Presidenti Meta: Dialogu mes palëve, zgjidhje për situatën politike të vendit

443
Sigal

Presidenti Ilir Meta, i pranishëm në qytetin e Durrësit, për të bërë homazhe tek monumenti i Mujo Ulqinakut, me rastin e 80-vjetorit të nisjes së rezistencës Antifashiste, dha një prononcim ku u shpreh për situatën aktuale politike në vend. Presidenti Meta deklaroi se duhet dialog për të normalizuar situatën politike në vend, duke i bërë thirrje palëve politike për reflektim. Më tej, Presidenti tha se beson tek dialogu i përgjegjshëm, ndërsa theksoi se nuk duhet të bëjmë hapa pas për shkak të kokëfortësisë.

Prononcimi i Presidentit Meta mbi situatën politike në vend

Zoti Meta, si i komentoni zhvillimet e fundit politike? Protestat vazhdojnë, ka zëvendësime?

Unë besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Besoj se pas vitit 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme dhe i nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që në këto 22 vite Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por që edhe këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve, dhe antimitingjeve të panevojshme. Aq më tepër që jemi edhe në prag të sezonit turistik, që dihet se është aq i rëndësishëm jo vetëm për Durrësin, por edhe tërë Shqipërinë dhe për ekonominë tonë. Kështu që unë besoj se ka një hapësirë të gjerë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe secili të reflektojë.

A mund të ndërhyjë Presidenti për të hapur një dialog meqenëse nuk po arrihet?

Besoj se është detyrë e tyre që të tregojnë vullnet real për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës si dhe të udhëhiqen vetëm nga arsyeja dhe interesi i përbashkët.