Presidenti Meta: Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e poetit Faslli Haliti

291
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit Faslli Haliti. Në një mesazh në Facebook, Presidenti Meta shprehet se kujton Halitin jo vetëm si poet dhe intelektualë, por edhe si ish-deputet i Partisë Socialiste.

Mesazhi i kreut të shtetit:
Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e poetit tonë të mirënjohur, Faslli Haliti, intelektualit të angazhuar me vlera kombëtare, shembull i qytetarisë e luftëtar i palodhur dhe i pakompromis i fjalës e mendimit të lirë, duke provuar deri dënime për mbrojtjen e saj.
Kam patur fatin ta njoh nga afër edhe si ish-deputet i PS, dhe i ruaj me nostalgji kujtimet për periudhën kur bashkëpunuam në politikë si pjesë e ish-grupit parlamentar socialist, ku padyshim Faslliu spikaste me individualitetin e tij mes deputetëve të PS që vinin vetëm nga radhët e intelektualëve e profesorëve.
Të paharruara kanë mbetur për mua vargjet e një prej poezive të tij më të arrira “Për mirë”:
“Gati
Për rënie,
Për shembje,
Rrëzim.
Monument shtrembës!
Shembu, rrëzohu më mirë!”
Për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Haliti, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve e shkrimtarëve shqiptarë.
U prehtë në paqe!