Presidenti Meta, në 20-vjetorin e Qendrës së të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri

450
Presidenti i Republikës Ilir Meta vizitoi dje, në 20 vjetorin e themelimit, Qendrën e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, një nga agjencitë më të njohura të shoqërisë civile, ku pati takime me aktivistë të saj si dhe drejtues të 15 organizatave jofitimprurëse në vend. Presidenti Meta u njoh prej Drejtorit të Përgjithshëm të saj, Altin Hazizaj për veprimtarinë e Qendrës si dhe problemet që shqetësojnë fëmijët, përfshirjen e tyre në jetën social-kulturore si dhe rolin e komunitetit dhe individëve të zgjedhur në përmirësimin e jetës së tyre. Presidenti Meta u shpreh i bindur për një rol më aktiv të organizatave joqeveritare për emancipimin e shoqërisë, demokratizimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në vend. Ai duke iu drejtuar rrjetit të organizatave për të rinjtë vlerësoi lart vullnetarizmin, qytetarinë, komunikimin direkt të tyre me individët dhe grupet në nevojë. “Shqipëria, theksoi Presidenti, “ka më tepër nevojë për vlera shpirtërore, solidaritet komunitar si dhe për dashurinë dhe pasionin e qytetarëve të saj!”. Ilir Meta i garantoi ata se tek Presidenti dhe stafi tij do të gjenin përherë një promovues dhe mbështetës të fuqishëm të kauzës së tyre fisnike për avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe veprimtarisë së shoqërisë civile në përgjithësi. “Presidenca e Shqipërisë”, – garantoi Meta, “do të jetë përherë e hapur për kërkesat dhe iniciativat e shoqërisë civile për rritjen e kapaciteteve si dhe synimin tuaj për mbrojtjen e të rinjve në nevojë nga diskriminimi”.
Sigal