Presidenti Meta në Konferencën “Shqyrtimi Gjyqësor Administrativ në Republikën e Shqipërisë dhe efektet e Reformës në Drejtësi”

470
META: Vonesat në konstituimin e organeve të reja që do të qeverisin sistemin gjyqësor dhe konkretisht edhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sjellin efekt negativ zinxhir, në të gjithë sistemin. 
META: Moskrijimi i këtij këshilli, vonon zgjidhjen e problematikës së shfaqur në drejtim të plotësimin të trupës gjyqësore, apo rishpërndarjen territoriale të burimeve, përfshirë këtu dhe gjykatën administrative.
META: Çdo vonesë e mëtejshme në këtë drejtim është në dëm të interesit publik, në dëm të gjykatave, në dëm të vetë reformës në drejtësi, dhe mbi të gjitha të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Konferencën “Shqyrtimi Gjyqësor Administrativ në Republikën e Shqipërisë dhe efektet e Reformës në Drejtësi”, të organizuar nga Qendra për Çështjet e Informimit Publik (INFOÇIP). 

Gjatë kësaj konference ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës në Tiranë Claus Neukirch, Avokatja e Popullit Erinda Balanca, Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita, gjykatës dhe anëtarë të trupës gjyqësore administrative, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile, etj. 

Presidenti Meta u shpreh: “E prita me kënaqësi ftesën e Qendrës për Çështjet e Informimit Publik, INFOÇIP, për të marrë pjesë sot, në këtë Konferencë ku do të prezantohet Vlerësimi Kombëtar Tematik për vitin 2016, në lidhje me zbatimin e afateve proceduriale në sistemin e Gjykatave Administrative të vendit tonë.

Në këtë mënyrë, të gjithë ne, por në radhë të parë dhe vetë trupa gjyqësore do të njihet nëpërmjet këtij raporti me cilësinë e punës së tyre, e parë kjo nga këndvështrimi i paanshëm i indikatorëve matës të përdorur nga Shoqëria Civile.

Qëllimi kryesor në krijimin e Gjykatave Administrative ishte dhe mbetet mbrojtja e interesave të ligjshme të individit dhe të biznesit, ndaj veprimeve apo vendimeve të padrejta që mund të marrin institucionet publike gjatë veprimtarisë së tyre.

Që nga momenti i fillimit të funksionit të këtyre gjykatave, ka kaluar një periudhë 4-vjeçare, dhe sigurisht gjatë kësaj kohe, funksionimi i tyre ka treguar sukses, por njëkohësisht si çdo gjë e re, ka nxjerrë në pah dhe problematika.
Gjykimi Administrativ në dallim me gjykimet e tjera, ka dy tipare kryesore dalluese, Shpejtësinë e gjykimit dhe; Barrën e provës. 
Afatet e shkurtra të shqyrtimit gjyqësor administrativ, janë mjeti për arritjen e qëllimit të mbrojtjes efektive të shtetasve dhe bizneseve nga arbitrariteti i mundshëm i administratës, ndërkohë, që është kjo e fundit (administrata) është përgjegjëse që në proçesin gjyqësor të japë barrën e provës për të bindur gjykatën se vendimmarrja e organit publik ka qenë e drejtë.
Pikërisht shpejtësia e gjykimit dhe barra e provës si detyrë e organit publik palë në proces, përbëjnë thelbin e gjykimit administrative, si dhe frymën e ligjit mbi të cilën kjo gjykatë funksionon.
Por, nga kjo histori 4-vjeçare e funksionimit të këtyre gjykatave, si dhe nga të dhënat edhe të këtij vlerësimi tematik sot, është vënë re, se gjatë vitit 2016 ka raste kur fryma e ligjit në disa raste është përmbysur.
Konkretisht, respektimi i afateve të gjykimit ka rezultuar një problem shqetësues, pasi vihet re sidomos në disa gjykata, tejkalim i afateve ligjore të shqyrtimit të çështjeve. Mbetet sërish shqetësuese ngarkesa dhe zbatimi i afateve proceduriale në Gjykatën e Apelit Administrativ. 
Gjithashtu një tjetër problem për zgjidhje mbetet dhe situata në Gjykatën e Lartë, ku ngarkesa është rritur ndjeshëm, edhe për shkak se trupa gjyqësore e kësaj gjykate është pakësuar dhe këtë e vuan domosdoshmërisht edhe trupa e Kolegjit Administrativ. 
Më hollësisht mbi këto konstatime ju do të njiheni nga prezantimi i këtij vlerësimi tematik, por ajo që është evidente është fakti se konflikti gjyqësor administativ ka njohur rritje ndër këto vite, duke e vendosur gjykatën në pozitë të vështirë në përballimin e fluksit të ankimeve dhe rrjedhimisht edhe në pozicion sfidues për të zbatuar afatet gjyqësore. 
Kjo e dhënë duhet të sjellë reflektim për të evidentuar shkakun e problemit dhe mekanizmin më të mirë që e zgjidh atë në të ardhmen. 
Kjo situatë, ku numri i çështjeve gjyqësore administrative rritet në vijimësi, tregon qartë se shoqëria jonë, nuk po arrin të zgjidhë problemet e saj pranë organeve administrative, apo veprimtaria e administratës publike është rrjedhojë e një logjike aspak të thelluar, e cila domodoshmërisht do të prodhojë konflikt gjyqësor për t’u zgjidhur.
Cilado qoftë arsyeja kryesore dhe burimi i konfliktit, është Gjykata Administrative ajo që në mënyrë të pavarur dhe të drejtë do të duhet ta zgjidhë konfliktin, edhe pse me koston e mbingarkesës së jashtëzakonshme në punën e saj. 
Një seri çështesh gjyqësore, si ato të largimeve të padrejta nga puna e nëpunësve civilë, trajtimi i ankimeve mbi pensionet, apo kundërshtimet e gjobave ndaj biznesit, janë çështje tepër sensitive që prekin drejtpërdrejtë ekonominë familjare, por njëkohësisht dhe financat publike, ndaj dhe gjykimi në kohë, e me cilësi i tyre, duhet të jetë në fokusin jo vetëm të trupës gjyqësore, por dhe të vetë administratës. 
Individi, interesat familjare të të cilit preken nga një akt apo një veprim i administratës, ka gjithmonë pritshmërinë e tij subjektive, se ndaj tij është bërë një padrejtësi. Ndaj Gjykata kësaj pritshmërie duhet t’i përgjigjet në kohë, për ta sqaruar atë, nëse ka, ose jo të drejtë në pretendimet që ai ka ngritur.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka garantuar për të gjithë zbatimin e parimit themelor të shtetit të së drejtës, ku pjesë e tij është dhe gjykimi i drejtë dhe brenda afateve të arsyeshme nga një gjykatë e pavarur dhe e caktuar me ligj.
Gjykimi brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur e transparente, është rezultati final dhe pritshmëria legjitime e të gjithë qytetarvëe nga reforma në sistemin e drejtësisë, duke synuar njëkohësisht dekurajimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në sistemin gjyqësor.
Me ndryshimet ligjore të miratuara në kuadër të reformës është përcaktuar mënyra se si sistemi gjyqësor do të riorganizohet dhe do të duhet të funksionojë, përfshi këtu edhe gjykatën administrative, duke parashikuar rritjen e burimeve njerëzore në sistemin gjyqësor dhe ripërshpërndarjen e këtij shërbimi sipas kërkesave të qytetarëve dhe ngarkesës së gjykatave. 
Tashmë kemi kaluar në një fazë tjetër, po aq e rëndësishme sa vetë procesi ligjbërës, madje edhe më të rëndësishme, në fazën e implementimit të reformës, dhe këtu duhet të tregojmë të njëjtin vullnet, pasi nëse situata në sistemin gjyqësor, nuk ndryshon pozitivisht dhe brenda një kohe primare, atëherë qëllimet e reformës, nuk do të ndihen realisht.
Vonesat në konstituimin e organeve të reja që do të qeverisin sistemin gjyqësor dhe konkretisht edhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sjellin efekt negativ zinxhir, në të gjithë sistemin. 
Moskrijimi i këtij këshilli, vonon zgjidhjen e problematikës së shfaqur në drejtim të plotësimin të trupës gjyqësore, apo rishpërndarjen territoriale të burimeve, përfshirë këtu dhe gjykatën administrative.
Nëse i kërkojmë gjykatës të respektojë afatet gjyqësore, po njësoj duhet t’i kërkojmë kujdo që e ka për detyrë, të ndërmarrë seriozisht veprimet e tij dhe të angazhohet në përshpejtimin e proçesit të zgjedhjes së organeve të reja të sistemit të drejtësisë. 
Nga kjo tryezë, gjej rastin t’u bëj thirrje të gjitha forcave politike, Kuvendit, Shoqërisë Civile dhe të gjithë aktorëve të sistemit gjyqësor të përfshirë në këtë proces, sa më shpejt dhe në mënyrë transparente veprime aktive e konkrete, që nën frymën e Kushtetutës së vendit, si dhe duke ndjekur si busull këshillat e vyera të Komisionit të Venecias, të ndërmarrin hapa serioze e transparentë, në mënyrë që kjo reformë e madhe të bëhet sa më shpejt reale, e prekshme, efektive, sa më shpejt, larg politizimit të skajshëm dhe për interesa partiake të ditës. 
Çdo vonesë e mëtejshme në këtë drejtim është në dëm të interesit publik, në dëm të gjykatave, në dëm të vetë reformës në drejtësi, dhe mbi të gjitha të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Në përfundim të fjalës sime, vlerësoj maksimalisht punën e bërë në këtë raport nga INFOÇIP, pasi të dhënat e vlerësimit të punës së gjykatave administrative për vitin 2016 janë të plota, dhe ekspozojnë me objektivitet gjendjen sipas evidencave të këtyre gjykatave.
Ky vlerësim tematik, i cili ka analizuar shumë të dhëna, është një shembull pozitiv i kontributit të rëndësishëm që Shoqëria Civile shqiptare mund të ofrojë në ndihmë të institucioneve të drejtësisë dhe shpresoj që, gjetjet e rekomandimet do të ndihmojnë në përmirësimin e ndjeshëm të kësaj situate.
Ju uroj suksese në punimet e kësaj Konference!”
Sigal