Presidenti Meta letër Presidentes së Konfederatës Zvicerane: Shpresëplotë që bashkëpunimi ynë do të rritet më tej

56

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një letër Presidentes së Konfederatës Zvicerane Simonetta Sommaruga, me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Meta shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe e falënderon Presidenten Sommaruga për ndihmën e menjëhershme që Zvicra i ofroi Shqipërisë për t’u përballur me pasojat e tërmetit ë 26 nëntorit 2019, gjithashtu edhe për angazhimin e saj konkret në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve.

Gjithashtu shpreh mirënjohjen edhe për ndihmën që Zvicra i dha Shqipërisë në përballimin e pandemisë Covid-19. Kreu i Shtetit shkruan se është shpresëplot për këtë Jubile të Artë që lidhjet dhe bashkëpunimi ynë i përhershëm i miqësisë do të lulëzojnë dhe rriten më tej në dobi të dy vendeve dhe popujve tanë.

LETRA E PLOTË
E nderuar Zonja Presidente,
Me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, në emrin tim dhe atë të popullit shqiptar, jam i lumtur që kam mundësinë të ndaj kënaqësinë e festimit të këtij momenti të mrekullueshëm me Shkëlqesinë Tuaj dhe popullin zviceran.

Ne gëzohemi sot për lidhjet miqësore të shumëfishta dhe të vërteta, që Shqipëria dhe Zvicra kanë zhvilluar ndër vite. Ne jemi mirënjohës që vendi Juaj ka mbështetur vazhdimisht Shqipërinë drejt konsolidimit të institucioneve shqiptare dhe qeverisjes demokratike; zhvillimet e bëra në sektorë të tillë si ekonomia, infrastruktura dhe energjia, si dhe sistemi i kujdesit shëndetësor. Duke folur për këto zhvillime shumë pozitive, unë jam shumë mirënjohës që Zvicra, si një nga investitorët e parë në Shqipëri, vazhdon të jetë një kontribuese e shkëlqyer për përparimin e vendit.

Shfrytëzoj këtë rast për t’Ju falënderuar për ndihmën e menjëhershme dhe të jashtëzakonshme që Zvicra i ofroi Shqipërisë për t’u përballur me pasojat e tërmetit ë 26 nëntorit 2019, gjithashtu edhe për angazhimin e saj konkret në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve. Gjithashtu, më lejoni të shpreh mirënjohjen time edhe për ndihmën që Zvicra i dha Shqipërisë në përballimin e pandemisë Covid-19.

Unë e vlerësoj shumë rolin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Falë përkrahjes dhe mundësive që ka krijuar Zvicra, ky komunitet është i integruar më së miri dhe ka kontribuar vazhdimisht në forcimin e marrëdhënieve tona, duke shërbyer kështu si një urë lidhëse për miqësinë afatgjatë dhe të fortë midis kombeve tona.

Jam shpresëplot për këtë Jubile të Artë që lidhjet dhe bashkëpunimi ynë i përhershëm i miqësisë do të lulëzojnë dhe rriten më tej në dobi të dy vendeve dhe popujve tanë.

Duke shprehur edhe një herë urimet e mia më të përzemërta për 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, Ju lutemi, Shkëlqesia Juaj, pranoni vlerësimit tim më të lartë.

Ilir Meta
Shkëlqesia e Saj,
Znj. Simonetta Sommaruga
Presidente e Konfederatës Zvicerane
BERN