“Rama tallet, kur kërkon që të ridiskutohet imuniteti në Parlament”

267

INTERVISTA/ Flet deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: “Referendumi, zgjidhje e detyruar, pas refuzimit të opozitës të miratojë reformën”

 Ecuria e realizimit të reformës së imunitetit, (por edhe të reformave të tjera të 12 prioriteteve, që janë të paprekura ende, si edhe ato të lëna pezull),  në vend që t’i ngjasë asaj rruge që ofron një stacion të përbashkët, është bërë si ajo kurbaturë e majave të maleve, që sa më lart ngjitesh, bëhen më të pjerrëta, më të rrezikshme dhe të paarrira. Berisha, ndërsa shtroi si emergjencë politike 6 gushtin, duke theksuar, se përtej kësaj date rrezikohet integrimi, tashmë, nuk ngutet, derisa deklaroi që kërkesën për referendum, do ta dorëzojë në dy javët e shtatorit. Rama, derisa nuk pranoi kurrsesi të votonte reformën e kufizimit të imunitetit në 6 gusht, duke e kushtëzuar me 4 kërkesat e ndryshimeve kushtetuese, tani, krejt papritur- siç vepron përherë- ndryshon politikën, duke mos pranuar referendumin, heq dorë nga 4 kërkesat e tij dhe kërkon ridiskutim të reformës në parlament.  Deputeti i PD-së, zoti Luçioano Boçi, në intervistën për “Telegraf”, duke mbajtur qëndrim për këto ndryshime të PD-PS, me vetveten e tyre, shpjegon se referendumi është zgjidhja e detyruar, pas refuzimit të opozitës në 6 gusht, ndërsa Rama-siç thotë zoti Boçi, tallet, derisa kërkon ridiskutim në parlament të imunitetit.

– Zoti Boçi, debati për reformën e kufizimit të imunitetit, siç po e bëjnë PD-PS, më shumë po i ngjan një propagande elektorale. Përse akoma Kryeministri ngul këmbë në një referendum dhe nuk pranon ftesën e Ramës, që ta diskutojnë çështjen në Parlament?

– Parlamenti nuk është vendi ku çështjet diskutohen sa herë këtë e kërkon dhe e do Rama, por sa herë e kërkojnë dhe e duan interesat e vendit dhe të publikut dhe çështjet e diskutuara kanë dhe kohën dhe momentin e tyre. Kjo kohë dhe ky moment kërkonin që Rama të pranonte ftesën dhe kërkesën tonë për votimin e këtij ligji tepër domethënës. Pas kësaj, Rama nuk ka as të drejtë politike dhe as morale të bëjë ftesa pa kuptim dhe të cilat nuk shkojnë më shumë se përtej propagandës dhe që njëkohësisht dëshmojnë atë që është thënë shpesh: kushtëzimin e veprimit politik të Ramës nga enturazhi miliarder, i cili e dominon atë, jo thjesht ekonomikisht dhe personalisht, por dhe partiakisht. Ky arsyetim e ndan mirë se kush e përdor këtë çështje për propagandë të pastër dhe njëkohësisht për të realizuar qëllimet e  mbrapshta antieuropianiste. Frika e Ramës ndaj referendumit është e kuptueshme, pasi kryerja e tij, jo vetëm e diskreton politikbërjen bllokuese të tij, por njëkohësisht i shtron atij rrugën e pritshme të humbjes së radhës. Referendumi nuk është vetëm votë qytetare për imunitetet, por mbi të gjitha është një veto qytetare për vetë Ramën.

– Ngecja e reformave të 12 prioriteteve, do të thotë që palët politike PD dhe PS janë diametrikisht të kundërt me njëra-tjetrën, në atë që kërkon integrimi i Shqipërisë, apo luhen lojëra politike, për interesa të ngushta partiake?

 – Nuk besoj se duhej kjo ngecje e fundit, që të gjithë të kuptonin qëndrimet diametralisht të kundërta, në raport me integrimin dhe marrjen e statusit, të dy forcave apo koalicioneve. PS-ja prej vitesh është dëshmuar si forcë politike, që synim parësor ka pasur dhe ka pengimin e këtij integrimi, për ta përdorur më pas këtë si armë beteje elektorale, ndërsa përkushtimi ynë i pandryshueshëm i gjithkohëshëm si PD, ka mbetur sigurimi i së ardhmes europiane të vendit. Dhe para këtij prioriteti dhe interesi madhor kombëtar, ne kemi zeruar çdo interes partiak të ngushtë apo të gjerë. Tjetër gjë është ajo që vazhdon të bëjë PS-ja, e cila ngushtësisht është e përqendruar në interesa imediate, arriviste politike e personale.

– Që PD-ja të bëhet e besueshme në opinion se ka vullnetin politik të luftojë korrupsionin, politikën e saj e ka fokusuar në sloganin “PD-ja qeveris, PS-ja korrupton”.  Përse shqiptarët duhet të besojnë në këtë politikë të PD-së?

– PD nuk e ka ndërtuar politikën qeverisëse me slogane emulacioniste të këtij tipi dhe ndërkohë, asnjëherë nuk e ka zbehur luftën e saj kundër korrupsionit, të cilin më së shumti e ka goditur në radhët e administratës dhe kërkon ta shtrijë dhe më tej, tek zyrtarët e lartë administrativë dhe politikë, duke e konsideruar atë një luftë asnjëherë të përfunduar dhe domosdoshmërisht të intensifikuar në çdo moment Pasioni ynë për ta luftuar atë dhe aksioni ynë faktik, politik dhe ligjor janë dhe baza mbi të cilën ndërtohet besimi i qytetarit ndaj PD-së.

– A nuk është një paradoks politik, që palët politike ndërsa akuzojnë-kundërakuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, asnjëra nuk ka ndërmarrë një denoncim juridik? P.sh, çfarë e ka penguar PD-në që të denoncojë juridikisht korrupsionet e PS-së?

– Më saktë kjo pyetje duhej të parashtrohej se çfarë e ka penguar PS-në të denoncojë juridikisht korrupsionet e pretenduara nga ajo të PD-së, ku dihet se ajo ka harxhuar tonelata letre e boje dhe kilometra fjalë e fjali për të “demaskuar” “afera” të panumërta?!. Dhe akoma më tej, pse hezitoi të heqë ajo barrierat juridike, që lidhen me ndryshimin për ligjin e imuniteteve, për të nxitur akuzat për ministrat apo deputetë të PD-së, të cilët janë, për shkak të qenurit në pozitë, më afër joshjes për të ndërmarrë veprime korruptive?! Paraqitja e saj, si objekt viktimizimi të vazhdueshëm, ka frenuar  në fakt një lloj iniciative demaskuese ndaj saj, që duket tashmë që është e domosdoshme dhe njëkohësisht është përdorur nga ajo si justifikim i refuzimeve votuese për ligjin në fjalë. Frika, për të hequr korracën mbrojtëse, dëshmon implikimin dhe njëkohësisht pafuqinë e saj për të faktuar sharjet dhe anatemat e pafundme ndaj qeverisjes .

– Mos vallë këto akuza,  të ndërsjella, të propagandës politike, janë tymnaja që synojnë të manipulojnë opinionin, për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e tjera?

– Të tilla strategji nuk konvenojnë me frymën demokratike dhe qeverisëse të PD-së. Forma të tilla i përkasin kohërave të harruara, të cilat PS-ja kërkon t’i ringjallë me insistim. Zotësia jonë matet me aftësinë për t’i përballuar dhe zgjidhur problemet dhe jo me aftësinë për t’i fshehur ato. Sigurisht, ne jemi të ndërgjegjshëm, që sfidat janë të shumta dhe të vështira, por me dëshirë e vullnet të mirë, si dhe me përkushtim absolut, zgjidhjet janë gjithmonë tek porta. Mjafton t’u hapësh derën e sinqeritetit dhe ndershmërisë.

– Qeveria, deri tani, asnjëherë nuk ka pranuar krizën ekonomike në Shqipëri, nuk ka pranuar rritjen e papunësisë, rrënimin e bizneseve, rritjen e kostos të jetesës, Treguesi i uljes të harxhimit të energjisë elektrike, në gjashtëmujorin e parë të 2012, veç të tjerash, dëshmon për thellimin e krizës, derisa aktiviteti i bizneseve reduktohet në minimum. A nuk është shqetësuese, që akoma mungon reagimi qeveritar për të përballuar pasojat e krizës?

– Qeveria ka dëshmuar qartë dhe jo thjesht ka deklaruar me fjalë, se në Shqipëri nuk ka krizë, se ajo është përballuar me sukses, pavarësisht situatës shqetësuese që ende na rrethon, përderisa rritja ekonomike vazhdon, përderisa rritja e pagave dhe pensioneve vazhdon, përderisa sipas ligjeve të tregut biznese të reja lindin, përderisa ajo ka ndërtuar dhe ndërton politika fiskale dhe reforma ligjore që stimulojnë tregun e lirë dhe bizneset e llojeve të ndryshme, përderisa treguesit themelorë ekonomikë janë në nivele të shëndosha, përderisa ne vazhdojmë të ndërtojmë dhe investojmë në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi dhe në përkrahje sociale.

– Ju faleminderit!