mbrojë pavarësinë dhe duhet të zgjerohet me ndërhyrje në sektorë të tjerë dhe ka nevojë për shikim nga jashtë me syrin qytetar e publik, për më shumë transparencë. 
– Zoti Krasniqi, të gjithë aktorët politikë sot diskutojnë nevojën e ndryshimeve kushtetuese, për sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit të Republikës, rolit dhe kompetencave që ai duhet të ketë në Drejtësi etj. Së pari, një vlerësim tuajin, për ato që maxhoranca dhe opozita deri tani janë shprehur për këto ndryshime?
– Paketa e ndryshimeve Kushtetuese, e përmendur nga ekspertë të komisionit për reformën, apo nga politikanë të përfshirë në reformë, fatkeqësisht, nuk ka përfshirë çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Projektet në debat kanë të bëjnë më shumë me rishikimin e kompetencave presidenciale, sesa me zgjedhjen e tij. Në fakt, më e udhës do të kishte qenë e kundërta, – ndryshimi i formës së zgjedhjes së Presidentit, që më pas të flitet edhe për kompetencat e tij në sistemin politik dhe në drejtësi. Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende me demokraci të re në rajon (Kroacia, Sllovenia, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia) ku Presidenti nuk zgjidhet direkt nga qytetarët. Kosova ka arritur një akord politik për kalim në zgjedhje direkte, kurse në Shqipëri nuk ka asnjë hap përpara, përkundrazi. Me ndryshimet kushtetuese 2008 u bënë hapa pas dhe për pasojë, nga një president përfaqësues i koalicioneve politike të shumicës absolute u kalua tek presidenti si produkt partiak i shumicës së deputetëve.
– A mundet që pa ndryshuar formula e deritanishme kushtetuese e zgjedhjes së Presidentit, të bëjmë fjalë për ndryshime kushtetuese që kanë lidhje me rolin dhe kompetencat e Presidentit në Drejtësi?
– Po, mund dhe duhet të ketë ndryshime. Për shembull, e shikoj pozitive idenë që të ketë një rishikim të kompetencës së Presidentit në raport me përgjegjësinë e tij në KLD. Së pari, sepse është kryetar formal pa ndikim në vendimmarrje dhe së dyti, sepse ai voton në KLD dhe pas votimit, ka edhe të drejtën e vetos mbi një proces, ku ka votuar më parë. Pra, veto edhe mbi votën e vet nëse kjo votë, nuk ka siguruar shumicën. Kjo nuk shkon dhe mund të ndryshohet. Ka modele pozitive, të cilave mund t’u referohemi. Po ashtu është pozitive krijimi i një baze ligjore që bën më përfaqësuese dhe më transparente emërimet në Prokurori, apo nevoja për një ligj funksional për institucionin e Presidentit të Republikës. Duhej të ishte miratuar më 2001, por 14 vjet më vonë ende nuk ka ligj organik as për Presidentin dhe as për Parlamentin.
– Mendoni se rishikimi i rolit të Presidentit në Drejtësi, është nyja e ngërçit të problemit në Drejtësi sot?
– Jo, ka më shumë rol garantues dhe protokollar, sesa thelbësor në proces. Le t’ju jap një shembull: në të gjitha rastet e skandaleve në KLD në 10 – 12 vitet e fundit Presidenti ka humbur në votim dhe për pasojë, ka marrë një përgjegjësi publike që nuk e meriton. Nga ana tjetër, në gjyqësor ndjehet dukshëm pushteti partiak, sidomos presioni partiak i mazhorancave të radhës. Kjo përbën kërcënim për sistemin dhe efektivitetin e tij, dhe përballë tij, një institucion presidencial me integritet dhe besueshmëri përbën një garanci demokratike dhe vlerë pozitive. 
– Duke patur parasysh, kulturën tonë politike dhe demokratike, por edhe stadin e zhvillimit demokratik dhe perspektivën e integrimit, cilat ndryshime kushtetuese janë të nevojshme për rolin dhe kompetencat e Presidentit të Republikës?
– Në raportin aktual të ekspertëve të reformës në drejtësi ka një keqkuptim të madh tipik për vendet ku logjika politike dominon logjikën institucionale: shumica e referimeve ndaj Presidentit janë bërë me konotacion negative dhe personalizim, pra duke i parë ndryshimet të lidhura me emrin e Bujar Nishanit, jo me Institucionin e Presidentit. Kjo nuk shkon, nuk ka sens, është optikë afatshkurtër dhe përbën devijim nga pritshmëritë e reformës. I njëjti gabim u bë me Kushtetutën 1998, kur p.sh, u krijua një institucion si kryeprokurori, duke pasur parasysh emrin në detyrë, sapo ai u shkarkua, palët nisën punën për ndryshimin e Kushtetutës në mandatin e tij. Nuk duhet që pas 4-5-8 vjetësh të detyrohemi ende të ndërhyjmë në Kushtetutë për kompetencat presidenciale vetëm se më 2015 hartuesit dhe deputetët duan të bëjnë ndryshime afatshkurtra që lidhen me emrin aktual në detyrë. Zoti Nishani ka edhe 1.5 vjet mandat, kurse Presidenti i Republikës, si institucion, është e do jetë i përjetshëm në sistemin politik shqiptar. Parë në këtë aspekt, ka propozime me vlerë, por edhe ide kritike prej të cilave duhet hequr dorë. Unë kam pasur rastin të debatoj në takimet konsultative me grupin e punës dhe e shoh pozitive faktin se në tërësi më kanë dhënë të drejtë në këtë kritikë. Le të shohim draftin konkret të fazës së dytë për të gjykuar nëse do ketë reflektime.
– Cilat janë të mirat dhe të metat e zgjedhjes së presidentit nga populli dhe zgjedhjes së presidentit me 3/5 e Kuvendit?
– Presidenti ka mbi të gjitha pushtet moral dhe, kur zgjidhet direkt nga qytetarët, ky pushtet moral merr vlerë të veçantë. Zgjedhje direkte rrit besueshmërinë e aktit dhe integritetit presidencial, si dhe e vë vetë presidentin në përballje publike me votën qytetare në rast rikandidimi. Në kushtet aktuale, nuk janë këto mundësi, dhe ne pamë sesi më 2012 emri i Presidentit u ndryshua në momentin e fundit. Pra kushdo që ndodhet në vëmendjen e duhur të shefit të mazhorancës mund të jetë President. Kjo nuk shkon, e dobëson institucionin, e mban peng politik atë, dobëson raportet e kreut të shtetit me qytetarët dhe dëmton sistemin e meritës, konkurrencës dhe të vlerave përfaqësuese.
– Duke ndryshuar në Kushtetutë, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, cilat kompetenca kushtetuese duhen ndryshuar dhe deri në çfarë niveli?
– Ka një keqkuptim të madh publik, sipas të cilit, nëse Presidenti zgjidhet nga qytetarët direkt, atëherë kalojmë në sistem presidencial, apo rriten ndjeshëm kompetencat e tij. As njëra dhe as tjetra nuk është e saktë. Po ju jap një shembull: Presidenti në Maqedoni zgjidhet direkt nga qytetarët, madje me dy raunde, por ai ka më pak kompetenca sesa Presidenti në Shqipëri që zgjidhet me 50+1% të votave. Presidenti shqiptar i periudhës 1992-1998 ka pasur më pak kompetenca sesa ka presidenti në Serbi, në Kroaci, në Slloveni, etj, megjithëse këta të fundit zgjidhen direkt nga qytetarët. Madje edhe Presidenti në Itali (zgjidhet nga dy dhomat dhe një përfaqësi rajonale) ka më shumë pushtet, sesa presidentët tanë rajonalë që zgjidhen direkt nga qytetarët. Pra, zgjedhja direkte nuk ndryshon patjetër kompetencat, megjithëse qytetarët votues kanë nevojë të shohin një kryetar shteti funksional dhe me hapësirë veprimi më të madhe sesa aktiviteti ceremonial e protokollar. Edhe kritika absurde, se vende si ne kemi nevojë të kemi kryeministra të fortë dhe president të dobët, është në dëm të sistemit përfaqësues dhe funksional. Mandati presidencial është 5 vjet dhe gjatë këtyre viteve bëhen të paktën dy zgjedhje parlamentare, pra mund të ketë rotacion politik, ose mund të ndodhë që ndryshohen disa kryeministra. Për shembull gjatë mandatit Moisiu u ndryshuan kryeministrat Majko, Nano e Berisha, gjatë mandatit Meidani u ndryshuan Nano, Majko e Meta, gjatë mandatit Nishani u ndryshuan Berisha e Rama…dhe kjo praktikë është normale të vijojë në vitet e ardhshme. Ne kemi nevojë për institucione garancie dhe institucioni i presidentit është i tillë nëse ushtrohet me cilësinë e duhur dhe nëse partitë e lejojnë atë të veprojë pa i krijuar pengesa artificial politike.
– Këto ndryshime kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, a duhet që të shoqërohen edhe me ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri? 
– Po, patjetër. Imagjinoni që Presidenti të zgjidhet direkt, atëherë ai ka më shumë besueshmëri dhe integritet zgjedhor sesa deputetët e emëruar nga kryetarët e partive. Sistemi ynë ka devijuar dukshëm nga qytetari, nga sistemi direkt i zgjedhjes (mazhoritar) më 1991 ka shkuar tek sistemi i listave të mbyllura proporcionale, ku qytetari nuk ka mundësi zgjedhjeje dhe ku partitë e kryetarët e tyre vendosin fatin e karrierës politike dhe ushtrojnë sovranitetin qytetar, – një zhvillim në thelb i kundërt me parimin kushtetues të sovranitetit. Zgjedhja direkte e Presidentit mund të sjellë edhe një President partiak (edhe Rama e Basha mund të jenë kandidatë), por të paktën mandati ndryshon shumë. Shikoni debatin e javës së kaluar: kryeministri tha se jam votuar personalisht nga qytetarët me 23 qershor 2013. Në fakt është votuar partia, koalicioni dhe jo individi, ndaj kjo deklaratë përbën devijim nga praktikat e mira demokratike, gjë që nuk do ndodhte nëse Presidenti zgjidhej direkt.
– A duhet që tani, që do të ndërmerren reforma dhe ndryshime në Kushtetutë, të bëhen ndryshime të atilla, që të kapërcejnë krizën e mundshme politike të zgjedhjes së Presidentit në 2017? 
– Mazhoranca aktuale ka të gjitha votat e nevojshme për ndryshime kushtetuese, opozita më në fund u rikthye në komisionin për reformën, partnerët tanë ndërkombëtarë janë shumë mbështetës, – pra janë të gjitha kushtet dhe rrethanat për një reformë të thellë dhe funksionale. A do bëhet? Duhet të bëhet dhe diçka me siguri do të bëhet. Unë mbetem skeptik mbi cilësinë finale dhe produktin afatgjatë të procesit. Le të marrim një rast: për kryeministrin gjyqtari më i mirë është ai që ka mbyllur dosjet e deputetëve të tij, për opozitën gjyqtari më i mirë është ai që ka bërë të kundërtën, ka hapur dosje ndaj qeverisë, për kreun e parlamentit gjyqtarët më të mirë janë ata që e gjykuan atë dhe i dhanë pafajësi. Pra secili aktor ka pikëpamje të kundërta rreth “të të mirit” dhe “më negativit” model në gjyqësor dhe prokurori. Secila palë ka pikëpamje të kundërta, por, edhe nëse ka konsensus mes tyre, praktika ka treguar se në të shumtën e rasteve konsensusi është përdorur për të ndarë pushtetin midis tyre, jo për të lëshuar pushtet politik drejt një gjyqësori më efektiv, të pavarur dhe konkurrues në vlera. Për pasojë, me këtë sistem personal vlerësimi nuk shkohet askund, duhet një lexim jashtë emrave, jashtë preferencave, jashtë raporteve aktuale politike dhe përfaqësuese, pra një reformë afatgjatë dhe institucionale.
Faleminderit
Sigal