Makutëria e koncesioneve të qeveritarëve vret ekologjinë dhe shëndetin e banorëve

557
Jakup B. GJOÇA
Artan Manushaqe, ekspert: Djegia e fabrikës së mbetjeve katastrofë mjedisore e krahasueshme me armët kimike
Dje ishte Dita Ndërkombëtare e Tokës. Dhe, për ironi, Shqipëria e festoi me një katastrofë të madhe ekologjike. E pritshme kjo katastrofë ekologjike, me politikat që ndiqen në Shqipëri, ku fitimet, koncesionet, makutëria, babëzia janë parësore e qeveritarëve, e konçesionarëve. Siç janë bomba me sahat, ka edhe shumë raste të ngjashme me katastrofën e djeshme ekologjike. Dje në mëngjes, në Kashar një fabrikë e riciklimit të mbetjeve mori zjarr, i cili shkaktoi një katastrofë mjedisore në kryeqytet, duke shpërndarë në ajër gazra shumë të dëmshme për shëndetin e organizmave të gjalla, për njerëzit, kafshët dhe bimët. Më e keqja, është se këto gazra do të precipitojnë dhe do të mbeten në ajër për një kohë të gjatë në formë grimcash dhe bien në sipërfaqen e tokës, duke përbërë rrezik të madh për t’u thithur nëpërmjet frymëmarrjes. 
Eksperti: Dëmi ekologjik i krahasueshëm me rrezatimin e një centrali bërthamor
Artan Manushaqe, ekspert i politikave mjedisore u shpreh se djegia e fabrikës së mbetjeve është një katastrofë mjedisore, e krahasueshme me një rrezatim sa të centrali bërthamor apo armë kimike. Siç u shpreh aktivisti, në atmosferën e Tiranës sot kanë dalë helme kimike që do të thithen nga banorët. Ndotja është e lartë në ushqim, ujë, tokë, e ajër dhe rreziku për jetën e tyre është i lartë. “Sipas studimeve tek zona e 21 Dhjetorit në Tiranë është arritur në përfundimin se 1000 njerëz në vit vdesin në Tiranë vetëm nga mushkëritë.” – tha Manushaqe. “Me tymin e inceneratorit në Kashar, mund të thuhet se kanë marrë tym atomik. Banorët e zonës të përpiqen të pinë qumësht dhe të konsumojnë banane si anti-intoksikantë ndaj helmeve që do të thithin. Ata të mos e përdorin ujin as për të pirë dhe as për t’u larë deri sa të kryhen analiza për kontaminimin.” – këshilloi Manushaqe qytetarët e Kasharit. Manushaqe u shpreh gjithashtu se duke qenë se ajo fabrikë që punoi pa filtra, djeg element kimikë, të cilët nuk mund të shuhen me ujë, siç shkuan sot zjarrfikëset por me shkumë speciale. “Ka të tjera fabrika në Tiranë që bëjnë punime të tilla me po të njëjtin rrezik në mos më të madh sepse janë në zona më të ngushta urbane, ku nëse bie zjarri, nuk futet dot as zjarrfikësja.” – tha aktivisti. 
A do dënohen fajtorët?
Artan Manushaqe u shpreh se përgjegjës për këtë situatën e sotme është Ministria e Mjedisit.. “Sigurisht që për atë shtëllungën atje do ketë përgjegjës. Ai zjarr atje është i përsëritur, ra dhe vjet dhe nuk mori masa njeri.” – ka bërë apel Manushaqe për veprim të drejtësisë ndaj rastit të përsëritur të inceneratorit të Kasharit. 
Institucionet përkatëse hetimore, si Drejtoria e Zjarrfikëseve ende nuk kanë publikuar shkaqet e zjarrit. Por, siç u deklarua nga drejtuesi i këtij institucioni, kjo fabrikë ka pasur edhe më përpara rënie zjarri dhe ishte e dënuar për mungesat e masave për mbrojtjen nga zjarri. Prokuroria duhet të hetojë, a ishte aksident rënia e zjarrit? A ishte i qëllimshëm zjarri? Siç thuhet në opinion, biznesi, ka shpallur falimentin. Prokuroria duhet të hetojë, a ishte e siguruar biznesi? Sa është shuma e siguruar? Sepse, mendohet, ndoshta, që edhe një nga shkaqet e zjarrit mund të zbardhen edhe nga përgjigjet e marra për masën e sigurisë që ka biznesi i falimentuar.
Sigal