Presidenti Nishani: Ja pse e shkarkova kreun e SHISH-it

547
Sigal

INTERVISTA/ Presidenti i Republikës tregon për ndryshimet në kupolën e SHISH-it, emërimin e Cefës dhe reformën në drejtësi

Gjatë një interviste në TV Klan, Presidenti i Republikës Bujar Nishani tregoi mbrëmë për herë të parë arsyet e zëvendësimeve në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, por edhe për çështje të rëndësishme të reformës në drejtësi, për emërimin e Elvis Cefës nënkryetar të KLD-së dhe për Kryeprokuroren Ina Rama. Në vijim po botojmë pjesë nga kjo intervistë.

Gazetarja: Zoti President, një ndër vendimmarrjet tuaja të pas betimit në postin e Kreut të ri të Shtetit ishte dhe shkarkimi i Kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Në fakt, pse e shkarkuat Kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror?

Presidenti Nishani: Në rastin e lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe emërimit të Drejtorit të ri, Presidenti i Republikës ka ushtruar tagrin e vet kushtetues, duke lejuar Kryeministrin e vendit të përmbushë të drejtat e tij ligjore. Ata, të cilët mendojnë që puna, apo detyra e Presidentit të Republikës është që të pengojë Kryeministrin e vendit të ushtrojë detyrat e tij kanë një keqkuptim të madh me sistemin. Unë besoj plotësisht në vlerat që kanë institucionet shqiptare, në çka ato kanë arritur gjatë këtyre viteve. Të mos harrojmë për asnjë çast që tashmë Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe të gjitha institucionet e këtij vendi, e këtij shteti, duke filluar që nga Presidenti i Republikës duhet t’u shërbejnë dhe do t’u shërbejnë vetëm interesave të vendit, përcaktimeve kushtetuese, të drejtave dhe lirive themelore të qytetarit shqiptar, përparimit të vendit. Padiskutim që shqetësimet e opozitës janë pjesë e vëmendjes së pandërprerë të Presidentit të Republikës, por besoj që ato duhet të jenë gjithnjë të fokusuara gjithmonë në mënyrën se si funksionojnë institucionet. Dhe, Presidenti i Republikës do të ketë një vëmendje të pandërprerë në mënyrën e funksionimit ligjor të të gjitha institucioneve ku Presidenti i Republikës ka dhe do të ketë një zë të rëndësishëm.

Gazetarja: Është e vërtetë që është detyrim kushtetues zoti President, megjithatë opozita thotë që nuk ka patur konsultë me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju thjesht e firmosni shkarkimin e tij, nuk merrni informacion më tej?

Presidenti Nishani: Shqipëria dhe të gjitha institucionet e tjera kanë një marrëdhënie të shkëlqyer me partnerët e tyre. Padyshim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partneri strategjik dhe shumë i rëndësishëm i Shqipërisë mbetet në kontakt të vazhdueshëm dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm. Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, në Tiranë, kanë treguar gjithmonë qartë se marrëdhëniet ndërtohen me shtetin, marrëdhëniet ndërtohen me institucionet, marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën, mënyrën se si funksionojnë këto institucione, të respektimit të Kushtetutës dhe të respektimit të ligjeve. Dhe, besoj që ky standard ka qenë, është dhe do të mbetet i pacenuar.

Gazetarja: Zoti President, ju jeni dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sistemi i drejtësisë edhe sot vuan nga niveli i lartë i korrupsionit. A është fajtore KLD-ja për këtë nivel të lartë të korrupsionit?

Presidenti Nishani: Të gjithë aktorët e shoqërisë kanë përgjegjësinë e tyre në tërësi në rregullimin e jetës politike, sociale, institucionale të vendit. Natyrisht që çdo institucion, në bazë të përcaktimit të detyrave dhe përgjegjësive në strukturën ligjore të vendit, ka detyrime, ka edhe përgjegjësi. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një rol të rëndësishëm në aspektin, në mënyrën e funksionimit dhe respektimit të procedurave nga ana e sistemit gjyqësor, në atë se si realizohet marrja e të drejtës nga ana e qytetarit përpara gjykatës. Por, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një moment të rëndësishëm, i cili më pas ndikon të të gjithë mënyrën e funksionimit të sistemit: ajo që ka të bëjë me vlerësimin dhe me promovimin e gjyqtarëve, e kam fjalën të Shkallës së Parë dhe të Apelit, pasi për ta ka përgjegjësi Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Gazetarja: Kjo është përgjegjësi e Këshillit të Lartë të Drejtësisë?

Presidenti Nishani: Padyshim që është përgjegjësia e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Atëherë vetë këta gjyqtarë dekurajohen dhe kjo reflektohet menjëherë tek vetë sistemi, tek vet shërbimi që do të marrin pastaj qytetarët tek sistemi i drejtësisë. Kjo reflektohet pastaj në hapin e dytë që është mungesa e besimit që kanë qytetarët tek sistemi i drejtësisë, pasi mungesa e besimit reflektohet dhe përhapet si një virozë me shpejtësi. Ndaj, gjykoj që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një mundësi shumë të madhe pikërisht për të kontribuuar për të konsoliduar kontributin në radhë të parë të gjyqtarëve për sistemin, pjesë e të cilit ata janë, dhe, duke kontribuar për sistemin në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kontribuar për drejtësinë për qytetarët.

Gazetarja: Si do ta bëni këtë zoti President? Është vetëm çështje vullneti, apo ka mungesë legjislacioni në këtë drejtim? Si promovohen gjyqtarët për nga merita e tyre?

Presidenti Nishani: Unë besoj që dhe vullneti dhe implementimi, apo zbatimi i legjislacionit kanë rëndësinë e tyre. Nuk mund të them që kemi boshllëk në legjislacion. Padyshim që vullneti është hapi i parë dhe ky duhet reflektuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Fatmirësisht, edhe në eksperiencën e mëparshme, ku kam marrë pjesë në kapacitetin e Ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por edhe tashmë si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam gjetur midis anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shprehur një vullnet pozitiv për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në ato ç’ka ne kemi përmendur deri më tash. Por, do të jetë padyshim e nevojshme që e gjithë infrastruktura ligjore që ekziston dhe që nuk është e dobët, por është e mirë, të plotësohet me akte të tjera nënligjore dhe me vendime të tjera të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili ka mundësinë për të përmirësuar, apo për të kompletuar këtë set ligjor, apo set aktesh nënligjore, në mënyrë të tillë për ta bërë më transparent procesin e monitorimit, që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka në sistemin gjyqësor, procesin e vlerësimit që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dhe procesin e gjykimit mbi gjyqtarët dhe punën e tyre që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë në kapacitetin e tij ligjor për të ushtruar.

Gazetarja: Megjithatë zoti President, edhe lidhur me funksionin tuaj si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, opozita ka, le të themi, akuzat e veta. I referohet mënyrës se si u zgjodh Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Presidenti Nishani: Zoti Cefa erdhi si përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Eksperienca dhe tërë praktika e mëparshme e të gjitha viteve të shkuara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka treguar se vendi, apo pozicioni i Nënkryetarit gjithmonë është ushtruar nga përfaqësuesi i Kuvendit të Shqipërisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kjo dhe në respekt të parimit të balancimit të pushteteve brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është Presidenti i Republikës, pra, Institucioni i Presidentit të Republikës përfaqësohet me Kryetarin në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Komuniteti i gjyqtarëve, Konferenca Kombëtare e Gjyqësorit përfaqësohet me shumicën vendimmarrëse në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Qeveria përfaqësohet me Ministrin e Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Dhe, Parlamenti ka ligjërisht tre përfaqësuesit e tij. Praktika e të gjithë kohërave për sa ka funksionuar Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë i tillë që posti i Nënkryetarit, pra dhe në respektim të balancimit të pushteteve i është ofruar përfaqësuesit të Parlamentit, Kuvendit të Shqipërisë. Së dyti, zoti Cefa nuk u emërua nga Presidenti i Republikës. U zgjodh, u votua në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

_______________________________________________

MANDATI I INA RAMËS DHE PROKURORI I RI

Gazetarja: Zoti President, dua t’ju pyes për Prokurorin e Përgjithshëm. A ka ndonjë dyshim se kur i përfundon, të paktën nga ana ligjore, mandati i Kryeprokurorit të Përgjithshëm? Një dyshim që është hedhur në fakt për shkak të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të cilat kufizuan mandantin e Prokurorit të Përgjithshëm deri në pesë vjet. Kur i përfundon mandati Prokurorit të Përgjithshëm?

Presidenti Nishani: Unë besoj që Shqipëria tashmë ka një legjislacion të konsoliduara. Ka edhe mekanizma, të cilat kontrollojnë zbatimin e legjislacionit apo kushtetueshmërinë e legjislacionit apo edhe të vendimeve të institucioneve të vendit. Ndaj që në momentin kur Presidenti i Republikës do të ketë në agjendë mandatin e Kryeprokurorit, padyshim edhe në konsultë me këshilltarët e tij dhe me specialistë, do të ndërmarrë të gjitha hapat e duhura. Për momentin ne kemi një Prokurore të Përgjithshme në detyrë, e cila do të mbështetet deri ditën e fundit të detyrës së saj nga Presidenti i Republikës në përmbushje të detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore dhe kushtetuese.

Gazetarja: Do të riemëroni Ina Ramën apo do të ketë një emër të ri?

Presidenti Nishani: Edhe kjo është një çështje e një kohe të caktuar, por unë e kam shprehur vazhdimisht publikisht që Institucioni i Prokurorisë në tërësi, Prokuroria shqiptare ka nevojë për një rritje shumë të madhe të profilit të saj profesional, për një rritje të forcës dhe të integritetit të gjithë pjesëtarëve të Prokurorisë në luftën ndaj kriminaliteti, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Personalisht e shoh Institucionin e Prokurorisë në një moment, që i duhet të ridimensionojë shumë fort profilin profesional, angazhimin dhe kurajën e saj.