Presidenti Ilir Meta: Nga 2 marsi, Shqipëria fillon dhe bëhet kuq e zi, siç e duan të gjithë shqiptarët

669
Sigal

Organizata mafioze po rrëmben Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Meta: Përshëndetje! Në ditët në vijim mund të vendosim nj[ ekran edhe më të madh dhe shumë shpejt do e vendosim dhe në Bruksel në anglisht, që të gjithë të kuptojnë super-perlën e “Rilindjes”, se si një organizatë mafioze në krye të shtetit që ka shembur çdo ndarje pushtetesh legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor rrëmben në mënyrë anti-kushtetuese, anti-ligjore dhe mafioze përmes falsifikimeve dhe manipulimeve, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese për të mos patur më në të ardhmen Shqipëria një Gjykatë Kushtetuese, por policinë anti-kushtetuese të regjimit të Lleshit.

 

Do të ftoj këshilltarin tim ligjor, zotin Bledar Dervishaj, për t’iu shpjeguar të gjithë juve me qetësi dhe me drejtësi hap pas hapi, si ka ndodhur puçi në bazë të provave të reja, që u detyruan të na i sjellin vetëm dje, pas insistimit për mos t’i sjellë për ditë të tëra, vetëm pasi në denoncuam këtu publikisht Qendrën e Botimeve Zyrtare, që po shkelte Kushtetutën duke mos informuar Presidentin e Republikës për një akt jashtëzakonisht të rëndësishëm, që do t’i dorëzohet dhe Komisionit të Venecias dhe të cilën ata e kërkonin dhe nuk e gjetën dot.

Kështu që të mos mbaj më fjalim tjetër unë se kam muaj të tërë që mbaj vetëm fjalime, po i referohem fakteve dhe po ftoj zotin Dervishaj.

Kini parasysh që zoti Dervishaj është përfaqësuesi dhe ka qenë përfaqësuesi i Presidentit të Republikës në çdo mbledhje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nga mbledhja e parë e deri tek mbledhja më e fundit, zoti Dervishi është fjala juaj.

Zoti Bledar Dervishaj: Të nderuar gazetarë, faleminderit që erdhët! Po bëj një përshkrim për të arritur tek ato prova të reja që sot do bëhen publike dhe që faktojnë në mënyrë finale ndërhyrjen e qeverisë në shtrembërimin e procesit e ripërtëritjes së Gjykatës Kushtetuese, sidomos tek pjesa e botimit në Fletoren Zyrtare të një akti të KED-së që duhet ta theksojmë se nuk botohet në Fletoren Zyrtare.

Na datën 21 shtator 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet për të bërë vlerësimin, pikëzimin dhe listimin e të gjithë kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese për të katër vakancat që ishin në dispozicion për plotësim.

Këshilli merr disa vendime ndërmjet tyre, merr dhe vendimin numër 132 në datë 21 shtator 2019 për vakancën që plotësohet nga Presidenti i Republikës, që i përket Presidentit, duke rreshtuar kandidatët sipas pikëve.

 

Në pikën 2 të këtij vendimi Këshilli ka vendosur, sipas ligjit duhet theksuar, ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë në pjesën e përcaktuar për KED-në.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë në pjesën e përcaktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”. Sepse në faqen e Gjykatës së Lartë sipas ligjit ka një seksion të dedikuar vetëm për KED-në dhe aty botohen aktet e vlerësimit, pikëzimit, listimit dhe çdo veprimtari e Këshillit.

Kalojmë tek faqja e dytë dhe prova e dytë, të ecim në rend kronologjik për të arritur tek finalja.

Më datën 22 shtator faqja e Gjykatës së Lartë publikon të katër vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të katër vakancat, listimet e kandidatëve për secilin prej tyre.

Në përfundim të diskutimit të çështjeve në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës Këshilli vendosi: miratimin e raportit të arsyetuar dhe listës përfundimtare të kandidatëve për;

  1. Vakancën e shpallur nga Presidenti i Republikës.
  2. Për vakancën e shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë.
  3. Pra, pikërisht ai vendim që cituam më përpara, për vakancën e shpallur nga Presidenti i Republikës.
  4. Për vakancën e shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Këshilli, me të drejtë edhe sa i takon numërtimit të secilit vendim ka ndjekur radhën që dikton Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese;

  1. Presidenti
  2. Kuvendi
  3. Gjykata e Lartë

Dhe që diktohet dhe përcaktohet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese: President, Kuvend, President e treta, Kuvend. Pra ato që ligji parashikonte u zbatuan edhe me botimin e këtyre akteve me faqen e Gjykatës së Lartë.

Kalojmë tek prova tjetër, ju e mbani mend që me datën 15 tetor Presidenti i Republikës pasi siguroi informacionin e nevojshëm nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që Kuvendi t’i kishte administruar listat, emëroi gjyqtarin e parë kushtetues, në mënyrë që listat e Kuvendit të mos prekej, duke treguar luajalitet kushtetues, bashkëpunim. Në këtë emërim Presidenti i kërkoi Kuvendit të shprehej për emërimin e gjyqtarit të dytë, në mënyrë që të vazhdonte procesi për emërimin e gjyqtarit të tretë nga Presidenti dhe pastaj të katërt nga Kuvendi.

Duke parë që Kuvendi duket sikur po e shtynte, ose kishte vendosur ta shtynte afatin dhe ta shfrytëzonte në maksimum 30-ditëshin e tij, që sipas Dvoranit do të kapërcente afatin e caktuar për Presidentin e Republikës, gjithmonë sipas Kryetarit të Këshillit, Presidenti ndërmori një akt administrativ me nr. 3535/1 protokollim, datë 5.11.2019 dhe ia drejton këtë letër Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarit zotit Gramoz Ruçi, zonjës Erinda Ballanca, Avokate e Popullit, zotit Ardian Dvorani Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky komunikim ju përcoll të gjithë ambasadave këtu prezente në Republikën e Shqipërisë, SHBA-së BE-së dhe gjithë delegacioneve europiane, të gjithëve.

Çfarë kërkonte Presidenti i Republikës, çfarë vendimi kishte marrë në këtë akt ose çfarë ka evidentuar më qartë? Presidenti me këtë vendim paraprak synon respektimin e normës kushtetuese të zbatimit të radhës në emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullimin e një situate jo të zakonshme të krijuar nga veprimtaria administrative e dërgimit të listave të keqmenduar nga Kryetari i Këshillit Emërimeve në Drejtësi.

Ky vendim për pezullimin e vijimit të procesit administrativ të shqyrtimit të listës dhe dokumentacionit të përcjellë nga KED-ja deri në realizimin e zgjedhjes nga Kuvendi të anëtarit të dytë, që përkonte me datën 13 nëntor, ka për qëllim ruajtjen e kushtetueshmërisë të emërimit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të kësaj gjykate dhe evidenton qartë, po e theksoj, vullnetin e Presidentit të Republikës se në cilësinë e organit të emërtesës Presidenti do të shprehet për të emëruar anëtarin e radhës së Gjykatës Kushtetuese nga listat e kandidatëve të përcjellë nga KED-ja.

Pas një analize në përfundim Presidenti mbështetur në normat kushtetuese, në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, kodin për Procedurën Administrative, ka vendosur paraprakisht;

Të pezullojë procesin administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare të plotësimit të vendit vakant të tij në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, deri në zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë, apo deri përfundimin e afatit kushtetues brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të tij, për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që sipas llogaritjes ky afat përfundon për Kuvendin në 13 nëntor 2019.

Vendimi i dytë i Presidentit brenda të njëjtit akt, t’i kërkoj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm plotësimin e praktikës dokumentare dhe dërgimin brenda pesë ditëve të kopjes së dokumentacionit të administruar dhe shqyrtuar për secilin nga katër kandidatët.

 

Vendimi tretë: Të kërkojë bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë që të vlerësojë mundësinë për të përfshirë për shqyrtim në seancë plenare, brenda një kohe sa më të shpejtë, zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që Presidenti i Republikës, të ushtrojë kompetencën e tij, sipas radhës së diktuar nga Kushtetuta dhe ligji nr. 8577/2000”.

Në përfundim, Presidenti i Republikës gjen rastin të shprehë edhe një herë vullnetin e tij se ashtu siç ka vepruar deri më tani do të vijojë të ofrojë mbështetjen dhe bashkëpunimin maksimal me secilin prej institucioneve në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë sa më shpejt funksionale dhe të gjitha vendet vakante në këtë gjykatë të plotësohen sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me parashikimet e Kushtetutës dhe kërkesat e ligjit. Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta’.

 

Kjo letër u administrua në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në datë 6 dhe më në datën 7 u mblodh Këshilli për ta shqyrtuar këtë letër. Në këtë mbledhje të datës 7, ku unë kam qenë prezent, Avokati i Popullit ka qenë prezent, përfaqësuesi i Kryetarit të kuvendit ka qenë prezent, anëtarët e KED-së kanë qenë që të gjithë prezent, Këshilli dakordësoi se nuk mund të shprehej për vendimin e Presidentit të Republikës, sepse do të kapërcenin kompetencat e tyre dhe do të krijonin konflikt kushtetues.

Për këtë arsye Këshilli dakordësoi vetëm përcjelljen e dokumentacionit shtesë që Presidenti i Republikës kishte kërkuar. Në atë datë asnjë vendim tjetër nuk ka marrë Këshilli. As të shpallë ndonjë kandidat të zgjedhur, as të komentojë mbi vendimin e Presidentit të Republikës, asgjë tjetër!

Kalojmë te fakti tjetër, çfarë ndodh një ditë më pas. Kryetari i Kuvendit më datë 8 nëntor i drejton një letër me numër protokolli 3973, datë 8.11.2019, ku i kërkon informacion Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si vijon: “Në këto kushte për të garantuar të drejtën e çdo kandidati në votim, Kuvendi i Shqipërisë brenda ditës së sotme kërkon të informohet nga KED-ja si organ kolegjial mbi ecurinë e deritanishme të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës dhe ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Kjo kërkesë është subjektive dhe tërësisht e pavend, për arsye se siç e thamë dhe pak më parë në fillim Kryetari i Kuvendit i kërkon KED-së se çfarë ka bërë Presidenti, se është për ta thënë troç. Ndërkohë që Presidenti tre ditë më parë i kërkon Kuvendit, pra kërkon bashkëpunimin e Kuvendit që të vlerësojë mundësinë për të përfshirë për shqyrtim në seancë plenare brenda një kohe sa më të shpejtë zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që Presidenti të ushtrojë kompetencën e tij sipas radhës që dikton Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Pra, aq subjektive është ajo kërkesë dhe aq inkoherente, madje edhe më keq akoma. Kur Presidenti merr një vendim gjatë gjithë këtij procesi ka bërë me dije të gjitha institucionet e përfshira vendase dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë që Kryetari i Kuvendit zgjodhi që këtë ide, kërkese për informacion, t’ia kërkonte vetëm një personi, Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Prandaj quhet e pavend.

Megjithatë po në datë 8 nëntor, pra brenda ditës, Kryetari i KED-së kësaj here nuk vendosi qëllimisht ta mblidhte KED-në edhe pse Kryetari i Kuvendit po i kërkonte Këshillit si organ kolegjial informacion dhe jo kryetarit, zoti Ardian Dvorani nuk e mblodhi KED-në siç veproi në rastin kur Presidenti i kërkoi kur vendosi pezullimin dhe i kthen një përgjigje me shkresën me nr. protokolli 716/1, datë 8.11.2019 e administruar në Kuvend.

Çfarë thotë Kryetari i KED-së në cilësinë personale, pa vendimmarrje të këshillit dhe pa e mbledhur këshillin. “Duke qenë se afati 30-ditor parashikuar në këto dispozita përfundon më datën 7.11.2019, ditën e sotme, dhe deri në çastin e dërgimit të këtij informacioni pranë KED-së nuk ka ardhur ndonjë njoftim nga Institucioni i Presidentit të Republikës” – kjo është një gënjeshtër e madhe, sepse letra që ju treguam i ka shkuar KED-së, Kryetarit të Kuvendit dhe Avokatit të Popullit – për ushtrimin e së drejtës së Presidentit për të emëruar një nga tre kandidatët e renditur në listën që ka miratuar KED-ja me vendim nr. 132.

Gjithashtu, – vazhdon keqinformimi dhe deformimi tërësisht i fakteve, – edhe në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës në ditën e sotme nuk rezulton të jetë bërë publike ushtrimi i të drejtës nga Presidenti i Republikës për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur me dekret etj.

Nëse i referohemi ligjit – vazhdon Dvorani dhe bën interpretim të gabuar të ligjit pa e patur kompetencën për ta bërë një gjë të tillë – në respekt të nenit 125 të Kushtetutës – do ndaloj pak këtu, sepse neni 125 i Kushtetutës nuk flet fare për vakancat që plotësohen dhe procedurat që ndjek Presidenti i Republikës, sepse Presidenti qoftë afatet, qoftë gjithçka të detajuar e ka në ligjin për Gjykatën Kushtetuese – dhe të pikës 4 të nenit 7 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, që kanë sanksionuar se nëse Presidenti – këtu është gënjeshtra prapë, nuk thotë Kushtetuta kështu dhe Dvorani në mënyrë të qëllimtë lidh nenin e Kushtetutës me nenin e ligjit – nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditësh nga paraqitja e listës nga KED-ja kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar. Sipas vendimit numër 132 të KED-së, kandidatja e renditur e para në listën përfundimtare znj. Arta Vorpsi konsiderohet e emëruar si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese”.

Me këtë shkresë zoti Ardian Dvorani ka konfirmuar faktin se e ka shpërdoruar detyrën e ndërgjegje të plotë në mënyrë të përsëritur. Për këtë arsye më datën 18, para dy ditësh, depozituam kallëzimin shtesë pranë prokurorisë së SPAK.

Kalojmë te prova tjetër. Çfarë ndodh pasi Kuvendi administron një letër tërësisht të pavërtetë, të shtrembëruar nga Kryetari i KED-së.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të nesërmen, e shtunë, ditë pushimi, del në punë dhe me shkresën me nr. 3441/1 protokolli, datë 09.11.2019, i përcjell zonjës Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese. Do pyesni ju a kishte ndonjë kompetencë zonja Etilda Gjonaj të merrej me këtë punë? Jo! Gjithsesi, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka vlerësuar se do t’i duhej Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë shkresë pasi bën një përshkrim të fakteve, pra i thotë që ne si Kuvend morëm nga Kryetari i KED-së këtë letër dhe përsa më sipër po ju dërgojmë për dijeni kopjen e praktikave të sipërcituara. Çfarë praktikash? Atë përgjigjen që i kishte dhënë Dvorani për Kryetarin e Kuvendit, zotin Gramoz Ruçi, kaq.

Po çfarë bën Ministria e Drejtësisë? Brenda të njëjtës ditë, datë 9.11.2019, ditë pushimi, e merr aktin dhe ai përcjell për botim Qendrës së Botimeve Zyrtare.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Gentian Bella, me shkresën nr. prot. 7575, datë 9.11.2019, me lënë “mbi botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit nr. 132, datë 21.09.2019 të KED”.

Kjo është përmbajtja: “Po ju përcjellim bashkëngjitur shkresën nëpërmjet të cilës Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka përcjellë shkresën e KED-së drejtuar Kryetarit të Kuvendit me anë të së cilës është konsideruar e emëruar në Gjykatën Kushtetuese kandidatja e renditur e para në listën përfundimtare. Për rrjedhojë po ju përcjellim për botimi vendimin numër 132, datë 21.9.2019 të KED-së”.

Unë kam 20 vjet jurist, por eksperiencë më të shëmtuar si një jurist unë nuk kam parë. Të dërgojë për botim Ministria e Drejtësisë në akt që nuk është i lejueshëm të botohet në Fletoren Zyrtare, një akt që e ka prodhuar një organ tjetër.

Kalojmë brenda të njëjtës ditë, përderisa Kuvendi kishte dalë në punë, Ministria e Drejtësisë kishte dalë në punë, del edhe Qendra e Botimeve Zyrtare në punë.

Qendra e Publikimeve Zyrtare, brenda ditës e shtunë, 09.11.2019, boton, çfarë boton? Një vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që e kishte parë dritën e botimit në faqen e Gjykatës së Lartë të internetit që në datën 22 shtator, një vendim që nuk botohet në Fletoren Zyrtare, që botimi i tij është shkelje shumë e rëndë e ligjit. Jo se e thotë vetëm ligji, por vetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kishte vendosur ndryshe. Vendimi nr.132, më të cilin hapëm këtë konferencë datë 21.09.2019, për renditjen e kandidatëve.

Këshilli vendosi miratimin përfundimtar të kandidatëve dhe ky vendim është po njësoj. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Por, çfarë donin të krijonin këta funksionarë publik? Donin të shtrembëronin të gjithë faktet dhe provat, me qëllim gjithë opinion publik po flas brenda dhe sidomos ai ndërkombëtar që nuk thellohet në ligjet e brendshme të vendit tonë, se kandidatja e re, e renditur e para është konsideruar e zgjedhur nga Këshilli.

Por turp më të madh nuk ka, sepse Këshilli në datën 7.11.2019, nuk vendosi as të shpallte ndonjë kandidat, as të konsideronte të zgjedhur, as të konsideronte se mekanizmi i zhbllokimit kishte funksionuar dhe e dini pse? Sepse vendimmarrjen e Presidentit të Republikës, nuk mund ta komentonte as Këshilli as Kuvendi më pas. Por, ky akt dhe ky botim do ti shërbente Kuvendit dy ditë më vonë në datë 11.11.2019, për ta konsideruar zonjën të renditur të parën si e vetëzgjedhur. Po kush e zgjodhi? Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë apo Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit apo Kryetar i KED-it? Asnjë nga këto organe nuk ka kompetencë ta bëjë këtë.

Do ju tregojmë pse botimi është i paligjshëm?

 

  • Ky është Neni 232, i ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligji i miratuar në kuadër të Reformës në Drejtësi. Publikimi i akteve, pika 2, të gjithë aktet e verifikimit të vlerësimit, dhe të renditjes për secilin kandidatë të miratuara nga KED bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë. Nuk publikohen vendimit e Këshillit për listimin e kandidatëve në Fletoren Zyrtare. Këtu kemi ligjin për “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, në nenin 3, pika 1, përcakton se :

“Akte të botueshme” janë të gjitha aktet, botimi i të cilave është i detyrueshëm në bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi. Po në këtë ligji në nenin 6, pika 2 po ky ligj, përcakton:

Në Fletoren Zyrtare botohen:

a) ligjet;

  1. b) dekretet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
  2. c) aktet normative të Këshillit të Ministrave;

ç) aktet normative të ministrave dhe drejtuesve të institucioneve qendrore;

  1. d) vendimet, rezolutat dhe deklaratat e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;
  2. dh) vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë.
  3. e) vendimet e Gjykatës Kushtetuese;

ë) vendimet e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, të cilat botohen në numrin më të parë të Fletores Zyrtare;

  1. f) të gjitha aktet e tjera, botimi i të cilave është i detyrueshëm sipas legjislacionit në fuqi;
  2. g) indeksi vjetor i Fletores Zyrtare

Sikur vendimi i Këshillit të ekzistonte dhe të ishte i botueshëm kush do duhet t’ja përcillte qendrës së Botime Zyrtare, e thotë ligji nuk e themi ne;

 Në nenin 8, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, përcaktohet:

“1. Aktet e botueshme, të parashikuara në nenin 6, të këtij ligji, publikohen në Fletoren Zyrtare, vetëm atëherë kur versioni përfundimtar në origjinal i aktit është nënshkruar nga organi që e ka nxjerrë atë dhe me kërkesën e tij.

 Teksti i akteve të botueshme në Fletoren Zyrtare i dërgohet Qendrës së Botimeve Zyrtare formatin e shkruar në letër dhe në formatin elektronik nga institucionet shtetërore përkatëse që kanë miratuar aktin”.

Besoj e kuptuat sa e rëndë është situata për Ministria e Drejtësisë, dhe pozitën e saj në këtë proces. Pra, qeveria nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, ka dërguar për botim një akt që nuk e kishte prodhuar vetë. A e ka shkelur vetë? Me të dyja këmbët. Si morëm ne dijeni si Institucion, për këto shkelje të ligjit! Në datën 17.02.2020 me shkresën nr. protokolli 714, ne u drejtuam Qendrës së Botimeve Zyrtare, për të marrë një informacion dhe e dini pse? Për shkak se përpara komisionit të Venecias, zoti Adrian Dvorani kishte deklaruar, se nuk e kam dërguar unë për botim aktin. U desh të vinte Venecia, që të shprehej kryetari i KED. Po çfarë i kërkuam, Qendrës së Botimeve Zyrtare, mënyrën e administrimit të kërkesës për botim të vendimit nr.132 të KED i shoqëruar më praktikën e plotë. Pas konferencës së djeshme të Presidentit të Republikës.

 

  • I gjithë ky vetofrim i Ministres së Drejtësisë dhe kjo shkelje e rëndë e ligjit, tregon qartë se i gjithë aparati shtetëror është vënë në shërbim të urdhrave politikë, për t`i rrëmbyer anëtarin e Gjykatës Kushtetuese që i përket për emërim Presidentit të Republikës, menjëherë Qendrës së Botimeve Zyrtare na është përgjigjur duke komunikuar se; Vendimi nr 132 datë 21.09.2019, shoqëruar me praktikën sqaron Vendimi është dërguar për t`u botuar nga Ministria e Drejtësisë me shkresën nr. 7575 prot., datë 9.11.2019; dhe se

 

  • Qendra e Botimeve Zyrtare nuk ka patur asnjë korrepondencë me KED lidhur me botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit nr. 132, datë 21.9.2019.

 

Nga këto fakte duket qartë sesi qeveria ka dashur të shtrembërojë gjithë këtë proces për t’i rrëmbyer Presidentit të Republikës kompetencën që ja njeh Kushtetuta, emërimin e anëtarit të tretë në Gjykatë Kushtetuese. Kjo është shkresa që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, i dërgon znj. Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese shkresë hyrëse në ministrinë e Drejtësisë nr.7576 protokolli, datë 09.11.2019. Ministria e Drejtësisë i përcjell Qendrës së Botimeve Zyrtare më nr.7575 protokolli, datë 09.11.2019. Nga kjo kohë rezulton se Ministria e Drejtësisë, e ka përcjell për botim aktiv pa marrë ende një njoftim nga Kuvendi, dhe letra e Kuvendit ka ardhur vetëm në mbështetje të veprimit antiligjor të Ministrisë së Drejtësisë, këtu kemi të bëjmë me lajthitje? Jo është më keq se kaq! Është falsifikim.

Kështu për të gjitha këto fakte që unë, ju fola në mënyrë kronologjike sot, strukturat përkatëse të Institucionit të Presidentit të Republikës po përgatisin kallëzimin penal shtesë për t’iu drejtuar prokurorisë SPAK dhe janë vijuese të gjitha veprimet, janë në rakordim, ka bashkëpunim dhe kjo duket qartë. Kështu që, tani është Prokuroria tani që duhet të ketë fjalën dhe të thërras për të marrë në pyetje, të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje. Faleminderit!

Presidenti Meta: Si President i Republikës po bëhem hetues vullnetar i SPAK-ut. Pa pagesë, pa shpërblim. Nxora zotin Dervishaj, mund të nxirrja edhe kolegë të tjerë, por zoti Dervishaj ka qenë në çdo mbledhje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nga e para e deri te e fundit. Betohu para popullit shqiptar që po thua të vërtetën!

Zoti Bledar Dervishaj: Po edhe po të mos betohem unë, i ka nxjerrë Dvorani të gjitha procesverbalet e mbledhjeve, aty kemi qenë 100 për qind!

Presidenti Meta: Po. Ka ndonjë anëtar KED-je që mund të thotë se është mbledhur për të marrë një vendim të tillë?

Bledar Dervishaj: Nuk besoj të ketë, sepse anëtarët e KED-së e kanë mbyllur mbledhjen e tyre më datë 7 nëntor 2019, dhe nuk kanë marrë asnjë vendim në lidhje me këtë çështje. Flet procesverbali, është e zbardhur.

Presidenti Meta: Dakord. Faleminderit shumë! Tamam nga Vlora. Tani të vazhdojmë se ai flet edhe si jurist. Kalojmë edhe një herë te shkresa e 5 nëntorit që Presidenti i dërgon kryetarit të Kuvendit, Avokatit të Popullit, zotit Dvorani, të gjitha ambasadave të BE-së që japin 200 milionë Euro për reformën në drejtësi dhe asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shikoni se si punon Presidenti i Republikës, të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë! Se janë bërë nja 10 apo 20 shkresa zyrtare që në gusht se duhet respektuar radha kushtetuese, që duhet respektuar ligji, që nuk duhet të përplasemi, që ky është një proces antikushtetues, sepse duhet të ishin 12 kandidatë, jo 6 për 4, se ishte fiktive ajo, por Presidenti i toleroi të gjitha këto. Aman, të plotësojmë kushtet e Bundestagut dhe të BE-së!

Paralajmërimi i fundit, hapur, zotit Gramoz Ruçi, me shumë respekt, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Avokates së Popullit, sepse edhe ajo me Kushtetutë e me ligj duhet të jetë në çdo mbledhje të KED-së, të monitorojë në emër të popullit shqiptar që Gjykata Kushtetuese duhet t’i mbrojë të drejtat e tij në çdo proces. Dhe e kanë përjashtuar atë nga konsultimet, në mënyrë antikushtetuese. Zoti Ardian Dvorani, kryetar i KED-së, u ka vajtur në një kohë, e njëjta letër, dhe kjo i ka shkuar të gjitha ambasadave BE-së që japin 200 milionë Euro për Shqipërinë dhe ambasadës së SHBA-ve. Kaloni pak aty, se është e gjatë, se çfarë i kërkojmë!

Çfarë i thotë Presidenti? Pasi i sqaron se si është Kushtetuta, e shkruar gërmë për gërmë, jo e interpretuar, por e shkruar nga vetë Komisioni i Venecias. “Për ta ruajtur kushtetuetshmërinë e këtij proces…” Pra Presidenti mezi ç’po pret që ta bëjë. Siç bëri të parin menjëherë, edhe të dytin. Por Presidenti nuk mund të shkelë Kushtetutën, sepse ajo thotë që të dytin e bën Kuvendi.

Dhe afati 30-ditor për Presidentin fillon vetëm kur Kuvendi shprehet. “Të pezullojë afatin administrativ, etj. etj….” Pse? Që të verifikojë a ka pengesë kushtetuese dhe ligjore apo nuk ka dhe do të veprojë. Çfarë i thotë? “Deri në zgjedhjen e anëtarit të dytë të GJK-së nga Kuvendi…”, por edhe në se ju nuk e zgjidhni, thotë Presidenti, apo deri në përfundim të afatit kushtetues. Se ata mund të mos e zgjidhnin, kur të përfundonte afati i tyre, atëherë Presidenti kishte të drejtë, i linte afati 30-ditor për vakancën e tij. “T’i kërkoj KED-së vetëm plotësimin e praktikës dokumentare brenda 5 ditëve të kopjes për plotësimin e kandidatëve…”, sepse kishte mangësi, nuk ishte e plotë dhe që ta dini edhe ju, disa nga këta kandidatë janë shpallje e parë, nuk kanë kaluar as provimin e Magjistraturës, që ishte kusht në ligj, dakord! Ajo që u betua te noteri, te Lana, nuk e kishte kaluar, kishte dalë e katërta.

“Të kërkojë bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë…” Kjo letër është edhe për zotin Ruçi, direkte, edhe për zotin Dvorani, edhe për Ombudsmanin, është edhe për të gjitha ambasadat. “Që të vlerësojë mundësinë, që të përfshijënë një seancë plenare, brenda një kohe sa më të shpejtë, zgjedhjen e anëtarit të dytë të GJK-së, në mënyrë që Presidenti të ushtrojë kompetencat e tij sipas radhës së diktuar nga Kushtetuta dhe ligji”.

Tani kalojmë te dita e Partisë, e 8 nëntorit! Tani estrada, kam një pyetje për ju: “Përse Presidenti ia dërgon edhe kryetarit të Kuvendit të njëjtën letër? Edhe kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi? Edhe Ombudsmanit, edhe ambasadave, të njëjtën letër, nuk ka letra kështu tek e tek, e hapur? Ka dërguar edhe më përpara letra, por kjo e fundit.”

Tani dëgjoni se çfarë thotë kryetari i Kuvendit! Ky ia dërgon vetëm Ardian Dvoranit. Po ky kur kishte merak se çfarë do të bënte Presidenti dhe se ç’po bëhej me vakancën e dytë të Presidentit apo jo, ky t’i kthente përgjigje Presidentit. E t’i thonte: “Zoti President, ne si Kuvend mendojmë se ju nuk ju pengon asgjë që ta bëni të dytën apo jo!” Se Presidenti e respekton, i tregon edhe Kushtetutën, i tregon edhe ligjin, i lutet për bashkëpunim, në bazë të luajalitetit kushtetues, etj., etj. Ky i thotë vetëm Dvoranit, më datën 8 nëntor: “Ore çfarë bëhet, se nuk di gjë?” Si çfarë bëhet, si nuk di gjë? Për letrën që e ke protokolluar vetë ti?! Ka dalë në media, si e mendoni ju?

Vazhdojmë me përgjigjen që i kthen Dvorani. Se ky thotë “Ç’po bëhet”?! Ky në fakt ia kërkon nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, jo nga Dvorani si person. Jo ti si kryetar i KED-së, por nga KED-ja i thotë. Se Dvorani është zero në raport me vendimmarrjen. Ai është një nga nënëtë anëtarët e KED-së. Ai është vetëm një korrier. Mori vendim KED-ja, edhe për të botuar në faqen e Gjykatës së Lartë, KED-ja merr vetë vendim siç e keni parë. Pika 2, ky vendim botohet. E merr KED-ja, jo Dvorani. Jo më për Fletore Zyrtare që nuk bëhet fjalë!

Kjo është përgjigja e Dvoranit: “Nëse i referohemi ligjit,…” se çfarë i thotë ky. ‘Duke qenë se afati 30-ditor i parashikuar nga këto dispozita, përfundon në datën 7 nëntor 2019, ditën e sotme…” Kush e caktoi këtë afat te Presidenti? Ky është afati i Dvoranit, sepse KED-ja i miratoi sipas renditjes, President, parlament, President, parlament, dhe në një ditë. Pse nuk i çoi ky në një ditë të gjitha? Sepse parlamenti e ka 30-ditëshin me Kushtetutë, detyrimin. Ndërsa Presidenti e ka me ligj, e ka shumë më pak. Dhe po të vinin në një ditë siç vendosi Këshilli, që ky e shkeli këtë gjë dhe bëri një lojë tërësisht personale, të poshtër, siç po e shikojnë të gjithë shqiptarët dhe po tmerrohen, edhe të gjithë ndërkombëtarët e ndershëm e me integritet, tani që po i kuptojnë të gjitha këto gjëra, sepse nuk do të kishin mundësi që t’i vidhnin Presidentit, në këtë mënyrë mafioze, se nuk mund të bëjë mafia diçka më shumë. Të bëjë leckë Kushtetutën e vendit dhe të bëjë leckë Gjykatën Kushtetuese! Kushtetuta është Gjykata Kushtetuese! Një vend pa Gjykatë Kushtetuese dhe me integritet, nuk ka Kushtetutë. Kushtetuta pastaj është një copë letër siç e kanë bërë këta, por këtë çështje do ta zgjidhim.

Dhe ky në të gjitha këto mashtron dhe thotë nuk kam parë gjë akoma në ëeb-in sot të Presidentit. Se unë i letra herë pas here, këtij, KED-së dhe ky duke ditur vullnetin tim, dhe ai e di shumë mirë, dhe i kam thënë përpara, edhe KED-së më datën 7, që kjo situatë ka ardhur nga veprimet e keqmenduara, të keqorganizuara me qëllim nga Dvorani. Pra spostimi i ditëve midis Presidentit dhe kuvendit. Kur nuk paska rëndësi radha, pra që përcakton Kushtetuta, kam një pyetje për ju dhe për të gjithë shqiptarët: “Ky që komunikon kaq shumë, kaq konfidencialisht me zotin Ruçi, me kryetarin e Kuvendit apo jo, sepse këto shkresa këta nuk m’i dërgojnë edhe mua, siç ua dërgoj unë, të gjitha, as Avokates së Popullit nuk ia dërgojnë këta. As ambasadave nuk ua kanë dërguar këta. Pse Dvorani nuk ia çoi të parin parlamentit apo jo, dhe pastaj t’ia sillte Presidentit, kur nuk paska rëndësi radha?”

Jo, radha është shumë e rëndësishme! Ata donin që Presidenti në qoftë se do të shprehej para se të shprehej Kuvendi për të parin, edhe për të dytin, do të thonin: O zoti President, ti shkele Kushtetutën! Kështu që emërimi yt është i pavlefshëm, dhe kishin tërësisht të drejtë ta bënin këtë gjë. Dhe tani ta tregon Hulësiu ty se shtohet një shkelje tjetër serioze e Kushtetutës në Komisionin e Estradës, siç e dinë të gjithë shqiptarët.

Pra çfarë i thotë ky, pas kësaj vendimit i bie kjo! Çoje edhe një herë te data 22 te botimi që është bërë në faqen e Gjykatës së Lartë! Te katër vendimet!

Po çfarë ishte kjo që konsiderohet në mendjen e tij dhe të partisë dhe të organizatës së partisë, ministri, kuvend dhe Dvorani? Kjo është organizata. Ky thotë që kjo që është këtu, që është fiks siç thotë këtu, që është botuar edhe në Fletoren Zyrtare nga Sekretari i Përgjithshëm, që kjo është botuar si këto të tria, me qëllim që t’iu kalojnë institucioneve, por sipas radhës. Pra jo President-president! President, parlament, President, parlament, pra këtë e quaka, e konsideroka ky sipas qejfit të tij, që qenka zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese, sepse Presidenti nuk e shfrytëzoi 30-ditëshin! Kë 30 ditësh! Presidentit i fillon 30-ditëshi në këtë rast vetëm kur kuvendi zgjedh të parin! Atëherë fillojnë 30 ditë për Presidentin, Kushtetuta nuk ka dy vakanca për asnjë institucion. As për Presidentin, as për kuvendin! Një pas një, është e përcaktuar shumë qartë në Kushtetutë dhe e ka bërë Venecia. Dhe radha është shumë e rëndësishme në Kushtetutë. E ka shkruar Venecia që këta e poshtëruan. E thirrën dhe një ditë para se të vinin takimet, i thanë se ne ligjin për betimin e Lanës e bëmë mbrëmë, kështu që ju lutemi, për ato pyetjet që ju bëmë për ligjin, mos i përfshini kur të jepni opinionin!

Dhe ka thënë Venecia saktësisht këtë gjë. E ka shkruar Venecia. Është shumë e rëndësishme, ka thënë, radha, për arsye sepse mund të qëllojë që Presidenti, mazhoranca në parlament mund të jenë një linjë politike. Dhe kjo do të thotë se ata mund t’i mbushin gjashtë vendet e para në Gjykatën Kushtetuese. Krijojnë forumin, shumicën e duhur. Bëjnë çfarë të duan në një regjim po themi partiak, e kështu me radhë, prandaj është shumë e rëndësishme që të jetë gjithmonë e balancuar. Jo vetëm tre, tre, tre, por edhe sipas sekuencave.

Tjetër: Venecia dhe Kushtetuta në raportin Presiden-parlament-kuvend i jep prioritet Presidentit. Se po të ishte ndryshe, i thoshte Kuvendit: President-parlament-Gjykatë e Lartë dhe kjo ka një logjikë, sepse Presidenti është garanti i fundit, përpara Gjykatës Kushtetuese që është garanti suprem, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por jo më kot Kushtetuta dhe Venecia i ka dhënë me Kushtetutë edhe ceremoninë e betimit Presidentit. Jo vetëm të tre anëtarëve që zgjedh Presidenti, por edhe atyre që zgjedh kuvendi, edhe Gjykata e Lartë. Pra është edhe një akt i verifikimit të integritetit të tyre dhe të rregullueshmërisë të të gjithë procesit që ka ndodhur nga organet e tjera për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Pse? Sepse Gjykata Kushtetuese është garancia e sovranitetit, e integritetit të shtetit, të të gjitha interesave kombëtare, të të gjitha interesave publike dhe të të gjitha interesave e të drejtave kushtetuese të çdo qytetari të Shqipërisë.

Tani, se do të kemi punë të tjera, kemi fakte të tjera. Është grupi kriminal që është edhe më i thellë se sa e kishim menduar ne! Falënderoj atë organizatën e shoqërisë civile që kishte bërë një punë paraprake! Kjo këtu është harta institucionale e shtetit tonë sot, që me Kushtetutë është shteti i së drejtës, por praktikisht ju e dini se në çfarë situate jemi. Ju e dini se çfarë është kjo ngjyra mavi. Apo jo? Këtu janë të gjitha institucionet. Këtu është ekzekutivi, qeveria, bashkitë, pushteti vedor, të gjitha të tjerat. Këtu është legjislativi. Parlamentin e dini se nuk ka nevojë t’ju them ndonjë gjë më shumë. Pastaj këtu kemi gjyqësorin, të drejtësisë, këtu kemi median. Këtu kemi ligjin anti-KÇK që vë nën thundrën e policisë që duan ata, se ne duam policinë e ligjit e të shtetit apo jo? I vë të gjitha institucionet e reja të hetimit. Këtu kemi AMA-n, që e dini se çfarë përfaqëson. Kemi ligjin anti-shpifje që është denoncuar nga Këshilli i Evropës dhe nga të gjithë ju në Komisionin e Venecias. Këtu se ç’ka ngelur edhe një dreq belaje, këtu në fund fare, ah po, është Presidenti! Dhe kërkojnë t’ia marrin kompetencat kushtetuese me ligje anti-kushtetuese! Meqenëse nuk ia morën me këto mënyrat mafioze të faktit të kryer sipas shtetit të propagandës!

Ka ngelur edhe kjo kalaja këtu, që të bëhet e gjithë Shqipëria mavi! Nga kush? Më vjen keq ta them këtë, por më duhet ta them, se i kam paralajmëruar shpesh: Nga ata që e bënë Shqipërinë mavri për 50 vite të tëra, në në një regjim që edhe në Korenë e Veriut, vështirë që të krahasohet përsa u takon të drejtave të njeriut.

Ju e dini shumë mirë se përpara 32 vitesh, kur Rumania, përmes revolucionit demokratik i tregoi vendin që meritonte tiranit të saj dhe shushunjës së saj, Elenës, në Kukës vareshin dy poetë! Ndërsa në Sarandë tërhiqeshin zvarrë dhjetëra të rinj pse kërkonin ta gjenin lirinë diku tjetër. Kështu që Shqipëria nuk do të bëhet më kurrë as mavi dhe as mavri! Do të bëhet kuq e zi, duke filluar nga këtu ku është edhe gjithandej! Ndaj më 2 mars, mos dëgjoni ato mashtrimet e atyre të cilëve u ka hyrë tmerri nga populli! Se po t’i donte populli aq shumë, bënin zgjedhje të lira dhe demokratike dhe nuk asgjësonin llogaridhënien e popullit në çdo nivel! Ja kjo është llogaridhënia, ja kjo është! Kjo është llogaridhënia! Njerëzit kanë ikur pse s’kanë paguar një faturë dritash apo jo, kanë vajtur në burg! Apo nuk kanë vajtur? Ndërsa këtu rrëmbehet, vidhet në mënyrë mafioz, duke dhunuar Kushtetutën, duke dhunuar ligjet, dukebërë falsifikime të rënda shtetërore, ku është i përfshirë gjithë parlamenti se nuk është se parlamenti nuk i dinte këto gjëra. Parlamenti i ka ditur se të gjitha këto akte kanë qenë publike. E kështu me radhë, sepse kanë krijuar idenë se shqiptarët sikur janë lodhur dhe sikur janë dorëzuar.

Por këta nuk e dinë akoma se ky është një popull shqiponjash dhe sorrat kurrë nuk do të bëhen shqiponja! Dhe shqiponjat do të mblidhen të gjithë këtu më 2 mars, për ta bërë të gjithë Shqipërinë kuq e zi, dhe nuk i ftoj këtu unë shqiptarët për të ardhur për Presidentin. Presidenti është në rregull, nuk ka asnjë shqetësim, asnjë merak për veten e tij. Aq më tepër për Ilir Metën. Unë i ftoj për fëmijët e tyre, sepse në qoftë se është Shqipëria kështu sot, kemi shpopullim, jo largim! Sepse në qoftë se sot ikën një malazez nga Mali i Zi, ikin 11 shqiptarë nga Shqipëria. I dini ju apo jo! Në qoftë se ikën një serb nga Serbia, ikin tetë shqiptarë. Nëse ikën një nga Kosova, këtej ikin pesë.

Të marrin këta e të rrëmbejnë në mënyrë mafioze edhe Gjykatën Kushtetuese, ku janë të gjitha të drejtat e çdo qytetari të Shqipërisë, pra të mos keni mundësi as të ankoheni, jo më ta fitoni të drejtën, ju e kuptoni se çfarë ndodh këtu!

Ndodh pikërisht ai projekt që synon kapja e shtetit dhe grushti i shtetit, dhe ky është vetëm grusht shteti dhe asgjë tjetër, që të keni një Shqipëri pa shqiptarë. Po pastaj s’do të ketë as emër Shqipëri se këta, të cilët ia ndërruan emrin stadiumit “Qemal Stafa” ia ndërrojnë Shqipërisë sa herë të duan për shkak se nuk u ka mbetur asnjë ndjenjë shqiptare dhe asnjë shqetësim dhe dhimbje për këtë vend dhe për të gjithë këtë popull që vuan prej vitesh dhunimin dhe poshtërimin e Rilindjes, jo të Partisë Socialiste!

Sepse Partia Socialiste e ka bërë Shqipërinë me Kushtetutën më demokratike në vitin 1998 dhe e ka votuar mbarë populli shqiptar. Por këta vetë janë shushunjat e Partisë Socialiste, që e kanë asgjësuar edhe atë parti që ka qenë një forcë e madhe, që i ka dhënë shumë Shqipërisë! Dhe unë do t’ua argumentoj jo me retorikë pse kemi të bëjmë me gjysmë-parlament, por me fakte, sepse kemi kohë. Përditë do të kemi konferenca shtypi, deri në datën 2 mars, me fakte të tjera, dhe përse janë dele-deputetë.

Unë kam shumë respekt, por gjëra të tilla kurrë nuk mund të ndodhin në Kuvendin e Shqipërisë, por të paktën disa burra do të dilnin e do të thonin: “Ore, ku po e çojmë ne këtë vend?”

Kështu që nga 2 marsi, Shqipëria fillon dhe bëhet kuq e zi, siç e duan të gjithë shqiptarët! Siç ka qenë jetë e mot dhe siç do të jetë përgjithmonë! Ju faleminderit